6.4 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Martesa pastërti dhe dashuri

Më të lexuarat

 Librat e sunnetit kanë përmbledhur shumë tekste për temën e martesës. Aty ku gjenden udhëzime të mjaftueshme, të cilave, po qe se u përmbahen njerëzit u sigurojnë fatëbardhësi dhe lumturi, siguri dhe kënaqësi në jetë pa pengesa e probleme.

Ibn Mesudi [radij-all-llahu anhu] thotë se Muhammedi, salall-llahu alejhi ve selem, ka thënë: “O ju të rinj, kush ka mundësi prej jush për martesë, le të martohet, sepse ajo (martesa) është mbrojtje për sy dhe mbrojtje për moralin, e kush nuk ka mundësi për këtë, le të agjërojë sepse ai (agjërimi) është mbrojtës (që ta dobëson epshin).”

Gjithashtu transmetohet nga ibën Abbasi, radij-all-llahu anhu se Pejgamberi, salall-llahu alejhi ve selem, ka thënë: “O ju të rinj të kurejshëve, mos bëni prostitucion (zina), ruajeni moralin tuaj. A e dini se ai i cili e ruan moralin e vet do të hyjë në xhennet?”

E nuk mund të rruhet morali më mirë se me anë të martesës. Për këtë arsye, lënia e martesës pas dore ka shkaktuar përhapjen e imoralitetit, i cili e shkatërron fenë, moralin, nderin, familjet, shëndetin dhe pasurinë. ثshtë e vërtetë se prej shkaqeve të përhapjes së çrregullimeve në shumë mjedise është vonesa e prindërve për martesën e djemve dhe vajzave të tyre. Ndodh që ndokush të arsyetohet me problemin material, i cili është rezultat i braktisjes së fesë së All-llahut, xhel-le shanuhu. Ndokush tjetër arsyetohet me problemin e banesës (sigurimi i së cilës është i vështirë). Zgjidhja e këtyre problemeve gjendet atëherë kur njerëzit ti kthehen fesë së All-lahut, i adaptohen jetës me pak resurse dhe sillen mirë me njerëzit e rrethit ku jetojnë.

Lloji tjetër i njerëzve arsyetohen duke thënë se djemtë dhe vajzat e tyre janë të zënë me studime dhe ua vonojnë martesën fëmijëve të tyre, deri sa t’i përfundojnë studimet. E dihet se koha e studimeve është e gjatë e martesa nuk pengon në studime dhe ndodh që ardhmëria e tyre të jetë me logjikë të pastër dhe personalitet të kompletuar.

Islami e ka përcaktuar martesën dhe ka nxitur në të duke i rregulluar lidhjet mes bashkëshortëve, ka caktuar të drejtat e dy çiftëve (burrit dhe gruas) dhe obligimet që i kanë ndaj njëri tjetrit. I ka orientuar në rrugën shembullore, e të gjitha këto i ka lidhur me frikë ndaj All-llahut dhe mbikëqyrje nga Ai. Sepse Ai, i Madhëruari, di ç’ka në zemrat e njerëzve dhe u ka përgatitur bamirësve shpërblim të madh. E në këtë, paraqitet edhe nxitja me përngjajshmëri çka na ka urdhëruar feja me zbatimin e obligimeve dhe kryerjen e urdhërave. Gjithashtu, feja ka përcaktuar kufinj, e kush i tejkalon ato, i ka bërë padrejtësi vetvetes. All-llahu , subhanehu ve teala, thotë:

“Këto janë dispozitat e All-llahut, pra mos i tejkaloni -sepse kush i tejkalon dispozitat e All-lahut, pikërisht të tillët janë zullumqarët.” El-Bekare-229.

Gjithashtu, All-llahu , subhanehu ve teala, për atë i cili e keqpërdorë gruan e tij dhe e mban pasi që t’i kalojë afati (iddeti) i shkurorëzimit duke i bërë dëm dhe armiqësi, thotë: “E mos i mbani sa për t’i dëmtuar, e të bëheni të padrejtë. Kush e bën atë, ai e ka dëmtuar vetveten. Dizpozitat e All-llahut mos i merrni për shaka. Përkujtoni të mirat e All-llahut ndaj jush dhe atë që ju shpalli Kur’anin dhe dispozitat e sheriatit me të cilat ju udhëzon, dhe kini frikë All-llaun e dijeni se All-llahu është i gjithdijshëm për çdo send.” El-Bekare-231.

Librat e sunnetit poashtu kanë përmbledhur edhe tekste tjera të cilat paraqesin pasqyrë të shkëlqyer (të mrekullueshme) bashkëkohore për martesë të lumtur, larg ngarkesave dhe komplikimeve, e mbështetur në mirëkuptim, dashuri dhe devotshmëri. Nga kjo martesë, e cila është fillim për jetë të gjatë, të bukur e të këndshme bashkëshortore, dalin si fryt i gjenerata të muslimanëve dhe muslimaneve, të zbukuruar me cilësi fisnike, thirrës në fe të All-ahut me punët e tyre dhe fjalët e tyre; gjenerata që marrin pjesë në formimin e rrethit të ngritur i cili do të krijojë në hapësirën e tij, frymë të dashurisë, mirësjelljes, përgjegjësisë dhe sigurimit, do t’ua plotësojë bijëve të tij sigurimin, vendosëshmërinë dhe qetësinë.

 

Marrë nga revista “Urtësia”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit