1.2 C
Pristina
E premte, 16 Prill, 2021

Medicus: Ekspertja ndryshon deklaratën, flet për një transplantim

Më të lexuarat

Për dallim nga deklarata e së enjtes që kishte thënë se s’ka argumente për kryerjen e transplantimeve në “Medicus”, ekspertja mjekoligjore, Daniela Schillaci, gjatë seancës së radhës, të premten, përmendi se kishte arritur ta identifikonte një rast të transplantimit. Schillaci në procesin gjyqësor ka treguar se gjatë analizës që u ka bërë dokumenteve dhe librave të pacientëve, që i përkisnin klinikës “Medicus”, të periudhës kohore nga korriku deri në gusht të vitit 2008, kishte arritur të gjente argumente se ishte kryer një transplantim nga analiza e të dhënave që u kishte bërë 10 pacientëve. Ndërsa të dhënat e 15 pacientëve të tjerë nëpër dokumentet e “Medicusit” ka bërë të ditur se janë analizuar nga një kolege e saj që po ashtu pritet të dëshmojë në këtë proces gjyqësor.

Ekspertja mjekoligjore, Schillaci, ka vazhduar t’i tregojë gjetjet e saj.

Kryetari i trupit gjykues, Arkadiusz Sedek, është interesuar të dijë përgjigjen nga ekspertja, nëse një transplantim veshke do të mund të realizohej vetëm nga një kirurg, pa ndihmën e kirurgut asistent. Pas një elaborimi të gjatë të procedurës dhe vështirësive nëpër të cilat kalohet për t’u realizuar një transplantim i tillë, Schillaci potencoi se do të ishte “praktikë e keqe”, si dhe “shpërdorim i detyrës” në rast se një kirurg, sado i përgatitur, të kryente transplantim pa asistim.

Seanca pritet të vazhdojë më 11 shtator, me dëshmitarët e thirrur nga mbrojtja.

Të akuzuarit në këtë proces gjyqësor “Medicus” janë Lutfi Devishi, urolog, Driton Zhillta, kirurg, Ilir Rrecaj, mjek dhe ish-sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, Sokol Hajdini – specialist anesteziolog, Sylejman Dulla-anesteziolog, Islam Bytyçi po ashtu anesteziolog, dhe Arban Dervishi, i biri i mjekut Lutfi Dervishi. Ata akuzohen nga prokurori për vepra penale të rënda në klinikën “Medicus”, në të cilën sipas Prokurorisë janë kryer të paktën 30 operacione të paligjshme./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit