12.9 C
Pristina
Tuesday, April 30, 2024

Migrimi, tendenca zhvendoset tek të arsimuarit, biznesi pa fuqi punëtore

Më të lexuarat

Për shkak të moralit të trazuar, të paaftësisë, ose thjesht për shkak të indiferencës, udhëheqësit politikë të Shqipërisë nuk kanë nisur ende të shpjegojnë pyetjen se përse largohen njerëzit, dhe jo më të zgjidhin problemin. Përkeqësimi i kushteve të demokracisë, zgjerimi i zotërimeve të krimit, korrupsioni i lartë, rritja e ngadaltë ekonomike dhe kushteve e këqija social-ekonomike të ndërthurura me perspektivat në rënie, pritet të nxisin një valë të re emigracioni këtë vit.

Një studim i fundit i Qendrës për Studime Ekonomike dhe Sociale gjeti se 70% e të rinjve që studiojnë në universitetet shqiptare kanë për qëllim të largohen nga vendi. Profili i ri i emigracionit pas liberalizimit të vizave ka përfshirë të gjitha grupmoshat e popullsisë, në të gjitha qytetet e vendit, duke e çuar drejt zbrazjes së shpejtë, por së fundmi, stafet e mirëkualifikuara që punojnë në kompani me vlerë të shtuar dhe paga të larta.

Një anketë që po kryhet aktualisht në këtë kategori gjeti se, tre punonjës në pozicione drejtuese në industrinë bankare kanë dhënë dorëheqjen, për arsye emigrimi. Ata po e ndërmarrin këtë nismë për një perspektivë më të mirë për fëmijët e tyre, për shkak të ajrit të ndotur në Tiranë dhe mungesës së cilësisë në arsim. Gjetjet e para tregojnë se vala e re e emigracionit ndër njerëzit me aftësi të larta nuk kanë të bëjnë me ekonominë, por me rrethanat të cilat janë rënduar ndër vite dhe nuk kanë shpresë të përmirësohen së paku në afat të shkurtër.

Një paketë e re ligjore, e jetësuar së fundmi nga Gjermania, e cila lehtëson më tej kushtet e migrimit, pritet të nxisë emigracionin këtë vjeshtë.

Kryeministri Edi Rama e ka cilësuar më shumë se një herë normal fenomenin, pasi, sipas tij, hendeku ekonomik ndërmjet Shqipërisë dhe vendeve të BE është shumë i lartë dhe për këtë qëllim, shqiptarët kanë drejtë të lëvizin për një jetë më të mirë. Rama thotë se kjo po ndodh me të gjitha vendet e rajonit.

Por, në fakt, të dhënat tregojnë se ritmi i ikjeve nga shqiptarët është më i larti në botë, në raport me popullsinë, edhe në raport me vendet e luftës, ndonëse Shqipëria është një vend në paqe dhe që po punon prej vitesh të anëtarësohet në Bashkimin Europian, duke u renditur në listën e vendeve të sigurta. Të dhënat e Eurostat tregojnë se rreth 19 mijë shqiptarë kanë aplikuar për azil në një nga vendet e Bashkimit Europian në vitin 2018, sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat.

Në raport me popullsinë, shqiptarët vijojnë të duan të ikin më shumë se kushdo tjetër, edhe se vendet që janë në gjendje lufte.

Biznesit i ikën fuqia punëtore

Me këtë filozofi të trajtimit të problemit, bizneset shqiptare janë lënë krejtësisht të pambrojtura, teksa mungesa e fuqisë punëtore në shumicën prej tyre u shndërrua në shqetësimin kryesor për vitin 2019. Në një rrafsh më të gjerë, industria e turizmit po vuan momentalisht për shkak të sezonalitetit në të cilin ndodhet.

Shqiptarët po arsimohen për të ikur

Dëshira për të migruar në Gjermani dhe në vende të tjera të zhvilluara të Europës Perëndimore mund të shërbejë si nxitje për arsimim, kualifikim profesional dhe mësimin e gjuhës së huaj nga ana e emigrantëve potencialë. Kështu, sipas një interviste të zhvilluar në Institutin Goethe në Tiranë, numri i të rinjve që mësojnë dhe marrin dëshminë e gjuhës gjermane është rritur tre herë në vitin 2017 në krahasim me vitin 2013.

Në shumë nga intervistat e realizuara nga CESS-i me azilkërkuesit e kthyer nga Gjermania vërehej interesi për të kryer shkolla profesionale në mënyrë që t’u përshtaten kërkesave të tregut të punës në këtë vend, në rast të një migrimi të mundshëm.

Interesi në rritje i emigrantëve potencialë për arsim dhe trajnim profesional provohet edhe nga të dhënat e anketës së emigrimit potencial, 2018. Thuajse 85% e emigrantëve potencialë dëshirojnë të marrin pjesë në një trajnim në Shqipëri për t’u përgatitur për të jetuar dhe për të punuar jashtë vendit. Emigrantët potencialë që dëshirojnë të marrin pjesë në këto kurse shprehin më shumë interes për mësimin e gjuhës së huaj (72.3%), trajnim profesional (39.1%), orientim kulturor (22.9%) dhe studime universitare (17%)

Ky interes për t’u përgatitur për të punuar dhe për të jetuar në vendin e migrimit ka një rritje të dukshme në krahasim me anketën e vitit 2007, kur vetëm 48.7% e migrantëve potencialë shprehte këtë dëshirë. Kjo dëshirë duhet mbështetur, sepse rrit kapitalin human të vendit dhe atë të migrantit potencial. Të dhënat e anketës tregojnë se studentët dhe të punësuarit janë më të prirë të migrojnë në krahasim me të papunët, të vetëpunësuarit dhe shtëpiaket. Kjo tregon se punësimi në vetvete nuk parandalon emigrimin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit