Lufta e Gazës – Ditare dhe Përsiatje

Më të lexuarat

(Lufta e Gazës dhe problemi i së keqes)

Disa politikanë dhe njohës të çështjes kanë deklaruar se ajo që po ndodh sot në Gaza nuk ka shembull të ngjashëm në historinë moderne të botës – jo vetëm përsa i përket fatkeqësive dhe vështirësive të veçuara, por përsa i përket bashkimit të tyre në këtë mënyrë tragjike, të ndërlikuar dhe të ndërthurur.

Kjo luftë ka lënë në zemrat e njerëzve shumë pyetje, ndër më të rëndësishmet: Pyetja e së keqes.

Pse lejon Zoti të ndodhin këto gjëra?!

Ku është Zoti në atë që po na ndodh?!

A nuk është Ai i aftë t’i ndalojë me fuqinë e Tij?!

A nuk bie kjo ndesh me mëshirën dhe drejtësinë e Tij?!

… dhe pyetje të tjera të ngjashme, që disa i shprehin me fjalë, e të tjerë me gjendjen e tyre shpirtërore.

Kjo është ajo që njihet si “problemi i së keqes” dhe “pyetja e së keqes”, një pyetje që ka hutuar njerëzimin që në kohët e lashta, dhe një nga arsyet kryesore të ateizmit te njerëzit është pikërisht kjo.

Janë thënë shumë gjëra për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, nga këndvështrime të ndryshme, madje janë shkruar libra të tërë për të. Por ky nuk është vendi për hollësime të gjata, ndaj do ta përmbledh përgjigjen në pika të shkurtra dhe them, me ndihmën e Zotit:

  1. Kjo botë ku jetojmë është vetëm lojë, zbavitje, përfitim i përkohshëm, ëndrra dhe iluzione – ndërsa realiteti i vërtetë është në botën tjetër.

Allahu thotë:

“Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër veçse zbavitje dhe lojë, por jeta e përhershme në botën tjetër është ajo që është e vërtetë, sikur ta dinin!”
(Sureja Ankebut: 64)

Po, atje janë vendbanimet e përjetshme, jeta e pavdekshme, e pastër nga çdo e keqe dhe vuajtje. Dhe në udhëtimin tonë drejt saj, duhet të kalojmë nëpër sprova dhe vështirësi, sepse pa to, shpirtrat nuk pastrohen, nuk përgatiten për atë jetë tjetër.

  1. Nga bazat e besimit është se Zoti i Madhëruar nuk e vendos asgjë pa një urtësi. Ligjet e Tij, qoftë të shpallura apo të caktuara me kader (caktim hyjnor), janë të bazuara në këtë drejtësi dhe urtësi.

Allahu thotë:

“A nuk është Allahu më i Urti i gjykuesve?”

(Sureja Tin: 8)

Gjithçka në këtë univers madhështor dëshmon për dijen, mëshirën dhe urtësinë e Tij. Ai ua ka treguar robërve të Tij vetëm një pjesë të kësaj, ndërsa pjesën tjetër e ka mbajtur për Veten. Dhe kjo është nga përkryerja e Tij.

Detyra e njerëzve është të dorëzohen ndaj Zotit dhe të kthejnë atë që nuk e kuptojnë në atë që e dinë e e shohin qartë, sepse të kuptuarit e gjithçkaje është e pamundur. Prandaj nuk mbetet veçse besimi dhe dorëzimi.

  1. Ky univers në të cilin jetojmë, qëndron mbi një sistem të ndryshimeve dhe kundërshtive: e mirë dhe e keqe, drejtësi dhe padrejtësi, pastërti dhe ndotje, e bukur dhe e shëmtuar, shëndet dhe sëmundje, etj.
    Jeta nuk do të ishte e qëndrueshme, universi nuk do të ishte i rregullt dhe shenjat e Zotit nuk do të realizoheshin në mënyrë të përkryer nëse nuk do të ekzistonte kjo shumëllojshmëri.

E mira nuk ekziston në këtë botë pa të keqen. Kush kërkon një jetë pa të keqe, po kërkon një jetë tjetër nga ajo që ka krijuar Zoti.

Ndër fjalët e bukura të Imam Ibën Kajimit në librin e tij: “Rruga e dy migrimeve”, si përgjigje për ata që pyesin nëse është e mundur të ekzistojë vetëm e mira pa të keqen:

“Kjo pyetje është si të thuash: A nuk mund të ishte shiu pa përmbytje, pengesa dhe dëme?

A nuk mund të ishte dielli pa vapë e dëm?

A nuk mund të ishte krijimi i kafshëve pa dhimbje, vdekje dhe të ngjashme?

A nuk mund të ishte lindja pa dhimbjet e shtatzëni dhe lindjes?

A nuk mund të ishte trupi i njeriut pa dhimbje e sëmundje?

A nuk mund të ishin stinët pa acar vdekjeprurës apo vapë të padurueshme?
A ka ndonjë njeri i arsyeshëm që do ta pranonte këtë pyetje?!”

  1. Nuk ka në ekzistencë të keqe të pastër, pa asnjë dobi. E keqja është relative dhe në të ka dobi, qoftë e pakët apo e shumtë ajo dobi.

Allahu nuk cakton ndonjë të keqe që është vetëm dëm i pastër – kjo bie ndesh me urtësinë dhe përsosmërinë e Tij.

Allahu thotë:

“Ndoshta ju e urreni një gjë, ndërsa Allahu në të sjell shumë të mira.”
(Sureja Nisa: 19)

“Ndoshta ju urreni diçka, por ajo është në të mirë për ju.”
(Sureja Bekare: 216)

Një dëshmi për këtë është vetë kjo luftë. Edhe pse në të ka shumë fatkeqësi dhe dhimbje, por ne në të pamë aq momnte të mëshirës dhe ndihmës së Zotit, gjëra që s’mund të përshkruhen dhe u zbuluan shumë të vërteta, të cilat ndryshe edhe nuk do të dilnin në pah.

Ndodhën të mira të mëdha të cilat askush nuk mund t’i mohojë.

Po e them këtë si një qëndrim i pavarur – pa e mbështetur apo kundërshtuar luftën – sepse këtu s’po flasim për mbështetje apo qëndrim politik.

  1. Shumica e të këqijave në botë vijnë nga vetë veprat e njeriut, me dëshirën dhe zgjedhjen e tij.

Zoti i krijoi njerëzit dhe u dha vullnet dhe fuqi për të vepruar. Prandaj veprat u atribuohen atyre, edhe pse ndodhin me caktimin e Tij. Është e nevojshme të dihet kjo gjë për të pasur përgjegjësi dhe zgjedhje individi– sepse ai që detyrohet, nuk mund të ngarkohet me përgjegjësi, dhe veprat nuk mund t’i atribuohen atij.

Nga të këqijat që shkakton njeriu, dalin dobi të shumta: dallohen miqtë e Zotit nga miqtë e djallit, dhe arrihen shumë adhurime që nuk mund të arrihen ndryshe.

Do të mjaftohem me kaq.

Fjalët për këtë temë janë të shumta dhe të gjera, siç u përmend më herët. Kam përfituar këtu nga ajo që ka shkruar sheiku Sultan el-Umejri në “Koment mbi el-Vasitijjeh” (faqe 189–208), një libër shumë i dobishëm. Po ashtu kam parë dhe lexuar edhe fjalë të dijetarëve tjerë sipas mundësisë dhe frymëzimit që kemi në këtë gjendje në të cilën ndodhemi. Falënderimi i qoftë Allahut për gjithçka që ka caktuar, dhe e lusim Atë për çlirim dhe mirësi.

Bessam ibn Halil es-Safdi

E hënë, 12 Muharrem 1447

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit