Nga “Zonja e Hekurt” e Italisë te rënia e lirë: kur arroganca politike përplaset me kutinë e votimit…
Italia foli dhe verdikti është një goditje dërrmuese për kryeministren Giorgia Meloni. Referendumi kushtetues për reformën në drejtësi, i cili u shndërrua në një test de facto për lidershipin e saj, përfundoi me një fitore të qartë të kampit “JO”.
Rreth 54 për qind e italianëve kanë hedhur poshtë ndryshimet që synonin ndarjen e karrierave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ndonëse fillimisht u përpoq ta mbante konsultimin brenda kornizave teknike, javët e fundit Meloni e lidhi fatin e reformës me figurën e saj politike, duke bërë thirrje aktive për votën “PO”.
Pjesëmarrja e lartë në votime, që arriti në rreth 59 për qind, hodhi poshtë parashikimet për një apati qytetare dhe tregoi se populli italian nuk ishte gati për t’i besuar qeverisë aktuale të krahut të djathtë një riorganizim kaq rrënjësor të sistemit të drejtësisë.
Reforma parashikonte ndarjen e Këshillit të Lartë të Magjistraturës (CSM) në dy pjesë dhe krijimin e një Gjykate të re Disiplinore, masa që sipas qeverisë do të sillnin paanshmëri. Megjithatë, opozita, e udhëhequr nga Elly Schlein e Partisë Demokratike dhe Giuseppe Conte i Lëvizjes Pesë Yjet, arriti të bindte elektoratin se këto ndryshime do të minonin pavarësinë e gjyqësorit dhe do të rrisnin ndikimi politik mbi prokurorët.
Rezultatet e referendumit, tregojnë një Itali të ndarë, por me një dominim të qartë të votës kundër në qendrat e mëdha urbane. Në Romë, “JO”-ja arriti në 60.3 për qind, ndërsa në Napoli shënoi një rekord historik me 75.5 për qind. Edhe pse bastionet e veriut si Lombardia dhe Veneto mbetën besnike ndaj qeverisë, diferenca nuk ishte e mjaftueshme për të përmbysur valën kombëtare.
Në një mesazh video të shpërndarë në rrjetet sociale, një Giorgia Meloni dukshëm e mërzitur deklaroi: “Italianët vendosën dhe ne e respektojmë këtë vendim. Mbetet keqardhja për një mundësi të humbur për të modernizuar Italinë, por mandati ynë vazhdon me të njëjtën vendosmëri”.
Pavarësisht toneve në dukje të qeta, humbja për shumicën është e rëndë. Ish-kryeministri Matteo Renzi, i cili dha dorëheqjen pas një humbjeje të ngjashme në vitin 2016, nuk humbi kohë duke e thumbuar: “Unë pata guximin të largohesha kur populli më tha jo, të shohim nëse Meloni ka të njëjtën dinjitet”.
Ky rezultat e dobëson Melonin pikërisht në prag të zgjedhjeve të planifikuara parlamentare të vitit 2027. Planet e saj të tjera dhe ambicioze, si zgjedhja e drejtpërdrejtë e kryeministrit (Premierato), duken tani më të vështira për t’u realizuar.
Për opozitën, kjo është fitorja e parë e madhe që bashkon kampet e përçara, duke krijuar një front të përbashkët kundër “pathyeshmrisë” së pretenduar të Melonit. Humbja në këtë referendum nuk është thjesht një “Jo” për prekjen e magjistratëve, por një sinjal se “muaji i mjaltit” i Giorgia Melonit me italianët mund të ketë përfunduar zyrtarisht. /tesheshi.com/
