Lobi izraelit në Evropë: rrjeti i ndikimit dhe gjeopolitika e heshtjes

Më të lexuarat

Dhjetëra eurodeputetë kanë përfituar udhëtime luksoze të paguara, në këmbim të mbylljes së gojës për gjenocidin në Gaza

Hetimi i fundit gazetaresk i gazertarit italian të RAI-it, Giorgio Mottola, në dokumentarin me titull “Questione di lobby” (Çështje lobimi), hedh dritë mbi një sistem të ndërlikuar marrëdhëniesh, financimesh dhe misionesh që kanë formësuar qëndrimin e Bashkimit Evropian ndaj Izraelit dhe konfliktit në Gazë.

Sipas raportit, reagimi i vakët evropian ndaj krizës humanitare nuk është rastësi, por produkt i një presioni sistematik mbi vendimmarrësit në Bruksel. Në qendër të këtij sistemi qëndrojnë organizata si “Koalicioni Evropian për Izraelin” dhe “Instituti Transatlantik”.

Ky i fundit, i lidhur me Komitetin Hebraik Amerikan, ka investuar miliona dollarë për të depërtuar në institucionet evropiane. Hetimi zbulon një praktikë shqetësuese: profilizimin e eurodeputetëve bazuar në votat e tyre, duke krijuar një lloj “klasifikimi” të besnikërisë politike ndaj Izraelit.

Një rol kyç luajnë edhe “Miqtë Transatlantikë të Izraelit”, një rrjet që përfshin mbi 230 eurodeputetë, mes të cilëve shumë emra të njohur të politikës italiane. Ky ndikim shtrihet përmes “diplomacisë së udhëtimeve”.

Gjatë legjislaturës së fundit, dhjetëra eurodeputetë kanë përfituar udhëtime luksoze të paguara tërësisht nga grupet e lobimit, duke krijuar një solidaritet në rrjet që shpesh tejkalon detyrën institucionale.

Investigimi vë në dukje edhe një kontradiktë të dukshme morale. Ndërsa në vitin 2022 sulmet ruse mbi infrastrukturën civile ukrainase u dënuan ashpër si krime lufte, një gjuhë e tillë është shmangur në rastin e Gazës.

Dhe ky “selektivitet” shpjegohet me ndërthurjen e interesave politike me ato ekonomike. Përmes programeve si “Horizon 2020”, miliarda euro fonde evropiane kanë shkuar për universitete dhe kompani izraelite të mbrojtjes si Elbit Systems dhe Israel Aerospace Industries.

Edhe pse fondet supozohet të jenë për përdorim civil, teknologjitë e zhvilluara – si sistemet e dronëve – kanë natyrë të dyfishtë dhe përdoren rregullisht në operacionet ushtarake në territoret e pushtuara.

Ndikimi i Izraelit ka prekur deri edhe menaxhimin e kufijve evropianë përmes agjencisë Frontex. Përdorimi i dronëve izraelitë në Mesdhe, ka ndryshuar natyrën e kontrollit kufitar.

Ndryshe nga anijet, dronët mund të mbikëqyrin por s’mund të shpëtojnë dot jetë njerëzish. Ky shndërrim i teknologjisë ushtarake në një mjet për kontrollin e migracionit, tregon se si bashkëpunimi industrial ka pasoja të drejtpërdrejta në politikat humanitare të BE-së.

Hetimi i Mottola-s argumenton se marrëdhënia Evropë-Izrael nuk është thjesht diplomatike, por një nyje strukturore pushteti.

Mungesa e transparencës në financimin e lobit dhe përfshirja e thellë e politikanëve evropianë në këto rrjete, kanë krijuar një mjedis ku kritika ndaj veprimeve të Izraelit bëhet gjithnjë e më e vështirë, duke e minuar lirinë e debatit publik dhe integritetin e institucioneve demokratike evropiane. /tesheshi.com/

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit