11.3 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Lufta Civile në Lusën u nxit nga një këngë partizane

Më të lexuarat

Tri ditët e luftës civile në Kukës ku mbetën të vrarë 39 vetë prej dy palëve: partizanëve të Brigadës së 5-të dhe banorëve të Lusnës dhe të krahinës së Lumës

Nga Petrit Palushi*

1.Duket krejt e pabesueshme dhe gati – gati rrëfim surreal, që një konflikt i armatosur me nisë për shkakun e një kënge provokuese të partizanëve të Brigadës së 5-të dhe ndoshta, të paktën n’Europë mund të jetë i vetmi rast i tillë.

Zakonisht, luftën civile e shohim të përmasave të mëdha, si ajo e Spanjës, për shembull, të korrikut të 1936-s deri në prill të 1939-s, ku n’atë shkundullimë përplasjesh u vranë afër 1 milion vetë. Dihen tashmë motivet e ballafaqimit.

Por, ja në Lusën, në një katund të vogël të Shqipnisë, në shtator të 1944-s ndodhi një luftë civile në një kohë të shkurtër: vetëm në tri ditë.  Kjo është dëshmia tronditëse e historisë. At’herë, ç’mund ta quajmë atë përplasje, përveçse luftë civile? Çdo emër tjetër që mund t’i venë historianët e shoh veçse si shmangie prej thelbit të së vërtetës.

Jo veç në Lusën, por edhe në katunde të tjera t’afërta e të largëta me të. Ndërmjet partizanëve të Brigadës së 5-të dhe banorëve të Lusnës, por dhe të disa katundeve të tjera. Një sagë e madhe vrasjesh. Mbetën të vrarë 39 vetë dhe shumë të plagosur prej dy palëve.

Në mëngjesin e 19 shtatorit të 1944-s banorë të Lusnës (Krahina e Lumës), të gjithë të besimit musliman po falnin Bajramin e Madh brenda në xhaminë e katundit, ndërsa përjashta n’oborr një grup partizanësh të Brigadës së 5-të partizane hidhnin valle dhe e shoqëronin me këngë.
Banorët ndalin t’falmen e dalin vrik n’oborr, ndërsa partizanët risht vazhdojnë të kërcejnë e të këndojnë një këngë, që banorëve të katundit u ngjau tej-e-përtej e rëndë dhe me fjalë fyese, jo veç për katundin e tyre, por edhe për Krahinën e Lumës në tanësinë e vet.
Ç’po ndodhte ashtu?
Ç’ishte ajo fyerje e papritshme e partizanëve, të cilët banorët e katundit po i mbanin me strehë e me bukë qyshprej dy javësh dhe mu n’atë mëngjes dolën heret prej shpive e staneve të tyre?
Ç’ishte ajo këngë ashtusoj, që erdhi aq rrëmisht?
Afërmendsh, një këngë e zezë, me fjalë t’ashpra e cinike njikohësisht.
Vargjet e saj nxitën zemërimin e paskaj banorëve dhe në një formë a tjetrën, ato vargje sikur bënin thirrje për një përballje t’ashpër ndërmjet partizanëve dhe banorëve të katundit.
Aq më tepër kur përmbyllej me fjalët, që shfaqnin tashmë haptas mosbesimin ndaj Zotit bash në ditën e shenjtë të Bajramit të Madh:

“Pse faleni, more t’uruar
Zot nuk ka për të besuar
Mor, të gjorë e të mashtruar”.

Të nesërmen nisi përballja me armë dhe deri në fund të ditës së tretë kur përfundoi mbetën të vrarë 39 vetë prej dy palëve: partizanëve të Br. 5-të dhe banorëve të Lusnës dhe të zonës.

Sipas Prof. Zekeria Cana: “Fjalë e këngës fort cinike, fort t’idhta. Përbuzje e skajshme për ata banorë të vuajtur, në shtëpijat e të cilëve partizanët bënë konak se s’mund të rrinin tjetërkund, përveçse aty, te shpijat e katundarëve. Nuk shkon kështu, nuk bën, është krejt e papranueshme, jashtë çdo logjike. Aq më tepër kur banorët shaheshin edhe kah nëna. Logjika e ftohtë njerëzore s’e pranon kurrë këtë dhe s’ka si ta pranojë. Është tepër rënduese në aspektin psikologjik. Prandaj në raste të tilla lindin revolta” (Nga biseda e autorit të këtyre radhëve me Prof. Zekeria Cana, Kukës – 18 tetor 1997)

2.
E martë, 19 shtator 1944. Mëngjes.

Kënga që kënduan një grup partizanësh të Brigadës së Pestë, tek hidhnin valle mu te oborri i xhamisë:

“Hidhe, hidhe Mine këmbën

Kësaj Lumës ia q… tëmën.

 

Mori Lumë, Lumë e keqe

Pse s’i bëre dy teneqe…

 

Ti moj Lusnë leqe – leqe

Nuk i zbraze dy dyfeqe.

 

Pse faleni, more t’uruar

Zot nuk ka për të besuar.

Mor, të gjorë e të mashtruar”.

(Dëshmi e banorëve të katundit, por shih edhe: J. Gjana – Z. Peposhi “Lusna e përgjakur – pika kulmore e luftës civile në Krahinën e Lumës” në librin e Zenel Ali Peposhit “Çiftelia e Lumës”, Tiranë 2008, f.394)

 

3. Si dhjetë ditë më parë (10 shtator 1944), ndodhi prapakrahëza në Gostil kur partizanë të Br. 5-të me urdhër të shtabit të kësaj brigade u rrekën të vrisnin nacionalistin e njohur të Lumës, Muharrem Bajraktarin, i cili ndodhej në frontin e luftës antigjermane. M. Bajraktari, me shmangë konfliktin në vijimësi shpërndau forcat e veta, ndërsa Br. 5-të vazhdoi udhëtimin agresiv nëpër katunde të Lumës.
Një ditë mbas përfundimit të konfliktit në Lusën e katunde të tjera, komandanti i Br. 5-të, Sh. Peçi, mbas një gjyqi të sajuar aty për aty urdhëroi pushkatimin e Llazar Fundos. Fundon, mbasi e arrestuan në Malin Dobrej të Malsisë së Gjakovës e sollën të lidhur në Kolesjan të Lumës. Natyrisht që Sh. Peçi me krejt këndellje do zbatonte urdhrin e E. Hoxhës, sepse dy ditë më parë, ai i nisi radiogramin për torturimin deri në vdekje dhe më pas pushkatimin e Fundos.

Po atë ditë partizanë të Br. së 5-të dogjën 25 shtëpi dhe 9 stane të banorëve  të katundit.
Me 26 shtator 1944, aty kah mesdita me urdhër po të Sh. Peçit dhe në prani të tij pushkatohen në Krue të Bardhë 21 banorë të pafajshëm të katundit Buzëmadhe, siç do pushkatoheshin dy ditë më vonë edhe në Novosej, mu te Muri i Mejtepit 4 banorë të pafajshëm t’atij katundi.
Ngjarjen në Lusën dhe të tjera në vjeshtën dramatike të 1944-s në zonën e Lumës, Sh. Peçi dhe drejtues të shtabit të Br. 5-të u përpoqën t’i futnin në shtjella të heshtjes, por njikohësisht dhe të përnjimendat t’i tjetërsonin.
Në të njëjtën hulli edhe historiografia komuniste e kohës.
Nga ana tjetër, banorët e Lusnës dhe të zonës së Lumës asnjëherë s’mbetën harrestarë për atë që ndodhi.
Asokohe, ashtu nën zë, por dhe haptas rrëfenin dhe një gjë e tillë përcillej prej breznisë në brezni.
Pas shkërmoqjes së sistemit komunist nisi me u shpalue rrëfimi i plotë, pa edhe mungesën më të vogël. Ia vlen të thuhet se edhe një fëmijë 15 vjeç i rrëfente ngjarjet njëjtë sikur të kish qenë vetë pjesëtar në to.
Një rrëfim i tillë, por dhe çelja e të dhënave arkivore që kishin qenë të ndryme sikur lëshuan një shkundullimë mbi interpretimet e deriatëhershme të historiografisë zyrtare të regjimit komunist.
Në anën tjetër, ne rrëfimet e disa prej ish – partizanëve të Br. 5-të, shprehej keqardhje për atë që ndodhi, por për shkak të ndrydhjes ideologjike veprimet e Sh. Peçit shiheshin si të kryera në çaste gjaknxehtësie. Një përpjekje e kësillojtë, qe përpjekja më e keqe me vogëlue e anashkalue të përnjimendat e çështjes. Sh. Peçi zbatoi pikë për pikë dhe me zell të tepërt udhëzimet e Partisë Komuniste dhe të kreut të saj (E. Hoxha) me zhdukë sa të mundnin të gjithë kundërshtarët e tyre politikë.
Prandaj, deri në ditën e vdekjes mbeti i papendueshëm dhe pa kurrfarë reflektimi.

 

4.Besimtarët e katundit faleshin në xhami, ndërsa partizanët hidhnin valle dhe e shoqëronin me këngë dhe, pas secilit varg kënga shoqërohejme iso. Në krye të valles printe Minja, një partizane e hijshme, as 17 vjeçe.

Partizanët krejt fytyrëçeltë, por me plot urrejtje dhe cinizëm të shpluem njëkohësisht ndaj banorëve, të cilët i kishin strehue në banesat e tyre prej dyjavësh a ma tepër.

Ngjanin si fitimtarë në fytyrat e tyre të çelta, por ajo çeltësi fytyre nuk ua fshihte të nëdheshmen e pashplueme.

 

“Hidhe, hidhe Mine këmbën

Kësaj Lumës ia q… tëmën”.

 

Vargu i parë i këngës përqendron vëmendjen te Minja, partizanja që i printe valles.

Deri këtu gjithçka qetë dhe sikur e fton çdokënd të kundrojë një valle të zakonshme të trevave të Jugut.

Vargu i dytë “Kësaj Lumës ia q… tëmën”, përmbys gjithçka, e shformëson dhe e rrafshon vallen e këngën njëkohësisht.

Një krahinë e tërë, me idhti dhe helmësi të paskajme shahet në kor edhe nga nana, krejt e papërfytyrueshme nga banorët e katundit.

Do me thënë: “Ne jemi partizanë të Brigadës së 5-të, erdhëm në zonën tuaj dhe kemi të drejtë të bëjmë çdo gjë. Ne jemi pushtues, por pushtues të një kodi të ri, që as u shkon ndërmend. Edhe u nënshtrojmë, edhe u përbuzim, edhe u shajmë nga ajo gjë që ju e keni gjënë më të shtrenjtë: nënën. Ne jemi në të drejtën tonë se jemi fitimtarë dhe fitimtarët i rrënojnë të mundurit”.

 

“Mori Lumë, Lumë e keqe

Pse s’i bëre dy teneqe…”.

 

Risht ose një rimarrje e psikologjisë së përbuzjes dhe ofendimit.

Krahina, një pjesë e katundeve të saj që strehonin ato ditë partizanët, cilësohet si “Lumë e keqe”.

Në anën tjetër, tek vargu:

 

“Pse s’i bëre dy teneqe…”,

 

Një thirrje alarmuese brenda psikologjisë së vrazhdë të luftës.

Njëfarësoj, pak a shumë kësisoj: “Formacioni ynë partizan erdhi në katundet tuaja të kësaj Lume të keqe, por ju u mashtruat. Asnjë qëndresë, asnjë përballje me ne. Asnjë shkrepje pushke a diçka të përafërt”.

 

“Ti moj Lusnë leqe – leqe

Nuk i zbraze dy dyfeqe”.

 

Vargjet zhvendosin vëmëndjen nga Krahina te katundi i saj Lusna, mu aty ku po këndoheshin ato vargje.

Të ngjan se kemi të bëjmë me përshkrim racional të katundit malor me vështirësi jetese (“Ti moj Lusnë leqe – leqe), megjithatë gjithçka futet në shtjella të përbuzjes e përçmimit.

Në vargun vijues:

 

“Nuk i zbraze dy dyfeqe”,

 

Tashmë psikologjia nënshtrues zhvendoset prej Krahinës së Lumës te një katund i saj (Lusna).

Njëjtë, pak a shumë kështu: “Mirë Krahina e Lumës, por as katundi juaj nuk reagoi kur ne e pushtuam katundin tuaj. Jeni të pazotë, as dy dyfeqe s’i shkrehët”.

 

Pse faleni, more t’uruar

Zot nuk ka për të besuar.

Mor, të gjorë e të mashtruar”.

 

Tre vargjet e fundit sikur qenë mbuloja e vrazhdë e asaj kënge.

Ndërsa banorët faleshin në xhami, mu në ditën e Bajramit të Madh, partizanët i vërsulen edhe Zotit.

Pra, sikur u thonin shkoqas banorëve të kandundit se ata po faleshin, por ish diçka e tepërt, krejt e jashtëkohshme, se Zot nuk kishte dhe ata ishin të mashtruar prej një gjëje të paqenë.

Si nëntë vjet e gjysmë a më herët (4 mars 1935) kur po këndohej ajo këngë, pikërisht n’atë katund leu Reshat Bardhi.

Aty kah mosha 8 vjeçare mori mësimet e para fetare te hoxha dhe më pas kreu shkollimin e domosdoshëm.

Ata që e njohën lusjanin Reshat Bardhi thonë se ishte paqësor si dita më e paqtë e vitit.

Por, ia vlen të besosh se vargjet e asaj kënge të partizanëve në 19 shtator të 1944-s kundër Zotit qenë një formë mallkimi kundër besimtarëve të katundit, por edhe kundër 9-vjeçarit Reshat Bardhi, i cili më vonë do vazhdonte me mjaft vuajtje udhëtimin e vet fetar. Në vitin 1954 kaloi dervish te Kryegjyshi botëror i kohës Dedë Ahmeti, por fati i mbrapshtë i ndoqi të dy se në vitet 1958 – 1967 u internuan në Drizar të Mallakastrës.

S’qe e rastësishme, që në vitin 1991 me ndihmën e Paqësores dhe vullnetmirës Nanë Tereza, Reshat Bardhi rihapi Kryegjyshatën Botërore Bektashiane dhe në Korrik të 1993-it shpallet Kryegjysh Botëror i Bektashinjve.

 

5.Shtëpitë dhe stanet e djeguna në katundin Lusën prej partizanëve të Br. së 5-të. Operacioni u krye mbas përfundimit të luftës civile dhe zgjati 2 ditë: 23 – 24 shtator 1944. 

(Materiali arkivor: Arkivi i Këshillit të rrethit Kukës, Dosja nr. 77, viti 1945, f. 10 – 11)

Të zotët e shtëpive:

  1. Hakik Dervishi
  2. Shaban Dervishi
  3. Ramë Veliu
  4. Nebi Veliu
  5. Hysen Xhepa
  6. Kamber Aliu
  7. Misin Ahmeti
  8. Islam Hyseni
  9. Liman Peposhi (Hyseni)
  10. Mehmet Myftari
  11. Hamit Destani
  12. Osman Shahini
  13. Sinan Hyseni
  14. Nebi Jashari
  15. Myslim Dalipi
  16. Zenel Halili
  17. Rrahman Fasliu
  18. Sabri Dauti
  19. Hafuz Rexhepi
  20. Myslim Veseli
  21. Riza Halili
  22. Bajram Rama
  23. Xhemali Baftjari
  24. Sali Sinani
  25. Abdi Destani

Në këtë katund janë djegë edhe 9 (nandë) stane verore

*Pjesë nga libri i ri i autorit. Vijon nesër…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit