13.3 C
Pristina
Tuesday, May 28, 2024

“Mos i hapni as dritaret për ajrosje”

Më të lexuarat

Ndotja e ajrit në Prishtinë ka arritur në nivele alarmante. Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë iu ka bërë thirrje qytetarëve që të reduktojnë daljet në qytet dhe në vendet me ajër të ndotur, sidomos në mëngjes dhe mbrëmje.

“Qëndroni në shtëpi dhe mos i hapni dritaret për ajrosjen e dhomave. Personat që pashmangshëm duhet të dalin në aktivitetet e tyre jashtë shtëpisë të përdorin maska mbrojtëse ose të mbulojnë gojën e hundën me shall”, thuhet në komunikatën për media të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.

Sipas të dhënave të Agjensionit të Mbrojtjes së Mjedisit dhe Ambasadës Amerikane vlerat e PM 2.5 janë mbi vlerat e lejuara.

Në rrugët e Prishtinës janë parë qytetarë të cilët i janë përgjigjur thirrjeve të Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike që të përdorin maska mbrojtëse.

Përkeqësimi i nivelit të cilësisë së ajrit në Prishtinë, ka vënë në alarm Ministrinë e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor dhe dikasteret tjera, të cilët kanë paralajmëruar masa për uljen e nivelit të ndotjes së ajrit.

Qeveria ka miratuar të hënën kërkesën e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për krijimin e Task-forcës të udhëhequr nga kjo ministri dhe ka kërkuar nga të gjithë akterët që të ndërmarrin masat në fushën e tyre të përgjegjësive për të përmirësuar nivelin e pastërtisë së ajrit.

Ministrja e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor, Albena Reshitaj ka kërkuar që të merret vendim për ndalimin e përdorimit të thëngjillit dhe lëndëve tjera djegëse – ndotëse për ngrohje në shkolla.

Derisa, nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik është kërkuar që të merret vendimi për ndërprerjen e dhënies së thëngjillit falas për punëtorët e KEK-ut.

Ndërkohë, në koordinim me Komunën e Prishtinës është marrë vendim që në periudhat kur nivel i ndotjes së ajrit është i lartë të reduktohet qarkullimi i veturave në disa lagje duke bërë pa pagesë transportin publik.

Ekspertët e Institutit Kombëtar paralajmërojnë se nëse nuk merren masa urgjente, do të ketë efekte negative në dëmtimin e shëndetit dhe rritja e vdekshmërisë nga të gjitha shkaqet e sidomos nga sëmundjet kardiovaskulare dhe respiratore do të jetë shqetësuese./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit