Provoni të bëni një pushim nga rrjetet sociale. Do të habiteni kur të kuptoni se, në të vërtetë, nuk keni humbur asgjë brenda tyre, por keni humbur shumë gjëra jashtë tyre.
Ndërsa kalonit orë të tëra para ekranit, prindërit tuaj u plakën pa e ndier ju. Fëmijët tuaj u rritën mes neglizhencës suaj. Miqtë e dashur u larguan nga kjo botë, dhe ju nuk e vutë re. Mundësi të shumta ju kaluan pranë, kohë e çmuar u tret para syve tuaj – dhe ju mbetët të hutuar.
Jashtë botës virtuale ekziston një thesar i pafund: lutjet dhe përmendjet e Zotit, leximi i Kuranit, përqafimi i prindërve, kujdesi për fëmijët, përsëritja e fjalëve gjatë ezanit, istigfari në orët e para të mëngjesit, një ulje e qetë pas çdo namazi, një salavat mbi Profetin. Ka kaq shumë gjëra që presin vëmendjen tonë, dhe secila prej tyre ka një vlerë që rrjetet sociale nuk mund ta zëvendësojnë.
Dhe ndoshta duhet të ndalemi e të pyesim veten: përse platformat e rrjeteve sociale ofrohen falas? Përgjigjja është e thjeshtë: kur nuk paguan për mallin, dije se vetë ti je bërë malli.
