Kjo u njoftua në rrjetin social Truth Social nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili synon që me këtë zhvillim të marrë të premten Nobel-in e Paqes, të cilin e kërkon këmbëgulësisht deri në paturpësi.
“Të gjitha palët do të trajtohen në mënyrë të drejtë! Kjo është një ditë e madhe për botën arabe dhe myslimane, Izraelin, të gjitha vendet fqinje dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe ne falënderojmë ndërmjetësit nga Katari, Egjipti dhe Turqia që punuan me ne për ta bërë të mundur këtë ngjarje historike dhe të pashembullt. Të bekuar janë paqebërësit”, shkroi Trump.
Trump më parë tha se planifikonte të udhëtonte “atje” këtë javë.
“Mendoj se diçka do të ndodhë, ka një shans të mirë që të ndodhë. Mund të shkoj atje në fund të javës, ndoshta të dielën. Do ta shohim, por ka një shans shumë të mirë që negociatat të shkojnë shumë mirë”, tha Trump në një postim të mëparshëm, duke njoftuar këtë marrëveshje të madhe.
Ai nuk specifikoi se cilin vend mund të vizitojë.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu foli pas njoftimit të armëpushimit nga Trump.
“Me ndihmën e Zotit, do t’i kthejmë të gjithë në shtëpi”, tha Netanyahu në një deklaratë të shkurtër të lëshuar nga zyra e tij.
Hamasi më parë tha se kishte arritur një marrëveshje pas bisedimeve mbi propozimin e Trump, duke konfirmuar se marrëveshja përfshinte një tërheqje izraelite nga enklava dhe një shkëmbim pengjesh dhe të burgosurish.
Hamasi i bëri thirrje Trump-it dhe shteteve garantuese të sigurojnë që Izraeli të zbatojë plotësisht armëpushimin. Grupi tha gjithashtu se do të lirojë 20 pengje që janë ende gjallë që këtë fundjavë, dhe burimet thanë se shkëmbimi i të burgosurve palestinezë do të ndodhë brenda 72 orëve nga nënshkrimi i marrëveshjes, i cili pritet të enjten.
Ky zhvillim bëri që palestinezët në Khan Younis, në Rripin jugor të Gazës, të dalin në rrugë për të festuar.
Palestinezi Khaled Shaat tha:
“Këto janë momente që konsiderohen historike, të pritura prej kohësh nga qytetarët palestinezë pas dy vitesh vrasjesh dhe gjenocidi të kryer me arrogancë kundër popullit palestinez. Gëzimi që pamë pak më parë në rrugët palestineze është rezultat i presionit të madh mbi popullin palestinez, masakrave të mëdha, vrasjeve, gjenocidit.”
Siç shkruan Reuters, palestinezi Abdul Majeed Abd Rabbo tha:
“Falënderimi i takon Zotit për armëpushimin, për përfundimin e gjakderdhjes dhe vrasjeve. Nuk jam i vetmi i lumtur – i gjithë Rripi i Gazës është i lumtur, i gjithë populli arab, e gjithë bota është e lumtur për shkak të armëpushimit dhe përfundimit të gjakderdhjes. Faleminderit dhe u dërgojmë gjithë dashurinë tonë atyre që qëndruan pranë nesh.”
Por më e madhe ka qenë lumturia e fëmijëve, viktimave kryesore të gjenocidit izraelit, së bashku me nënat e tyre
Në pamjet e ardhura nga Gaza, fëmijët kërcejnë nga gëzimi dhe duartrokasin, të lumtur që sulmet kanë ndaluar. Vajzat dhe djemtë e moshave të ndryshme janë vërtet të lumtur.
Gjithashtu, në profilin Eye of Palestine, u postua një video e një burri që thoshte se mbrëmë ishte nata e parë në Gaza pa uturimat e bombardimeve apo dronëve.
“A është ky ai moment? Është e pabesueshme sa qetësi është. Njerëzit nuk i kanë dëgjuar ende lajmet. Por është tepër paqësore,” tha ai.
Nga ana tjetër, disa profile kujtojnë se armëpushimet janë rënë dakord më parë, por se Izraeli ka vazhduar me bombardime dhe sulme të pamëshirshme, dhe se ata duhet të jenë të kujdesshëm edhe këtë herë. /tesheshi.com/
