Kur nuk e di çfarë të shqetëson…

Më të lexuarat

Jo gjithmonë problemi është i dukshëm, as lodhja që mund të emërtohet. Shumë njerëz jetojnë me një ndjenjë të mjegullt që nuk mund të përshkruhet: një energji që po pakësohet, një shpirt që po zbehet, një vendosmëri që po ngrin brenda… dhe të gjithë vazhdojnë jetën sikur nuk ka ndodhur asgjë, por thellë në brendësinë e tyre ka diçka që nuk shkon si duhet.

I gjen ata të angazhuar më shumë se kurrë për të vlerësuar dhe rishikuar; flasin për projekte të shtyra, dëshira të shuara, plane leximi që nuk përfundojnë, dobësi në adhurim dhe mungesë të lidhjes me Librin e Allahut. Por, kur i dëgjon, e kupton se ka diçka që mungon — një ndjenjë e pasqaruar e humbjes, që nuk ka emër dhe nuk ka titull. Sikur ankesa duket e plotë në sipërfaqe, por është e paplotë në thelb.

Dhe kur pyet: “Çfarë nuk shkon?”, ata heshtin. Jo sepse po e fshehin, por sepse nuk e dinë. Si një peshë e padukshme, një defekt që nuk mund të përshkruhet, një dhimbje që gjuha nuk mund ta kapë — ajo dhimbje që jeton në shpirt dhe mendja nuk mund ta përshkruajë.

Këtu qëndron problemi i këtij brezi: ne dimë t’i njohim lehtësisht sëmundjet fizike — dhimbje koke, lodhje, temperaturë, probleme me gjumin — por dhimbjet që godasin shpirtin mund të mbesin të mbyllura brenda për një kohë të gjatë. Dhe ne mendojmë se janë për shkak të ndryshimit të motit, ngarkesës së punëve ose ndryshimeve të humorit, ndërkohë që në realitet ato janë: një shpirt që është tharë prej largimit nga burimi, një mendje që ka humbur nga udhëheqja e kuptimit, një zemër që nuk ka ndjerë fjalët e Kuranit për një kohë të gjatë.

Dhe këtu fillon kura e parë, dhe fillimi më i sinqertë: që njeriu të kthehet tek Kurani, jo si lexues, por si i sëmurë. Të lexojë jo për të përfunduar një hatme, por për të shëruar një zemër që është lodhur nga plagët që nuk shihen, të kurosh thyerje që nuk i di as emrat.

Pyesni veten sinqerisht: Kur ka qenë hera e fundit që lexuat Kuranin me qëllimin e shërimit?
Dhe iu drejtuat Allahut me fjalët:
“O Allah, kjo zemra ime është e sëmurë, shëroje.”

Kurani — o miku im — nuk pret që ti të emërtosh dhimbjen tënde. Ai e di atë para teje dhe e prek atë brenda teje para se ta kuptosh. Zbërthen vendin e thyerjes dhe vë balsamin e mëshirës, dhe të merr për dore nga konfuzioni i lodhjes në bindjen e qetësisë.

Ato vargje që i ke lexuar njëqind herë, mund t’i shohësh për herë të parë kur i lexon me një zemër të plagosur. Dhe vetëm atëherë do të shërohesh nga sëmundje që as nuk e dinit që ishin aty.

Sepse Kurani nuk i përmirëson vetëm ato që i di, por i përmirëson edhe ato që nuk e di se janë dëmtuar.

 

Përktheu dhe përshtati: Amar Dauti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit