14.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Kujt i takon dashuria absolute

Më të lexuarat

Allahu i Lartësuar thotë në Kuran:

“Thuaj (o i dërguar)! Në qoftë se baballarët tuaj, djemtë tuaj, vëllezërit tuaj, bashkëshortet tuaja, farefisi juaj, pasuria që e fituat, tregëtia që frikësoheni se do të dështojë, vendbanimet me të cilat jeni të kënaqur, (të gjitha këto) janë më të dashura për ju se Allahu, se i dërguari i Tij dhe se lufta për në rrugën e Tij, atëherë, pritni derisa Allahu të sjellë vendimin e Tij. Allahu nuk vë në rrugë të drejtë njerëzit e prishur.”

Ky ajet ka zbritur për ata të cilët nuk e bënë hixhretin prej Mekës në Medine, për shkak se dikush nuk mund ta linte familjen e tij e dikush pasurinë e tij e dikush të afërmit e tij.

Imam Kurtubi ka thënë: “Ky ajet është  argument i qartë për domosdoshmërinë e dashurisë ndaj Allahut, pejgamberit dhe nuk ka mospajtim në këtë tek umeti. Duhet që  kjo dashuri t’i paraprijë çdo dashurie tjetër.”

Transmeton Nesaiu, Ibn Hibani dhe Buhariu ne librin e tij “Terihul kebir” se Pejgamebri (alejhi selam) ka thënë: “Shejtani është përpjekur ta pengojë birin e Ademit në tri gjëra. Është përpjekur ta pengojë në fe dhe i ka thënë: ‘Për çfarë po e lë fenë tënde dhe fenë e baballarëve të tu?’ Biri i Ademit e kundërshtoi shejtanin dhe e pranoi Islamin. Pastaj është përpjekur ta ndalojë prej  hixhretit për hir të Allahut duke i thënë: ‘A po e lë pasurinë tënde, familjen tënde dhe po bën hixhret?’ Biri i Ademit e kundërshtoi shejtanin dhe bëri hixhret. Pastaj u përpoq që ta pendojë nga lufta në rrugën e Allahut duke i thënë: ‘Po lufton  që të vritesh, pastaj familja jote do të martohen dhe pasuria do të ndahet.’ E kundërshtoi biri i Ademit shejtanin dhe luftoi, derisa e meritoi xehnetin e Allahut.”

Imam Ahmedi ka thënë: “Na ka treguar Kutejbe bin Seid, e ky nga ibn Luheja, ai nga Zehreh bin Mabed, e ky nga gjyshi i tij, i cili ka thënë se ishin me Pejgamberin e ai kishte marrë për dore Umer ibën Hatabin. Atëherë i tha Umeri: ‘Uallahi, o i Dërguari i Allahut, ti je më i dashur te unë se çdo gjë, përveç vetes time.’ Pejgamberi i tha: ‘Nuk ka besuar askush derisa të jem më i dashur tek ai se vetja e tij.’ Atëherë Umeri i tha: ‘Ti tani je tek unë më i dashur se vetja ime.’ Pejgamberi i tha: ‘Tani o Umer, (tani është imani yt në rregull).”

Gjithashtu, në hadithin e vërtetë Pejgamberi ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, nuk ka besuar askush, derisa te jem tek ai më i dashur se  prindi i tij, fëmija i tij  dhe njerëzit në përgjithësi.”

Transmeton  Ahmedi  dhe Ebu Davudi nga hadithi i Ibni Umerit, i cili thotë se e kam dëgjuar Pejgamberin duke thënë: “Nëse bëni shitblerje me ine (lloj i shitblerjes që nënkuton kamatë në të), merreni me blegtori, kënaqeni me të mbjellurat tuaja, e lini luftën në rrugën e Allahut, Allahu do t’ua  sjellë një nënçmim të cilin nuk do ta  largojë nga ju, derisa të ktheheni në fenë e Allahut.”

Sehl ibën Abdullah thënë ka: “Shenja e dashurisë së Allahut është ta duash Kuranin. Shenja e dashurisë së Kuranit është ta duash pejgamberin. Shenja e dashurisë së Pejgameberit është ta duash sunetin e tij.

Shenja e dashurisë së Allahut, shenja e dashurisë së Kuranit, shenja e dashurisë së pejgamberit, shenja e dashurisë së sunetit janë shenja të dashurisë së botës tjetër, shenja e dashurisë së botës tjetër është që ta dojë veten e tij, shenja e dashurisë së vetes së tij është  që ta urresh dunjanë, shenja e urrejtjes së dunjasë është që mos të marrë prej saj përveç se atë që i nevojitet dhe i mjafton.

Përgatiti: Shaban Murati

19.05.2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit