4.7 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Kurti: Sundimi i ligjit nuk është zgjedhje por detyrim

Më të lexuarat

“Mungesa e sundimit të ligjit është kërcënim dhe me këtë kërcënim po përballen qytetarët serbë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës”, tha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e kabinetit qeveritar ka thënë se sundimi i ligjit është përgjegjësi programore e Qeverisë dhe obligim institucional, raporton Anadolu Agency (AA).

Kurti në fjalën e tij para ministrave të kabinetit qeveritar, tha se Qeveria e udhëhequr nga ai ka marrë besimin nga qytetarët me një program me dy elemente kryesore, sundimin e ligjit dhe punësimin.

Por, ai tha se mungesa e sundimit të ligjit është kërcënim dhe me këtë kërcënim po përballen qytetarët serbë të cilët jetojnë në pjesën veriore të Kosovës.

“Sundimi i ligjit, nuk është zgjedhje por detyrim dhe mungesa e tij është kërcënim për të gjithë. Me këtë kërcënim më së shumti po ballafaqohen bashkëqytetarët tanë në katër komunat në veri të vendit tonë. Presioni dhe sulmet ndaj tyre nga banda dhe individë kriminal janë vetë dëshmia se çfarë prodhon mungesa e sundimit të ligjit. Problemi i tyre nuk janë vendimet tona as afatet që parashihen në to”, theksoi Kurti.

Ai tha se deri më tani, vendimi në tre faza i Qeverisë së Kosovës për legalizimin e targave ilegale të automjeteve po shkon mirë dhe 1.012 vërejtje janë lëshuar deri të mërkurën në mëngjes “me asnjë incident të shënuar dhe asnjë ankesë e regjistruar”.

Kurti duke folur për dorëheqjen e zyrtarëve serbë nga institucionet kosovare, tha se ata që po urdhërojnë braktisjen e institucioneve të Republikës së Kosovës janë ata të cilëve u pengon ligjshmëria e kushtetutshmëria, luftimi i kriminalitetit dhe korrupsionit në Kosovë.

“Ne jemi Qeveri e përgjegjshme, e të gjithëve, kundër kriminelëve, e përkushtuar për zhvillim, integrim, barazi për të gjithë, për respektim të të drejtave të njeriut dhe pakicave dhe shërbim të qytetarëve pa dallim dhe diskriminim”, tha Kurti.

Ai ka bërë thirrje edhe një herë që të mos bojkotohen e të mos braktisen institucionet, derisa falënderoi qytetarët serbë për “pjekurinë e treguar në ruajtjen e qetësisë, paqes dhe sigurisë”.

Më 5 dhe 6 nëntor zyrtarët e Listës Serbe dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, përfshirë Qeverinë, Kuvendin, pozitat e kryetarëve të katër komunave me shumicë serbe, policia, gjyqësori, prokuroria dhe administrata.

Largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës pasoi pas fillimit të zbatimit të marrëveshjes me tre faza të Qeverisë së Kosovës për targat ilegale që qarkullojnë kryesisht në komunat me shumicë serbe në pjesën veriore të Kosovës si dhe pas vendimit të autoriteteve të Kosovës për suspendimin e drejtorit të Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Nenad Gjuriq, i cili refuzoi zbatimin e vendimit të Qeverisë.

Qeveria e Kosovës mori vendim që prej 1 nëntorit deri më 21 nëntor veturat me targa ilegale që ende qarkullojnë në territorin e Kosovës do të marrin fleta qortuese në kuadër të fazës së parë të vendimit. Në fazën e dytë, Qeveria parasheh që nga 21 nëntori, deri më 21 janar 2023 të jetë masa e gjobitjes dhe më pastaj nga 21 janari do të ketë targa provuese për dy muaj të tjerë, pas së cilës datë, më 21 prill nuk mund të ketë më targa tjera përpos atyre “RKS”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit