12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

MBULESAT E QABESË ( Historiku i kësaj mbulese) – Hoxhë Irfan Salihu

Më të lexuarat

MBULESAT E QABESË

Një nga skenat më madhështore që rrëmben dhe pushton veçanërisht zemrën e besimtarëve është takimi i parë me Qaben, ose pamja e parë e Qabes me rrobat e saj madhështore me një mantel të zi, në mes të së cilës shkruhen vargje të Kuranit dhe të qëndisura me fije ari.
A e dini se, Qabeja nuk ishte e mbuluar me një mantel të zi deri në shekullin e shtatë hixhri?!
Nevar bint Malik, nëna e Zejd ibn Thabit, thotë:
“Para se të lindja djalin tim Zejdin, pashë mbi Qabe një mbulesë të gjelbër dhe një të verdhë në muret e Qabes, si dhe ca mbulesa të përdorura nga beduinët dhe copa lëkure.”
Omer ibn Hakem es-Sulemi ka thënë: “Nëna ime u zotua të bëjë kurban një deve ndêrsa i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ishte ende në Mekë, ai ende nuk kishte bërë hixhret.
Atë ditë pashë Qaben, e cila ishte e mbuluar me rroba shumëngjyrëshe, lëkurë dhe abaja irakiane. Të gjitha këto i pashë në Qabe.”
Kjo ndodhte sepse disa të pasur i sillnin Qabesë dhurata në formë të rrobave dhe mbulesave të ndryshme, kështu që Qabeja ishte e mbuluar me shumë petka.
Pas çlirimit të Mekës, i Dërguari i Allahut, lavdia dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, e mbuloi Qaben me leckë jemenase me vija të kuqe dhe të bardha, ndërsa Ebu Bekri, Omeri dhe Othmani, Allahu qoftë i kënaqur me ta, me pelerinë të bardhë të butë nga Jemeni.
Në vitin 64 h. Abdullah ibn Zubejri e mbuloi Qaben me brokadë të kuqe, ndërsa kalifët abasid e mbuluan Qaben me pelerinë të bardhë, jeshile dhe të kuqe.
Kalifi abasid El-Me’mun e mbulonte Qaben tri herë në vit. Ditën e tetë të muajit Dhul-Hixheh (Jevmut-Tervijeh), kur haxhinjtë shkojnë në Mina në prag të Arafatit, ai e mbuloi Qaben me brokadë të kuqe, kur erdhi muaji Rexheb, El-Me’mun e mbuloi. Qaben me pëlhurë të bardhë të butë egjiptiane dhe më 27 në ditën e Ramazanit e mbuloi Qaben me brokadë të bardhë.
Sunduesit nga dinastia shiite Fatimite e mbuluan Qaben kryesisht me pëlhurë të bardhë, përveç se sulltani selxhuk Melik Shah, në vitin 456 h, dërgoi brokadë të verdhë për të mbuluar Qaben me të.

Qabeja u mbulua me mbulesë të zezë për herë të parë vetëm në vitin 1225 të erës re, dhe këtë e bëri kalifi abasid El-Nasir, i cili deri atëherë e kishte mbuluar Qaben me brokadë të gjelbër. Ai e mbuloi Qaben me një mbulesë të zezë brokadë, sepse ngjyra e zezë ishte simboli i dinastisë Abasite.
Që atëherë e deri më sot, Qabeja është e mbuluar me një mbulesë të zezë siç dëshmojnë shumë udhëtarë, si Ibn Batuta (vdiq më 1377), Ebu Salim el-Ajjashi (vdiq më 1679) e të tjerë.

Allahu na mundësoftë vizitën e saj!

Hoxhë Irfan Salihu

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit