22.8 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Lëvizja BESA: E dënojmë gjuhën antiperëndimore të Gruevskit dhe bëjmë thirrje për qetësi

Më të lexuarat

Lëvizja Besa ka reaguar pas thirrjeve të djeshme ultranacionaliste dhe antiperëndimore përballë KSHZ-së nga kryetari i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski.

Sipas tyre, kjo retorikë dëshmon edhe orientimin më të saktë politik të VMRO DPMNE-së si parti, por edhe të qeverisë që ai ka drejtuar bashkë me BDI-në.

“Partia e njeriut që qeverisi deri më tani, i prirë nga politika diskriminuese dhe përjashtuese ndaj shqiptarëve, me gjuhën e përdorur ndaj ambasadorëve të shteteve mike, siç është gjuha e përdorur ndaj ambasadorëve të SHBA-ve dhe të BE-së, dëshmon se Nikolla Gruevski është orientuar në politika që më së paku kanë për qëllim të ardhmen e ndritur të qytetarëve dhe perspektivën e tyre euroatlantike”, thuhet në reagim.

Lëvizja BESA e dënon ashpër vokabularin e përdorur të Gruevskit, duke gjykuar se ajo gjuhë e shpie shtetin në fragmentime mbi vija etnike, sepse shqiptarët e Maqedonisë nuk do të lejojnë në asnjë mënyrë që ndonjë politikan i papërgjegjshëm, siç është ai, t’i shkëpusë nga agjenda euro-atlantike.

“Prandaj, ai duhet ta dijë se, nëse dëshiron të kultivojë një agjendë tjetër, atje mund të shkojë vetëm me Ali Ahmetin, por jo edhe me shqiptarët e Maqedonisë”, porosisin nga Lëvizja Besa.

“Me këtë rast, kur këto ditë në Shkup janë paraqitur në skenë përsëri piromanët e vitit 1999, Lëvizja BESA u bën thirrje të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë që të jenë të kujdesshëm dhe mos të lejojnë që dikush t’i përdorë shqiptarët si mish për top për agjendat e tyre. Qytetarët duhet ta ruajnë gjakftohtësinë, ngaqë çdo trazire eventuale i shkon për shtati Nikolla Gruevskit, shpurës së tij, si dhe vasalëve të tij shqiptarë”, mbaron reagimi i partisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit