Bismil-lahir-Rahmanir-Rahim
Ky udhëzues është për atë që do ta lërë, por nuk di nga t’ia fillojë.
Për atë që është ngatërruar, por po kërkon një dorë shpëtimi.
Për atë që e kupton se bixhozi nuk është lojë, por kurth i shejtanit dhe i sistemit që jeton duke marrë gjakun e njerëzve.
Sepse duhet thënë hapur:
Lojërat e fatit nuk janë krijuar që ti të fitosh.
Ato janë krijuar që të humbësh.
Prandaj ekzistojnë.
Prandaj nuk mbyllen.
Prandaj shtohen çdo ditë.
Janë themeluar për të zhveshur njerëzit, jo për t’i pasuruar.
Dhe më keq akoma:
Shumë prej tyre shërbejnë për pastrimin e parave të pista, prandaj sistemi i mbron dhe i lejon, jo sepse janë të dobishme, por sepse dikush fiton mbi kurriz të të varfërve.
E duke qenë se janë një sistem djallëzor, dalja prej tyre kërkon rrugën e saktë dhe këtu janë hapat e plotë pa lënë asgjë mangut.
Çfarë thotë Allahu për lojërat e fatit?
Allahu i Lartësuar i quan:
“Ndyrësi dhe prej veprave të shejtanit.”
“O besimtarë! Alkooli, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e shortit janë ndyra dhe prej veprave të shejtanit. Pra, largohuni prej tyre që të shpëtoni.”
(El-Maide, 90)
Po ashtu thotë:
“Shejtani dëshiron që përmes alkoolit dhe bixhozit t’ju sjellë armiqësi mes jush dhe t’ju largojë nga përmendja e Allahut dhe namazi.”
(El-Maide, 91)
Këto, në realitet, nuk janë lojëra por gracka.
Pse bixhozi është thirrje nga shejtani?
Sepse ai i mashtron me premtime të rreme:
“edhe një herë, pastaj ndal…”
“sot do t’i kthej humbjet…”
“fati është afër…”
“më doli gati…”
Këto janë pëshpëritjet e shejtanit, e jo të logjikës, ngase këto pëshpëritje i ke me vite megjithatë gjendja është e njëjtë, madje dhe më e shëmtuar.
Pra, shejtani nuk të shtyn për të fituar të shtyn të humbësh jetën, paratë, moralin, familjen dhe imanin.
Dëmet shkatërruese që sjell bixhozi
Bixhozi nuk prish vetëm xhepin ai prish njeriun.
borxhe, varfëri, humbje pasurie depresion, frikë, panik, vetmi prishje martese, dhunë familjare izolim shoqëror humbje pune, humbje respekti gënjeshtra, mashtrime, vjedhje largim nga namazi dhe nënshtrim ndaj shejtanit
Askush nuk del i fituar.
Të gjithë humbin.
Përveç sistemit që jeton nga humbja jote.
” Për të gjithë ata që kërkojnë të shpëtojnë nga kurthet e shejtanit, këta janë hapat e sigurt që largojnë njeriun nga lojërat e fatit dhe nga mashtrimet e tij.”
1. Hapi i parë – Pendimi i sinqertë dhe ndalimi i menjëhershëm
Pendimi është porta e shpëtimit.
Ai duhet të jetë:
i menjëhershëm — jo nesër;
i sinqertë — me zemër;
i prerë — pa kthim;
i përulur — duke kërkuar falje nga Allahu.
Mos e lë derën hapur.
Nëse lë pak hapësirë, shejtani e bën portë.
2. Hapi i dytë – Ndrysho ambientin dhe shoqërinë
Profeti ﷺ ka thënë:
“Njeriu është në fenë e shokut të tij.”
Nëse rri me ata që luajnë bie prapë.
Nëse rri me të devotshmit Allahu të forcon.
Largoju vendeve ku ke luajtur, lokaleve të basteve, shoqërive që të nxisin.
3. Hapi i tretë – Shkëputja nga çdo shkaktar
Kjo është jetike:
fshi aplikacionet;
blloko faqet ku ke hyrë;
mos futu më as për “kuriozitet”;
mos mbaj para tepër;
shmang bisedat rreth basteve;
largo numrat që të nxisin.
Kjo është armë ndaj shejtanit mbylli të gjitha portat që të ka hyrë.
4. Hapi i katërt – Namazi
Namazi është shërimi më i madh për shpirtin dhe vullnetin.
Allahu thotë:
“Namazi të ndalon nga të këqijat dhe shthurja.”
Kur njeriu falet rregullisht, zbehet fuqia e shejtanit dhe rritet fuqia e moralit.
Mos e humb asnjë namaz dhe me xhemat nëse mundesh.
5. Hapi i pestë – Zëvendësimi i vesit
Njeriu nuk largohet nga një ves derisa ta zëvendësojë me një të mirë.
Zgjidh diçka:
sport
punë fizike
punë vullnetare
dije fetare
lexim
angazhim në projekte pune
zanate të vogla
Truri i zënë nuk ka kohë për mëkat.
6. Hapi i gjashtë – Disiplinë në para
Bixhozi vdes kur nuk ka ushqim.
Ushqimi i tij është para e lirë, para e tepërt, borxh.
mos huazo më;
mos mbaj para shumë me vete;
kurse çdo ditë pak;
paguaj borxhet;
mos u mashtro me “po i kthej me një biletë”.
Ai është mashtrim i shejtanit.
7. Hapi i shtatë – Mbështetje tek njerëzit e mirë
Askush nuk shpëton vetëm.
Kërko:
një hoxhë të urtë
një vëlla të devotshëm
një shok të matur
një njeri që të ndihmon, jo të shtyn
Kjo rrit fuqinë dhe stabilitetin.
8. Hapi i tetë – Sadaka
Sadakaja shuan ndikimin e shejtanit.
Allahu thotë:
“Shejtani ju frikëson me varfëri…”
Sadakaja e thyen këtë frikë, hap bereqetin, pastron zemrën, të jep dritë dhe mbarësi.
Bëje zakon.
9. Hapi i nëntë – Kërko ndihmë nga Allahu dhe bëj shumë istigfar
Lutu sinqerisht që Allahu ta largojë këtë ves nga zemra jote.
Bëj istigfar shpesh.
Allahu i do ata që pendohen dhe pastrohen.
10. Hapi i dhjetë – Dua e vazhdueshme
Bëj shumë dua dhe lutu nga zemra.
Lutu që Allahu ta bëjë këtë mëkat të urryer në zemrën tënde, dhe ta bëjë hallallin të dashur.
Lutu që ta lehtësojë largimin nga ky ves dhe të forcojë në rrugën e drejtë.
Allahu i do ata që kërkojnë, këmbëngulin dhe luten.
Rruga e Shpëtimit është e Qartë
Kjo rrugë është për këdo që sinqerisht dëshiron:
të shpëtojë prej shejtanit
të çlirohet prej varësisë
të rikthejë dinjitetin dhe qetësinë
të rregullojë ekonominë
të forcojë imanin
të hapë një faqe të re në jetë
Dhe me ndihmën e Allahut,
kush i përmbahet këtyre hapave shpëton.
Asnjë njeri nuk është i humbur për sa kohë troket në derën e Allahut.
Hoxhë Sadullah Bajrami
