Mbrojtja e informacioneve nga sulmet kibernetike

0
60

Publikimi i kohëve të fundit i një programi amerikan të përgjimit të telefonatave dhe internetit ka ngritur shumë pyetje teknike, përfshirë pyetjen se si është i mundur kontrollimi i një numri të lartë të dhënash. Pas shumë analizave dhe shpjegimeve u kuptua se qeveria po mblidhte vetëm të dhëna të përgjithshme, të ashtu-quajturat ‘tabulate. Ruajta e këtij lloji të dhënash nuk kërkon hapësirë të madhe.

Zyrtarët e qeverisë amerikane thonë se monitorimi përfshinte vetëm tabulatet e thirrjeve telefonike dhe mesazheve në Internet e jo përmbajtjen e komunikimit. Sipas njoftimeve, shumica e e-mailave të dërguara gjatë një periudhe të caktuar kohe janë regjistruar dhe ruhen për analiza të mëvonshme.

Bill Supernor është drejtues i operacioneve teknologjike të firmës KoolSpan për sigurinë në internet. Ai thotë se tabulatet mund të sigurojnë informacion të vlefshëm për shërbimet e zbulimit.

“Tabulatet është term i përgjithshëm që përdoret për përshkrimin e informacioneve që përshkruajnë informacionet. Pra tabulatet e një e-maili mund të përmbajë adresën e personit që e ka dërguar e-mailin dhe adresën e atij që e ka pranuar atë, datën e dërgimit të e-mailit dhe madhësinë e mesazhit”- shpjegon ai.

Supernor thotë se ruajtja e këtyre të dhënave kërkon shumë më pak hapësirë sesa ruajtja e përmbajtjes së mesazheve dhe organizimi i tyre në katalog është shumë më i lehtë. Por përdorimi i tyre është i kufizuar.

Edhe bisedat telefonike bartin të dhëna teknike, duke përfshirë antenën e sinjalit që është shfrytëzuar për realizimin e telefonatës, kohën kur ka filluar dhe kur ka mbaruar telefonata dhe vendndodhjen e personit që ka kryer telefonatën. Këto informacione mund të ndihmojnë policinë dhe agjencitë e zbulimit për të ndjekur kriminelët dhe terroristët.

Por mesazhet e internetit mund t’u ndihmojnë edhe hakerave të cilët mund të hidhen pas të dhënave financiare dhe atyre personale.

“Gjëja më e mirë që ju mund të bëni për të mbrojtur veten është zgjedhja e fjalëkalimeve të vështira, pra mos përdorni emrat e maces, qenit apo makinës suaj. Mos përdorni adresën tuaj, adresën e familjes tuaj apo gjëra të tjera të këtij lloji që janë publike në mediat sociale. Kjo është një armë në duart e njerëzve të këqij”.

Në lidhje me telefonat celularë, zoti Supernor thotë mos i përdorni ato për dërgimin e informacioneve të rëndësishme si numrin e sigurimeve shoqërore apo numrin e kartave të kreditit.

“Unë nuk do t’i përdorja SMS-të për shkëmbimin e informacioneve të rëndësishme. Kjo formë e komunikimit nuk është e sigurt për shkëmbimin e këtij lloji të informacionit”.

Bill Supernor thotë se Interneti nuk është një mjet i sigurt komunikimi dhe këshillon përdorimin e fjalëkalimeve për mesazhet që përmbajnë informacione të ndjeshme. Kjo është veçanërisht e rëndësishme për kompanitë tregtare dhe organizatat që duan të sigurojnë informacionin privat në ekranin e tyre./koha/kohaislame