18.4 C
Pristina
Sunday, May 5, 2024

Kosovë, mbahet Samiti i parë rajonal për Mbrojtje nga Diskriminimi Racor

Më të lexuarat

Kryeministri Kurti ka thënë se ka shumë sfida për përmirësimin e gjendjes së pakicave, megjithëse theksoi se “barazia e qytetarëve është e garantuar në Republikën e Kosovës”

Është mbajtur në Prishtinë Samiti i parë Rajonal për Mbrojtje nga Diskriminimi Racor nën udhëheqjen e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, raporton Anadolu Agency (AA).

Samiti, i cili ka mbledhur së bashku përfaqësues të lartë shtetërorë, aktivistë, gazetarë e përfaqësues nga shoqëria civile nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia, Kroacia e Bosnjë e Hercegovina, specifikisht trajtoi diskriminimin ndaj komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili mori pjesë në këtë samit, tha se gjendja e komuniteteve pakicë në Kosovë nuk është e mirë si në aspektin e diskriminimit, si në atë të varfërisë.

Kurti tha se ka shumë sfida për përmirësimin e gjendjes së tyre, megjithëse theksoi se “barazia e qytetarëve është e garantuar në Republikën e Kosovës”.

“Fakti se njerëzit janë të ndryshëm, nuk do të thotë se s’mund të jenë të barabartë. Të qenët të barabartë nuk lidhet me të qenit identik. Pikërisht pse jemi të ndryshëm duhet të jemi të barabartë”, theksoi Kurti, duke shtuar se diversiteti është vetë pasuria e jetës njerëzore i cili duhet të shoqërohet me solidaritet.

Kurti gjithashtu tha se Qeveria ka ndarë 100 bursa për studentët rom, ashkali dhe egjiptian për studime në Fakultetin e Edukimit në mënyrë që ata më pas t’i mësojnë të tjerët.

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog, tha se komuntetet rom, ashkali dhe egjiptian në Kosovë janë të diskriminuar.

Szunyog tha se minoritetet në Kosovë përballen me përjashtimin, paragjykimin dhe diskriminimin ndaj të cilave duhet të punohet që të eliminohen.

“BE-ja mirëpret lansimin e platformës kombëtare për mbrojtje nga diskriminimi ndaj komunteteve rom, ashkali dhe egjiptian dhe mbështesin qëllimin e tij që shërben si mjet shtesë në luftën kundër diskriminimit”, theksoi Szunyog.

Zëvendëskryeminsitri i parë i Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi, tha se e kaluara e Maqedonisë së Veriut ka qenë me diskriminime për komunitetet, ndërsa sot angazhohen që të vendosin standarde për respektimin e të gjitha komuniteteve.

Sipas tij, avancimi i të drejtave të komuniteteve në këtë shtet është bërë falë marrëveshjes kornizë të Ohrit. Ai tha se parimet e kësaj marrëveshjeje kanë karakter universal.

“Përveç zyrtarizimit të gjuhës shqipe, me Marrëveshjen e Ohrit u është mundësuar komunikimi në gjuhën e tyre amtare edhe komuniteteve si ai turk, rom, boshnjak e serb në disa komuna edhe atë si gjuhë zyrtare, përfshirë edhe përdorimin e flamurit kombëtar të komuniteteve”, theksoi Grubi.

Ai tha se të gjitha komunitetet në Maqedoninë e Veriut e kanë të garantuar me Kushtetutë mësimin në gjuhën e tyre amtare.

Romët e Kosovës, ashkalitë e Kosovës dhe egjiptianët e Kosovës jetojnë tradicionalisht në Kosovë. Pjesëtarët e këtyre tri komuniteteve janë të shpërndarë në tërë Kosovën, kryesisht në 24 komuna, me një prani më të madhe në komunat Ferizaj, Fushë Kosovë, Gjakovë, Pejë dhe Prizren.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të vitit 2011, në Kosovë jetojnë mbi 8 mijë romë, mbi 15 mijë ashkali dhe mbi 11 mijë egjiptianë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit