LDK: Thaçi, Pacolli e Jahjaga ta respektojnë marrëveshjen

0
41

Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka shqyrtuar situatën e krijuar pas interpretimit nga ana e Gjykatës Kushtetuese, të propozim-neneve për reformën kushtetuese.
Lidhja Demokratike e Kosovës konsideron se marrëveshja politike e nënshkruar nga kryetari i PDK-së Hashim Thaci, kryetari i LDK-së Isa Mustafa, kryetari i AKR-së Behxhet Pacolli, “e dëshmuar nga ambasadori i SHBA-ve, Christopher Dell, dhe e pranuar si e tillë nga presidentja Jahjaga gjatë negociatave dhe në fjalimin e saj në Kuvendin e Kosovës, nuk ka të bëjë me interpretimin e Gjykatës Kushtetuese”.

“Marrëveshja politike, fjalë për fjalë, është shndërruar në një rezolutë të Kuvendit të Kosovës dhe në bazë të asaj rezolute është votuar presidentja dhe janë krijuar komisionet për reformën kushtetuese dhe zgjedhore”, thuhet në një kumtesë të LDK-së.

Lidhja Demokratike e Kosovës vlerëson se marrëveshja duhet të implementohet në tërësi, duke përfshirë edhe afatet kohore të përcaktuara nga Kuvendi Republikës së Kosovës.

“Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon nga palët nënshkruese, z. Thaci, z. Pacolli, znj. Atifete Jahjaga dhe përfaqësuesi i Qeverisë së SHBA-ve, si inicuese dhe ndërmjetësuese, që ta respektojnë marrëveshjen në tërësi, që të mund të çohen përpara reformat dhe që vendi të ketë presidentin që do të dalë nga vullneti dhe nga vota e drejtpërdrejtë e qytetarëve të Kosovës”.

Lidhja Demokratike e Kosovës thekson se respektimi i marrëveshjeve politike është normë elementare për funksionimin e jetës politike demokratike dhe të institucioneve të një vendi.

“Mosrespektimi i marrëveshjes në fjalë bën të pamundur që të arrihen marrëveshje të tjera”, thuhet në fund të kumtesës së LDK-së.kohaislame