4.7 C
Pristina
Wednesday, December 4, 2024

Moldavia, pesë arsye se pse ky vend mund të jetë objektivi i radhës i Putinit

Më të lexuarat

Gjeopolitikë – Përse ish-Republika e vogël Sovjetike mund të jetë një objektiv i ri i mundshëm për Presidentin rus, Vladimir Putin? Çfarë paraqet në aspektin historik republika “fantazmë” e Transdnjestrit dhe përse Rusia nuk ka interes për një zgjidhje të problemit të saj? Cilat janë deklaratat e komandantit të NATO-s në Kongresin Amerikan dhe pse Ballkani shihet si një vatër e influencës së përforcuar ruse në Europë?
 
Paralajmërimi ishte i qartë: Komandanti Suprem i forcave të NATO-s në Europë, gjenerali Philip Breedlove, tha të mërkurën gjatë kësaj jave, para Kongresit Amerikan, se Putini, përveç Ukrainës, ka në fokus edhe Republikën e Moldavisë. Atje, aktualisht po zhvillohet, sipas Breedlove, një fushatë e ethshme dhe me pikësynime të qarta informative e propagandistike.
 
Dhe lajmi në fjalë nuk është se tingëllon domosdoshmërish si surprizues. Mos harrojmë se së fundmi sapo u bë publik plani i Kremlinit apo dokumenti strategjik, në të cilin skicohej një lloj “harte e rrugës” drejt bashkimit të të gjithë Ukrainës Lindore dhe asaj Jugore me Federatën Ruse – dhe madje rezulton se ky plan ishte në sirtar qysh para rrëzimit të ish-presidentit filorus të Ukrainës, Viktor Janukoviç.
 
Dhe ja pra që ky qëndrim ka një shpjegim të vetin: duke bëtë të qartë se sa të zgjeruara janë përpjekjet e Rusisë për të rritur influencën në vendin partner të BE-së.
 
“Huffington Post” ka renditur me këtë rast pesë arsye, që e bëjnë Putinin të ngacmohet nga “ideja moldave”.
 
Moldavia i përkiste deri në vitin 1991, sikurse Ukraina, Bashkimit Sovjetik
 
Megjithëse në vendin e vogël të Europës Juglindore flitet në shumicë rumanisht, Moldavinë e lidh një histori e gjatë me Rusinë: pjesë të territorit të sotëm shtetëror të saj u pushtuan në shekullin e 18 nga Katerina e Madhe e Rusisë dhe në to u vendosën popullsi rusofone – pak a shumë në ato rajone ku sot ndodhet Republika autonome, e trazuar, e Transdnjestrit.
 
Caresha e përshkruante territorin rreth Odesës dhe Tiraspolit në ato kohë si “Rusia e Re” – një terminologji që tashmë po e përdor edhe Vladimir Putin qysh nga viti 2014, duke pasur parasysh territoret në Ukrainën Lindore, ku separatistët filorusë po luftojnë prej rreth një viti.
 
Nga viti 1940 deri në 1991, Kishinau ishte kryeqytet i Republikës Socialiste Sovjetike të Moldavisë, që në aspektin gjeografik, ishte dhe njëra ndër republikat më perëndimore të ish-Perandorisë Sovjetike.
 
Qysh nga shkrirja e Bashkimit Sovjetik, Moldavia, që është sidoqoftë e pavarur, njihet si një ndër vendet më të varfra të Europës.
 
Dhe Transdnjetri në verilindje shihet si rajoni në të cilin ish-Bashkimi i vjetër Sovjetik ka mbetur në vendnumëro. Në fakt, kjo është e vërtetë: vetëm para një viti, qeveria e atjeshme paraqiti një aplikim për anëtarësim në Federatën Ruse.
 
Lidhja historike për këtë arsye është pra e rëndësishme, pasi Presidenti rus, Vladimir Putin, vetëm para pak kohëve ripërsëriti idenë se “rënia e Bashkimit Sovjetik, ishte katastrofa më e madhe politike e shekullit të shkuar”.
 
Thënia e tij vlen tashmë si një dëshmi shtesë se Putini do të donte me kënaqësi që ta rikthente madhështinë e saj një orë e më parë.
 
Askund nuk e sheh Putini më pranë BE-në, sesa në Moldavi
 
Ndryshe nga Ukraina, Moldavia tashmë posedon një Marrëveshje Stabilizim-Asociimi me Bashkimin Europian. Ajo u nënshkrua në vitin 2014 dhe përmban edhe një Marrëveshje të Tregtisë së Lirë. Vendi me këtë hap ka bërë një lëvizje të rëndësishme në drejtim të një anëtarësimi të mundshëm në BE.
 
Merita për këtë i shkon koalicionit qeveritar trepartiak properëndimor, që qeveriste në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes. Koalicioni në fjalë, edhe në zgjedhjet e nëntorit 2014, mori sërish shumicën e votave, por nuk mundi dot të riformatohej si më parë.
 
Prej vitesh, Rusia po përpiqet që t’i pengojë moldavët në rrugën e tyre drejt BE-së. Parti të rëndësishme opozitare, si lëvizja “Atdheu”, financohen direkt nga Moska. Edhe socialistët thuhet se mbajnë kontakte të forta me Kremlinin.
 
Eurodeputeti gjerman, Elmar Brok, pak kohë më parë madje aludonte se pas dështimeve të negociatave për të formuar sërish koalicionin properëndimor në Moldavi, qëndronin pikërisht përpjekjet e oligarkëve prorusë.
 
Si një mjet efektiv për të rritur ndikimin në Moldavi për Moskën, ka ndikuar sigurisht konflikti në Transdnjestër.
 
Transdnjestri është leva e Putinit kundër zgjerimit të mëtejshëm të BE-së në Lindje
 
Ai vend me shtrirje në formë rripi në hartën e Europës “matanë Dnjestrit” (ose siç njihet më shumë në shqip, lumi Dnjepër) dikur ishte një pjesë e Republikës së Moldavisë sovjetike.
 
Si pasojë e zhvillimeve historike, atje jetojnë sidomos shumë rusë etnikë. Pas fundit të Bashkimit Sovjetik, ndodhi një konflikt i shkurtër civil, por shumë i përgjakshëm mes separatistëve dhe qeverisë qendrore në Kishinau, të cilin në fund e fituan separatistët.
 
Qysh prej asaj kohe, tashmë Transdnjestri (dhe rripi përgjatë gjithë Lindjes së Moldavisë) de facto është i pavarur, por që zyrtarisht nuk njihet nga asnjë vend i botës.
 
Deri më sot në Transdnjestër janë të stacionuara trupa të rregullt të ushtrisë ruse – që kapin numrin e 1500 deri në 2000 ushtarëve, sipas vlerësimeve zyrtare. Megjithëse ish-presidenti rus, Boris Jelcin, në vitin 1999 pati urdhëruar një tërheqje të trupave ruse nga ai rajon, Putin nuk e vuri kurrë në zbatim marrëveshjen dhe urdhrin e paraardhësit të tij pas vitit 2000.
 
Ekspertët e politikës së jashtme, siç është edhe eurodeputeti i liberalëve, Alexander Graf Lambsdorff, e cilësojnë Transdnjestrin si një shembull klasik për një “Frozen Conflict”, d.m.th. konflikt të ftohtë me potenciale shpërthyese.
 
Edhe pse atje prej më shumë se 23 vitesh nuk ka pasur më dhunë, problemet që la pas konflikti, ende nuk janë zgjidhur: e ndodhur në një pozicion mes Ukrainës dhe Moldavisë, Transdnjestri nuk mund të bëhet dhe aq kollaj pjesë e Federatës Ruse. Por, nga ana tjetër, regjimi në Tiraspol, nuk e do as anëtarësimin në Bashkimin Europian.
 
Që Transdnjestri vetë nuk njihet zyrtarisht as nga Rusia, kjo e ka një arsye shumë të thjeshtë për t’u shpjeguar: Putin ka interes që punët në atë rajon të mos zgjidhen kurrë. Konflikti në Transdnjestër tek e fundit prek si Ukrainën, ashtu dhe Moldavinë.
 
Në Ukrainën Jugore demonstrues prorusë kanë protestuar herët për një bashkim me “Rusinë e Re” të Donbassit, deri në Tiraspol. Konflikti në Transdnjestër për ta është gjithashtu një argument gjeopolitik: në mungesë të lidhjes mes Ukrainës Lindore, Krimesë dhe Transdnjestrit, edhe Odesa do të bëhej ruse.
 
Moldavia sërish do të futej në një qerthull dhune e problemesh brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht, por që do ta pengonte integrimin e mëtejshëm të saj drejt Europës. Pasi në rast të një afrimi të mëtejshëm të Kishinaut zyrtar me Brukselin, rajonet përtej Dnjeprit do të shkëputeshin edhe më shumë nga varësia e Moldavisë, duke bërë që ajo t’i humbiste ato përfundimisht. Për më shumë se kaq: do të ekzistonte rreziku që konflikti të ndizej sërish edhe më me forcë – pasi Transdnjestri si një shtet i vogël nuk do të kishte shanse të mbijetonte mes një Republike Moldave proeuropiane dhe një Ukraine që afrohet më fort drejt Brukselit.
 
Nëpër Moldavi kalon një linjë e rëndësishme e gazit rus
 
Edhe në aspektin logjistik, Moldavia ka një domethënie e rëndësi për Rusinë: një degë e rëndësishme jugore e linjës së gazsjellësit “Drushba”, kalon nëpër territorin shtetëror moldav drejt Bullgarisë e Rumanisë.
 
Moldavia është një pjesë e rëndësishme e strategjisë së Putinit për Ballkanin
Rusia nuk po përpiqet të shtrijë influencën e saj vetëm në Moldavi. Në Maqedoni, për shembull, qeveria akuzoi opozitën në fillim të shkurtit se po përpiqej të kryente një puç “putinian”. Autoritetet konfiskuan edhe pasaportën e liderit të opozitës, socialdemokratin Zoran Zaev.
 
Moska reagoi dhe kërkoi që Shkupi të shpjegonte në detaje akuzat për puç. Reagime shkaktoi edhe aludimi rus se përndryshe do të ndizeshin sërish “trazirat etnike”.
 
Edhe në Serbi dhe Bosnjë-Hercegovinë po rritet influenca ruse. Serbëve, Putini para pak kohësh u ofroi një bashkëpunim të ngushtë ushtarak. E njëjta gjë vlen edhe për Republikën Serbe të Bosnjës. Edhe oferta për ndihma ndaj qeverisë së re greke, e bërë publike para dy javëve, duhej nënkuptuar sigurisht edhe në këtë kontekst.
 
Por, sidoqoftë, si askund tjetër në Ballkan, Moska nuk ka përdorur kaq shumë mjete presioni si në Moldavi.kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit