12.5 C
Pristina
Thursday, February 29, 2024

Lexo çfarë tha Alphonse de Lamartine për Profetin Muhammed (Alejhi Selam)!

Më të lexuarat

Gjatë kohës së Kryqëzatave qenë trilluar shpifje të llojllojshme kundër pejgamberit Muhammed alejhisselam. Mirëpo, me ardhjen e kohës moderne që karakterizohet me tolerancë fetare dhe liri të mendimit, u bë një afrim i madh në skicimin e jetës dhe të karakterit të tij nga autorët perëndimorë. Pikëpamjet e disa dijetarëve jomuslimanë për Muhammedin, të paraqitura kohëve të fundit, e vërtetojnë këtë mendim.

Mirëpo, Perëndimi duhet të bëjë edhe një hap përpara, për zbulimin e realitetit të mirëfilltë se Muhammedi është pejgamberi i fundit dhe i vërtetë i Perëndisë për tërë njerëzimin. Përkundër objektivitetit të informimit të mirë, Perëndimi nuk është përpjekur ta kuptojë sinqerisht dhe objektivisht pejgamberinë e Muhammedit alejhisselam. Habit fakti që për integritetin dhe të arriturat e tij janë dhënë lavdata të shumta, mirëpo kërkesa e tij për ta njohur si pejgamber është refuzuar në mënyrë eksplicite apo implicite. Për këtë arsye, duhet të bëhet revidimi i të ashtuquajturit objektivitet. Në vazhdim po japim disa të dhëna nga jeta e Muhammedit alejhisselam, për të mundësuar një përfundim pa paragjykime, logjik e objektiv lidhur me pejgamberinë e tij.

Deri në moshën dyzetvjeçare Muhammedi nuk njihej si shtetar, predikues apo si orator. Atë asnjëherë nuk e kishin parë duke folur për parimet e metafizikës, etikës, drejtësisë, politikës, ekonomisë apo të sociologjisë. Pa mëdyshje, ai kishte një karakter të shkëlqyer, veti mahnitëse dhe kulturë të lartë. Megjithatë, në të nuk kishte ende asgjë thelbësore dhe të jashtëzakonshme, për të pritur në të ardhmen ndonjë vepër të madhe dhe revolucionare nga ai. Mirëpo, kur doli nga Shpella (Hira) me porosi të re, ai ishte plotësisht i transformuar. A është e mundur që një njeri me tipare të këtilla përnjëherë të shndërrohet në “mashtrues”, të kërkojë të jetë “pejgamber i All-llahut dhe të shkaktojë zemërimin e popullit të vet?” Dikush do të bënte pyetje: për ç’arsye të gjitha ato mundime? Populli ishte i gatshëm ta pranojë si mbret të vetin dhe t’ia shtrojë para këmbëve të gjitha pasuritë e vendit, me të vetmin kusht që ta braktisë predikimin e fesë së tij. Mirëpo, ai i refuzoi të gjitha këto oferta joshëse dhe vazhdoi ta predikojë fenë e tij, duke u ballafaquar me përbuzje të llojllojshme, me bojkot shoqëror e madje edhe me sulme fizike nga populli i vet. A nuk qe në pyetje vetëm përkrahja e Perëndisë, dëshira e tij e ngulmët për përhapjen e porosisë së All-llahut dhe besimi i rrënjosur thellë në të se Islami do të paraqitet si rrugë e vetme e jetës së njeriut, që qëndroi si shkëmb përballë të gjithë kundërshtarëve dhe komplotistëve për zhdukjen e tij? Aq më tepër, po të paraqitej me rivalitet të paramenduar me të krishterët dhe hebrenjtë, me çfarë arsye do të besonte në Isaun (Jezu Krishtin), Musaun (Mojsiun) dhe në pejgam­berët e tjerë të Perëndisë (paqja mbi ta), kusht ky themelor i besimit pa të cilin askush nuk mund të jetë musliman?

A nuk është dëshmi e pamohueshme e pejgamberisë së tij ajo që përkundër faktit se ishte i pashkolluar dhe bëri jetë plotësisht normale e të qetë dyzet vjet, kur filloi ta predikojë porosinë e tij e tërë Arabia habitej dhe e respektonte thellë e mahnitej me elokuencën dhe oratorinë e shkëlqyer të tij? Ishte aq i pakrahasueshëm saqë një legjion i tërë poetësh arabë, predikuesish dhe oratorë të kalibrit më të lartë nuk ia dolën të krijojnë një të ngjashëm me të. E mbi të gjitha, si mund t’i shqiptonte të vërtetat e natyrës shkencore që gjendeshin në Kur’an, të cilat asokohe askush nuk i kishte zhvilluar ende?

Dhe së fundi, pse bëri jetë të vështirë edhe pas arritjes së fuqisë dhe autoritetit? T’i kujtojmë fjalët që i shqiptoi para vdekjes: “Ne pejgamberët nuk kemi trashëgimtarë. Çdo gjë që lëmë pas është dashuria ndaj Perëndisë”.

Në të vërtetë, Muhammedi alejhisselam është hallka e fundit e zinxhirit të të dërguarve, të dërguar në vende e në kohë të ndryshme që nga zanafilla e jetës së njeriut në këtë planetë.

“Nëse madhështia e qëllimit, mjetet e vogla dhe rezultatet e pabesueshme janë tre kriteret e gjeniut njerëzor, atëherë kush guxon ta krahasojë ndonjë personalitet të madh nga historia moderne me Muhammedin? Njerëzit më të famshëm krijuan vetëm armë, ligje dhe mbretëri. Ata s’krijuan asgjë më tepër se fuqi materiale, të cilat shpesh shpartalloheshin para syve të tyre. Ky njeri lëkundi jo vetëm armata, legjislacione, mbretëri, popuj e dinasti, por edhe miliona njerëz të një të tretës së popullsisë së atëhershme të botës, e për më tepër, ai lëkundi altarë, perëndi, fe, ide, besime dhe shpirtra… maturia e tij gjatë fitoreve, ambicia e tij e cila në tërësi i kushtohej një ideje e kurrsesi krijimit të një mbretërie; lutjet e tij të pambarim, bisedat mistike me Perëndinë, vdekja dhe triumfi i tij pas vdekjes; të gjitha këto dëshmojnë jo për mashtrim por për bindje të fortë që i dha fuqi për të restauruar një dogmë. Kjo dogmë ishte dyshtresore: Bashkimi i Perëndisë dhe jomaterialiteti i Perëndisë; e para, për të treguar ç’është Perëndia, kurse e dyta, çka nuk është Perëndia; njëra duke mënjanuar perënditë e rreme me shpatë, kurse tjetra duke filluar një ide me fjalë.

Lamartine, Histoire de la Turquie, Paris, 1854, vol. II. pp. 276-277.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit