Autor: Jazen el-Ganim
Hyrje:
Me emrin e Allahut, Lavdërimi i takon Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi Muhammedin, ﷺ.
Allahu i Madhëruar i dërgoi të dërguarit si përgëzues, paralajmërues dhe si mëshirë për botët. Allahu ia tregoi historitë e tyre Pejgamberit ﷺ në Kuran dhe e udhëzoi atë:
﴿ أُولَئِكَ الَّذِينَ هَدَى اللَّهُ فَبِهُدَاهُمُ اقتَدِهْ ﴾
“Ata janë që Allahu i udhëzoi, andaj ti ndiqe rrugën e tyre.” [Suretu El-En’am: 90]
I dërguari i parë që Allahu dërgoi te njerëzimi është Nuhu (paqja qoftë mbi të). Në historinë e tij gjenden dobi, mësime dhe këshilla të cilat çdo thirrës në rrugën e Allahut duhet t’i përvetësojë për shkak të rëndësisë së tyre jetike.
Mësimi i parë: Thirrja e Nuhut (alejhisselam) në Njëshmërinë e Allahut (Teuhid)
Ky është parimi bazë i të gjithë pejgamberëve: thirrja në adhurimin e Allahut të Vetëm dhe ndalimi nga shirku (idhujtaria).
Allahu i Madhëruar thotë:
﴿ لَقَدْ أَرْسَلْنَا نُوحًا إِلَى قَوْمِهِ فَقَالَ يَا قَوْمِ اعْبُدُوا اللَّهَ مَا لَكُمْ مِنْ إِلَهٍ غَيْرُهُ إِنِّي أَخَافُ عَلَيْكُمْ عَذَابَ يَوْمٍ عَظِيمٍ ﴾
“Ne e dërguam Nuhun te populli i vet e ai tha: ‘O populli im, adhuroni Allahun, nuk keni zot tjetër pos Tij. Unë kam frikë për ju dënimin e Ditës së Madhe.’” [Suretu El-A’raf: 59]
Allahu thotë gjithashtu:
﴿ وَمَا أَرْسَلْنَا مِنْ قَبْلِكَ مِنْ رَسُولٍ إِلَّا نُوحِي إِلَيْهِ أَنَّهُ لَا إِلَهَ إِلَّا أَنَا فَاعْبُدُونِ ﴾
“Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje, e të mos i kemi shpallur atij se: ‘Nuk ka zot tjetër pos Meje, andaj më adhuroni vetëm Mua.’” [Suretu El-Enbija: 25]
Në hadithin e transmetuar nga Ibën Abasi (radijallahu anhu), Pejgamberi ﷺ kur dërgoi Muadhin (radijallahu anhu) në Jemen, e udhëzoi:
(( ادْعُهُمْ إِلَى شَهَادَةِ أَنْ لَا إِلَهَ إِلَّا اللَّه وَأَنِّي رَسُولُ اللَّهِ، فَإِنْ هُمْ أَطَاعُوا لِذَلِكَ فَأَعْلِمْهُمْ أَنَّ اللَّهَ قَدِ افْتَرَضَ عَلَيْهِمْ خَمْسَ صَلَوَاتٍ فِي كُلِّ يَوْمٍ وَلَيْلَةٍ…))
“Thirri ata në dëshminë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se unë jam i dërguari i Allahut. Nëse ata të binden në këtë, atëherë njoftoi se Allahu u ka bërë obligim pesë namaze gjatë ditës dhe natës…” [Buhariu dhe Muslimi]
Thirrësit duhet t’i japin përparësi Teuhidit, pasi ai është themeli i fesë. Nuk ka dobi në një thirrje që e neglizhon atë apo nuk i paralajmëron njerëzit nga shirku.
Mësimi i dytë: Durimi i pashembullt në Da’uet
Thirrësi duhet të jetë i durueshëm ndaj pengesave, mundimeve dhe refuzimit, duke ndjekur shembullin e Nuhut (alejhisselam):
﴿ قَالَ رَبِّ إِنِّي دَعَوْتُ قَوْمِي لَيْلًا وَنَهَارًا * فَلَمْ يَزِدْهُمْ دُعَائِي إِلَّا فِرَارًا * وَإِنِّي كُلَّمَا دَعَوْتُهُمْ لِتَغْفِرَ لَهُمْ جَعَلُوا أَصَابِعَهُمْ فِي آذَانِهِمْ وَاسْتَغْشَوْا ثِيَابَهُمْ وَأَصَرُّوا وَاسْتَكْبَرُوا اسْتِكْبَارًا ﴾
“Ai tha: ‘Zoti im, unë e thirra popullin tim natë e ditë, por thirrja ime nuk u shtoi atyre asgjë tjetër pos largimit. Sa herë që i thirrja që Ti t’i falje, ata i vinin gishtat në veshët e tyre, mbuloheshin me rrobat e tyre, këmbëngulnin (në mohim) dhe tregonin mendjemadhësi të madhe.’” [Suretu Nuh: 5-7]
Pavarësisht talljeve dhe akuzave, Nuhu (alejhisselam) qëndroi i palëkundur.
Allahu i tha Pejgamberit tonë ﷺ:
﴿ فَاصْبِرْ كَمَا صَبَرَ أُولُو الْعَزْمِ مِنَ الرُّسُلِ ﴾
“Ti duro ashtu siç duruan të dërguarit e vendosur (Ulul-Azm).” [Suretu El-Ahkaf: 35]
Mësimi i tretë: Qëndrueshmëria pavarësisht kohës që zgjatë
O thirrës, mos u dëshpëro nga koha e gjatë që kalon pa parë rezultate të menjëhershme. Nuhu (alejhisselam) qëndroi në mesin e popullit të tij pothuajse një mijëvjeçar:
﴿ وَلَقَدْ أَرْسَلْنَا نُوحًا إِلَى قَوْمِهِ فَلَبِثَ فِيهِمْ أَلْفَ سَنَةٍ إِلَّا خَمْسِينَ عَامًا فَأَخَذَهُمُ الطُّوفَانُ وَهُمْ ظَالِمُونَ ﴾
“Ne e dërguam Nuhun te populli i vet dhe ai qëndroi mes tyre një mijë vjet pa pesëdhjetë vjet (950 vjet)…” [Suretu El-Ankebut: 14]
Mësimi i katërt: Mosdorëzimi para numrit të vogël të ndjekësve
Suksesi i thirrësit nuk matet me numra, por me përmbushjen e detyrës. Pas 950 viteve thirrje, Allahu na tregon:
﴿ وَمَا آمَنَ مَعَهُ إِلَّا قَلِيلٌ ﴾
“E me të nuk besuan (pas aq kohe) veçse pak njerëz.” [Suretu Hud: 40]
Mësimi i pestë: Përcjellja e qartë dhe lënia e rezultatit në dorë të Allahut
Detyra e thirrësit është vetëm përcjellja e qartë e mesazhit, me lekuencë, argument edhe urtësi, i vetëdijshëm se nuk ka mundësi detyrimi mbi zemrat:
﴿ فَذَكِّرْ إِنَّمَا أَنْتَ مُذَكِّرٌ * لَسْتَ عَلَيْهِمْ بِمُصَيْطِرٍ ﴾
“Ti përkujto, se ti je vetëm përkujtues. Ti nuk je mbikëqyrës (i plotfuqishëm) mbi ta.” [Suretu El-Gashije: 21-22]
Imam es-Sa’di shpjegon se thirrësi nuk ka mundësi t’i detyrojë njerëzit për atë që ata e urrejnë, pasi udhëzimi është në dorë të Zotit.
Mësimi i gjashtë: Diversifikimi i metodave të Da’uetit
Nuhu (alejhisselam) përdori çdo strategji të mundshme: thirrjen publike dhe private, përgëzimin dhe paralajmërimin, duke e shfrytëzuar çdo moment (natë e ditë). Thirrësi duhet të shterojë të gjitha mundësitë dhe mjetet për t’u bërë i kuptueshëm për popullin e tij dhe i pranishëm në mesin e tyre.
Mësimi i shtatë: Dhembshuria dhe Mëshira
Nuhu (alejhisselam) nuk i thirrte ata në besim e shpëtim nga arroganca, por nga frika se populli i tij do të ndëshkohej nëse e refuzon këtë ofertë të Allahut. Ashtu si Pejgamberi Muhamed ﷺ, për të cilin Allahu thotë:
﴿ وَمَا أَرْسَلْنَاكَ إِلَّا رَحْمَةً لِلْعَالَمِينَ ﴾
“Ne nuk të dërguam ty për tjetër, veçse si mëshirë për botët.” [Suretu El-Enbija: 107]
Pejgamberi ﷺ madje refuzoi t’i shkatërronte ata që e lënduan në Taif, duke thënë:
(( بَلْ أَرْجُو أَنْ يُخْرِجَ اللَّهُ مِنْ أَصْلَابِهِمْ مَنْ يَعْبُدُ اللَّهَ وَحْدَهُ لا يُشْرِكُ بِهِ شَيْئًا))
“Përkundrazi, unë shpresoj që Allahu të nxjerrë nga pasardhësit e tyre njerëz që e adhurojnë vetëm Allahun dhe nuk i bëjnë Atij asnjë shok.” [Buhariu]
Mësimi i tetë: Sinqeriteti i plotë (Ihlasi)
Thirrësi nuk duhet të kërkojë shpërblim material, post apo famë. Nuhu (alejhisselam) deklaroi:
﴿ وَيَا قَوْمِ لَا أَسْأَلُكُمْ عَلَيْهِ مَالًا إِنْ أَجْرِيَ إِلَّا عَلَى اللَّه ﴾
“O populli im, unë nuk kërkoj prej jush pasuri për këtë. Shpërblimi im është vetëm te Allahu.” [Suretu Hud: 29]
Mësimi i nëntë: Mbështetja te Allahu dhe ndërmarrja e shkaqeve
Nuhu (alejhisselam) u mbështet te Allahu, por njëkohësisht punoi fort për ndërtimin e anijes. Besimtari duhet të ndërmarrë të gjitha mjetet e duhura (shkencore, teknike, logjistike), ashtu si Pejgamberi ﷺ që veshi parzmoren dhe hapi hendekun, ndërkohë që zemrën e kishte plotësisht të mbështetur (Tevekkul) te Krijuesi.
Përfundim:
Rruga e Nuhut (alejhisselam) është rruga e Muhamedit ﷺ. Kush pason këtë rrugë është i udhëzuar, ndërsa kush kërkon rrugë tjetër ka humbur orientimin.
Përktheu: Bekir Halimi
