12.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

LAKURIQËSIA

Më të lexuarat

LAKURIQËSIA

Pa frikë mund të thuhet se ajo është një tipar dallues i shoqërisë sonë shqiptare në qytetet e mëdha e jo vetëm. Ajo ka mbytur hapësirën publike me naivitet dhe mungesë turpi. E gjendur kryesisht tek brezi i ri, ajo nuk ka lënë prapa as edhe moshat e mëdha, ku qëllimi kryesor është gjinia femër.
Lakuriqësia tashmë tregon se na ka pushtuar mendjet dhe sytë. Ka humbur çdo lloj sensi dhe është krejt pa lidhje. Tregon mungesë intiligjence dhe është nxjerrje në “pazar” e gjësë së fundit që njeriu posedon. Vulgare dhe e neveritur, lakuriqësia gjendet deri në pikën që gruaja dhe femra shqiptare, nuk ka se çfarë të heqë nga rrobat e saj të rrugës, kur shkon në shtrat për të fjetur, vetëm nëse vesh diçka më shumë. Mungesë turpi, shenjë imoraliteti në horizont dhe urë për gjynahe të kobshme. Përveçse në rrugë, me një mungesë esence dhe pa pikën e lidhjes, e gjen në TV-të shqiptare; në emisionet sportive, ku specialistët e sportit dhe sportistët legjendarë, rrinë si “nxënës diletantë”, të hutuar para spikereve gjysëm lakuriqe që drejtojnë këto emisione, ku kuptohet që ato i drejtojnë emisionet për çdo gjë tjetër, por jo se njohin sportin. Për të mos folur për emisionet ku parashikohet moti, ku spikeret ngjajnë si mall që ka dalë në shitje, ose si modele striptizmi. Nuk përjashtohen as emisionet për fëmijë, ku nuk është çudi që drejtuesja e emisionit të jetë si lakuriq nate. Spektakle dhe programe humori që nuk kanë lidhje me temën që rrahin, por vetëm fluksojnë fjalor vulgar dhe lakuriqësinë si temë humori.
Përzier kjo atmosferë, me dehjen dhe andrenalinën e lëndëve narkotike, tashmë të gjendura pothuajse haptas në hapësirën publike, krijon një festival neveritës dhe një frymë që ta humb kurajon.
Një popull që jep të kuptojë se nuk ka kuptuar asgjë nga tërmetet, pandemitë dhe shenjat frikësuese të Zotit.
Profeti jonë, Muhamedi(lëvdatat dhe bekimet e Allahut qofshin për të) thotë në hadith:
“Dy kategori prej banorëve të zjarrit, nuk i kam parë akoma..” ku kategoria e dytë janë: “Gra të veshura (si) të zhveshura, të shthurura dhe joshëse, kokat e tyre si gunga e anuar e devesë, nuk hyjnë në xhenet, e as nuk e ndjejnë erën e tij, edhe pse era tij ndjehet prej kaq e kaq larg.”(Sahih Muslimi)
Gra që vishen me rroba të tejdukshme, sa u duket gjithçka brenda, ose të ngushta në atë mënyrë që u duket forma e trupit dhe e organeve. Ose që zbulojnë një pjesë të trupit, ose veshin rroba aq të shkurtra, për të shfaqur bukurinë e tyre.
Të shthurura, që anojnë nga shkelja e rregullave të Zotit, ose që shkojnë pas burrave dhe i joshin me shfaqjen e stolive dhe bukurisë së tyre, ose ftojnë të tjerët në të tilla veprime si të tyret.
Kokat dhe flokët i fryjnë dhe i modifikojnë si gunga e devesë që tundet, ose si prostituta.
Ps. Hadithi është kërcënues dhe nuk përjashton nga xheneti besimtarin njësues.

O Zot mos na merr në përgjegjësi për atë çfarë bëjnë disa mendjelehtë prej nesh!
{ … Kur i goditi tërmeti, ai(Musai) tha: “Zoti im, sikur të doje Ti, do t’i zhdukje ata dhe mua që më përpara. A do na shkatërroje për atë që bënë disa mendjelehtë prej nesh? Kjo është vetëm sprovë e Jotja, që me të e bën të humbur atë që Ti do dhe e vë në rrugë të drejtë atë që Ti do. Ti je mbrojtësi ynë, andaj falna dhe mëshirona, se Ti je më i Miri i mëshiruesve!}(El-A’raaf 155).

Hoxhë Altin Plumbi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit