Është një libër që nuk ka zbritur nga qielli ndonjë i ngjajshëm me të; janë bindur para tij mendjet e atyre që kanë zemër të pastër dhe mendim të qartë, dhe dëshmojnë mendjet e shëndosha se i tillë nuk mund të jetë fjalë e njerëzve. Vlera e tij ndaj çdo fjalë tjetër është si vlera e Allahut ndaj të gjithë krijesave. Ai është dritë për shikimin e zemrave të verbuara, pastrim për zemrat nga ndryshku i mëkateve, shërim për gjoksin nga sëmundjet dhe ngushtimet e shpirtit. Ai është jeta e tyre, me të cilën janë gjallëruar, është drita e tyre me të cilën u larguan errësirat, është ushqimi i tyre me të cilin qëndrojnë të forta, dhe është ilaçi i tyre me të cilin u ruajt shëndeti i tyre. Ai është argumenti i pakundërshtueshëm që tejkalon dritën e diellit në qartësi dhe ndriçim.
قُل لَّئِنِ ٱجۡتَمَعَتِ ٱلۡإِنسُ وَٱلۡجِنُّ عَلَىٰٓ أَن يَأۡتُواْ بِمِثۡلِ هَٰذَا ٱلۡقُرۡءَانِ لَا يَأۡتُونَ بِمِثۡلِهِۦ وَلَوۡ كَانَ بَعۡضُهُمۡ لِبَعۡضٖ ظَهِيرٗا
Thuaj: “Sikur të bashkoheshin të gjithë njerëzit dhe xhindët për të sjellë një të ngjashëm me këtë Kuran, nuk do të mundnin ta sillnin, edhe nëse do të ndihmonin njëri-tjetrin. (Isra: 88)
Ky është Libri që ka zbritur nga Zoti i botëve. Ai e gjallëron shpirtin e besimtarit ashtu siç gjallërohet toka e thatë kur zbret mbi të shiu. Ai i përul zemrat, ashtu siç përkulen malet nga frika e Allahut. Me të qetësohen shpirtrat kur i përplasin dallgët e brengave dhe ankthit. Është fjala madhështore e Allahut, një fjalë që nuk ka të ngjashme, një ritëm që nuk përngjan me asnjë tjetër, një dritë që shndrit rrugën e çdo zemre që e kërkon të vërtetën.
Kur lexohet, lotojnë sytë, zbuten zemrat, qetësohen gjokset dhe shpërndahen retë e errësirës që mbulojnë shpirtin. Është jehona e mëshirës në këtë botë të mbushur me zhurmë dhe rrëmujë. Në të gjejmë jetën e vërtetë, në të gjejmë dritën kur jemi të humbur, qetësinë kur jemi të shqetësuar, dhe shpresën kur jemi të thyer.
Nuk ka zemër e sinqertë që e lexoi dhe nuk u ngop. Nuk ka zemër të sëmur që e përdori, veqse gjeti shërim. Ky është Kurani, nga ai shpërthejnë burime udhëzimi, shemben idhujt e mashtrimit, dhe zdhuken errësirat e padijes dhe epshit.
Nga mrekullitë e tij më të mëdha është se nuk mërzitesh kurrë prej tij, edhe pse e lexon pa pushim. Nuk mund ta shterosh, sado që e thellon leximin dhe kuptimin. Është Libri i Zotit tonë, që Ai vetë e ka ruajtur në zemrat e robërve të Tij, dhe është kujdesur për ta mbrojtur nga çdo shtrembërim. Asgjë e kotë nuk i vjen as përpara, as prapa, është e vërteta e pastër.
Prandaj, është detyrë që çdo zemër të gjejë prehje me të, çdo gjuhë ta lexojë me respekt, dhe çdo besimtar të pijë nga drita dhe udhëzimi i tij.
Fitim Gërguri
20.05.2025
Bardh i Madh
