Shkruan: Xhemal Sultan, analist egjiptian.
Disa nga ato që po publikohen në rrjetet sociale rreth luftës së fundit përmbajnë gjëra të çuditshme e të habitshme. Por më e çuditshmja prej tyre është miti se nëse Irani humbet, atëherë kjo zonë do të gjunjëzohet para Izraelit, dhe se Izraeli do të shkatërrojë Turqinë, Arabinë Saudite dhe Egjiptin. “Analistët e mençur” ndryshojnë vetëm renditjen se kush do të jetë i pari! Pastaj, sipas tyre, Izraeli do të shpallë sovranitetin e tij mbi rajonin “nga Nili deri te Eufrati”.
Sinqerisht, nuk e kam kuptuar këtë imagjinatë të shfrenuar hollivudiane që po qarkullon nga disa llogari në rrjetet sociale.
O njerëz të mirë, Irani në thelb është pika e dobët e rajonit. Irani është ai që e ka dobësuar rajonin dhe që e ka bërë atë më pak të fortë përballë Izraelit.
-Irani është ai që për 40 vjet ka luftuar gjithë rajonin dhe e ka konsumuar atë, ndërsa përfituesi ka qenë Izraeli.
-Irani është ai që ka copëtuar të paktën katër shtete në rajon. Irani është ai që bashkëpunoi me amerikanët në shpërbërjen e Irakut dhe në shpërndarjen e ushtrisë së tij që ishte një nga ushtritë më të forta në rajon.
-Irani është ai që e copëtoi Sirinë, e pushtoi dhe e shkatërroi ushtrinë e saj, duke detyruar më shumë se gjysmën e popullsisë të shpërngulet nëpër botë.
-Irani është ai që financon dhe mbështet milicitë kurde separatiste turke në perëndim të Iranit dhe në veri të Irakut.
-Irani është ai që ka financuar dhe mbështetur të gjitha lëvizjet e rebelimit dhe ndarjes në vendet e rajonit, përfshirë edhe në Egjipt.
-Irani është ai që ka komplotuar kundër të gjitha regjimeve qeverisëse në Lindjen e Mesme.
-Irani është ai që, përmes rrjeteve dhe degëve të tij, e ka përmbytur gjithë rajonin me drogë.
-Irani është ai për të cilin themeluesi i tij, udhëheqësi suprem Khomeini, tha se armiqësia e tij ndaj Arabisë Saudite është më e madhe se armiqësia ndaj Izraelit.
-Irani është ai që i merr si peng gjashtë shtete arabe të Gjirit sa herë që përballet me sanksione apo kur ka mosmarrëveshje me partnerin e tij amerikan.
Pra, a është ky Iran ai që e mbron rajonin nga Izraeli?!
“Shumë e fortë!” siç thonë vëllezërit tanë në Gjirin Arab, dhe “shumë e madhe!” siç thonë njerëzit në Egjipt.
