14.4 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Kush ishte Alija Izetbegoviq, presidenti i parë i BeH-së së pavarur?

Më të lexuarat

Izetbegoviq ishte politikani më i shquar boshnjako-hercegovinas në historinë e re, i respektuar në mbarë botën, fitues i çmimeve për paqe, autor i një numri të madh veprash dhe librash të përkthyera në disa gjuhë dhe të botuara në disa vende.

Izetbegoviq ishte politikani më i shquar boshnjako-hercegovinas në historinë e re, i respektuar në mbarë botën, fitues i çmimeve për paqe, autor i një numri të madh veprash dhe librash të përkthyera në disa gjuhë dhe të botuara në disa vende.


Si sot, 19 vjet më parë, vdiq presidenti i parë i Presidencës së Republikës së Bosnjë e Hercegovinës, Alija Izetbegoviq.

Ai vdiq më 19 tetor 2003 pas një sulmi në zemër. Sipas vlerësimeve, në varrimin e Alija Izetbegoviqit morën pjesë më shumë se 100.000 persona, si dhe një numër i madh i zyrtarëve boshnjako-hercegovinas dhe ndërkombëtarë.

Supozohet se ishte funerali më i madh në Sarajevë.

Lindur në Bosanski Shamac

Alija Izetbegoviq ka lindur më 8 gusht 1925 në Bosanski Shamac. Ai i përkiste një familjeje të respektuar bejlere që jetonte në Beograd dhe që u shpërngul në Bosanski Shamac qysh në vitin 1868.
Tashmë në vitin e dytë të jetës së Izetbegoviqit, babai i tij Mustafa, i cili merrej me tregti dhe banka, vendosi të shpërngulet në Sarajevë, ku mbaroi shkollën fillore dhe të mesmen.

Për shkak të përkatësisë në organizatën “Mlladi Muslimani” (Myslimanët e Rinj), Izetbegoviq u arrestua në vitin 1946 dhe u dënua me tre vjet burg. Ai doli nga burgu në vitin 1949.

Pasi la agronominë pas tre vitesh studime, Izetbegoviq hyri në Fakultetin Juridik në Sarajevë, të cilin e përfundoi me sukses brenda dy viteve. Nga viti 1950 deri në vitin 1960, ai punoi si menaxher i kantierit, dhe nga viti 1960 deri në 1982, si këshilltar ligjor në kompani të shumta të Sarajevës.

Gjashtë vjet në burg

Në pranverën e vitit 1983 arrestohet dhe në verën e po atij viti në “gjyqin e inskenuar të Sarajevës” u dënua me 14 vjet burg, ku i mbajti gjashtë vjet.
Pasi u lirua nga burgu në vitin 1990, ai themeloi Partinë për Veprim Demokratik (SDA) me një grup njerëzish bashkëmendimtarë, e cila fitoi më së shumti vota në zgjedhjet e lira.
Partia e tij për Veprim Demokratik më vonë do të luante një rol kyç në mbrojtjen e Bosnjë e Hercegovinës nga agresioni në vitet 1990. Ka qenë kreu i shtetit dhe i partisë PVD-së për disa mandate.

Vendimin për t’u tërhequr nga Presidenca e shpalli më 6 qershor 2000. Ai njoftoi se do të japë dorëheqjen pas përfundimit të mandatit të tij si kryetar i Presidencës së BeH-së më 12 tetor të po këtij viti. Ai gjithashtu refuzoi të kandidojë në Kongresin e Tretë të PVD-së në 2001 dhe u emërua kryetar nderi i partisë.

Autor i një numri të madh veprash publicistike

Izetbegoviq është autor i një numri të madh punimesh dhe studimesh publicistike si dhe i librave: “Islami ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit”, “Problemi i Rilindjes Islame” dhe “Deklarata Islame”.

Këta libra janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë botuar në disa vende. Në vitin 1999 botoi librin “Ikja ime drejt lirisë”, ndërsa në vitin 2000 botoi librin “Kujtime”. Veprat e mbledhura të Alija Izetbegoviqit në dhjetë vëllime u botuan në vitin 2004.

Ai është fitues i një sërë lëvdatash dhe çmimesh si çmimi King Faisal, medalja e Qendrës së Uashingtonit për Demokraci dhe gazeta spanjolle më me ndikim, El Mundo e Madridit, zgjodhi Alija Izetbegoviqin si personin e vitit në botë në 1995.

Në vitin 1997, Universiteti Marmara i Stambollit i dha titullin doktor nderi i shkencave juridike për kontributin e tij në mbrojtjen e të drejtave të njeriut, vendosjen e paqes dhe si jurist i dalluar. Në Forumin Cran Montana në 1998, ai mori çmimin prestigjioz për avancimin e të drejtave të njeriut.

I respektuar në gjithë botën

Alija Izetbegoviq është varrosur në Varrezat e Dëshmorëve të Kovacit në Sarajevë. Funerali i tij u ndoq nga më shumë se 100 000 njerëz nga e gjithë BeH-ja e jashtë saj dhe telegrame ngushëllimi mbërritën nga qindra vende.

Do të mbahet mend deklarata e Richard Holbrooke, krijuesit të Marrëveshjes së Dejtonit:

“Po të mos ishte Alija Izetbegoviq, Bosnjë e Hercegovina nuk do të ekzistonte sot.”

Kryeministri i atëhershëm dhe presidenti aktual i Republikës së Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, pas lajmit se kishte vdekur Alija Izetbegoviq, presidenti i parë i BeH dhe një mendimtar i madh, tha se kjo gjë e tronditi popullin e tij, edhe atë nga thellësia e shpirtit të tij.

“Izetbegoviq është një njeri që ndikoi në histori me jetën dhe veprën e tij. Misioni i tij është një shprehje e nderit njerëzor dhe e këmbënguljes së admirueshme, e cila është një nder për gjithë botën. Për vlerat në të cilat ai besonte, për vendin dhe popullin e tij, ai është një burim i pashtershëm guximi dhe vlerash të jashtëzakonshme. “Populli im dhe unë ndajmë dhimbjen e vdekjes së Izetbegoviqit me popullin vëllazëror të Bosnjës e Hercegovinës”, tha Erdoğan në atë kohë.

Në emër të Qeverisë së Malajzisë, kryeministri i atëhershëm Muhammad Mahtir shprehu keqardhjen e tij të sinqertë për vdekjen e Izetbegoviqit.
Kurse presidenti i atëhershëm i Republikës së Kroacisë Stjepan Mesiq theksoi se Izetbegoviqi me veçantinë dhe veprimtarinë e tij politike i ka shënuar fuqishëm ngjarjet në BeH.

“Tërë jetën ia kushtoi veprimtarisë politike dhe nuk e thyen as vitet e vështira të burgut. Roli i tij si burrë shteti në vitet e luftës dhe të pasluftës në BeH, në atë periudhë të vështirë për të gjitha shtetet e ish-Jugosllavisë, është i padiskutueshëm. Jam takuar shpesh me të në shumë konferenca paqeje, të cilat, për fat të keq, nuk arritën të parandalonin luftën, dhe ne e vazhduam njohjen tonë edhe më vonë kur BeH arriti të mbajë veten si një shtet i pavarur”, tha Mesiq në atë kohë.
Dhe shumë burrështetas të tjerë nga bota, rajoni, si dhe zyrtarë në Bosnjë e Hercegovinë, shprehën admirim dhe respekt për veprat e Alija Izetbegoviqit.

Politikani më i shquar boshnjako-hercegovinas në historinë e re

Alija Izetbegoviq ishte politikani më i shquar boshnjako-hercegovinas në historinë më të re të Bosnjë-Hercegovinës.

Izetbegoviqin në Türkiye e quajnë “urtak”, citatet e tij janë regjistruar me kohë dhe shpesh përmendet si shembull i një lideri të vërtetë, humanist dhe luftëtar për të drejtat e njeriut.

/TRT Balkan/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit