11.7 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Kështu ndodhi hixhreti – Hoxhë Bekir Halimi

Më të lexuarat


Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i qe shfaqur në ëndërr vendi, ku do të shpërnguleshin myslimanët dhe për këtë ai u tha: “Kam parë në ëndërr se u shpërngula nga Meka në një tokë, ku kishte hurma. Unë kujtova se ishte Jamami ose Hexheri, por ajo ishte Medinia, Jethribi!”. 

I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) doli nga shtëpia në mes të ditës, kur njerëzit po pushonin nëpër shtëpitë e tyre dhe shkoi tek Ebu Bekr Es-Sidiku. Aty caktoi planin për imigrim. Përgatiti mirë dy devetë dhe pagoi Abdullah ibn Erhajd el Lejthin, që ishte në fenë e kurejshëve, që ta kishin udhërrëfyes. Abdullahu i njihte shumë mirë rrugët. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) e lanë të takoheshin me të në malin Theur, pas tri netësh. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) la Aliun në shtratin e vet dhe i tha atij se nuk do t’i ndodhte asgjë e keqe. Kur ra nata dhe njerëzit ranë në gjumë, erdhën komplotistët fshehurazi te shtëpia e të Dërguarit të Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe e rrethuan atë. Aty, në shtratin e të Dërguarit të Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) panë Aliun (Allahu qoftë i kënaqur me të!) të mbështjellë me një pelerinë të gjelbër. Menduan se ishte Muhamedi (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe filluan të krenoheshin e të mburreshin. Pritën sa të çohej, që t’i vërsuleshin e ta vrisnin. Allahu i Madhëruar ua dha idhujtarëve përgjigjen e kurthit, që kurdisën kundër Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), duke thënë: “Ata që nuk besuan, thurnin kurthe kundër teje të të ngujonin ty, të të vrisnin ose të të dëbonin. Ata bënin plane dhe Allahu i asgjësonte, se Allahu është më i Miri Asgjësues i dredhive.” (8:30) 

Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) arritën te shpella. I pari hyri Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), me qëllim që në qoftë se kishte ndonjë rrezik, ta pësonte ai dhe jo i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) gjeti aty shumë vrima, të cilat i zuri me cepat e pelerinës së tij, përveç dy a tri vrimave, të cilat i zuri me këmbë. Pas tij hyri i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe fjeti në prehër të Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Pas pak Ebu Bekrin e pickoi diçka në këmbë, por ai nuk lëvizi. Mirëpo lotët e dhembjes i binin në fytyrë Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai u zgjua dhe e pyeti Ebu Bekrin: “Cfarë ke?” “Diçka më kafshoi,- iu përgjigj ai, e unë do të flijoja nënë e baba për ty.” Atëherë, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i vuri pak pështymë në vendin e kafshuar dhe atij i pushoi dhembja. Ata qëndruan në Shpellë tri net. 

Me ta flinte edhe Abdullah ibn Ebu Bekri, i cili ishte një djalë shumë i zgjuar dhe i shkathët. Në mëngjes ai dilte nga shpella dhe e zinte agimi tek kurejshët, duke lënë të kuptohej se kishte bujtur në Mekë. Abdullahu i dëgjonte planet e Kurejshëve dhe e njoftonte Pejgamberin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur binte errësira. Amir ibn Fehiri ishte skllavi i Ebu Bekrit. Ai ruante delet dhe u sillte qumësht në shpellë natën. Para se të dilte drita, ecte me delet mbi gjurmët e Abdullah ibn Ebu Bekrit. 

Ata dërguan njerëz në çdo anë, që të kërkonin Profetin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënqur me të!). I premtuan njëqind deve çdo njeriu, që do të sillte ata të dy, të gjallë ose të vdekur. Njerëzit që kërkonin, arritën deri te hyrja e Shpellës. Ata u afruan aq pranë, saqë sikur ndonjëri prej tyre ta ulte kokën, do t’i shikonte ata të dy në shpellë. Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i shikoi ata dhe u trondit shumë, sepse mendonte për të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Mirëpo, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i tha: “O Ebu Bekër! Si shqetësohesh ti për dy veta, kur Allahu është i treti i tyre? Mos u tremb! Allahu është me ne.” 

Natën e së hënës, në fillim të muajit Rabiul Euel, në vitin e parë të Hixhretit erdhi udhërrëfyesi, Abdullah ibn Erikat Lejthi me dy deve te Mali Theur, ashtu siç e kishin lënë. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) bashkë me Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u nisën që andej. Ata i shoqëroi edhe Amir ibn Fehire. Udhërrëfyesi ndoqi një rrugë që shkelej rrallë. I drejtoi ata për në jug, në drejtim të Jemenit, derisa u larguan shumë; pastaj, drejt perëndimit, nga bregu i Detit të Kuq, pastaj drejt veriut në afërsi të bregdetit. Ata udhëtuan atë natë dhe të nesërmen deri në gjysmën e ditës, kur rruga nuk kishte më njerëz. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) pushoi nën hijen e një shkëmbi, ndërsa Ebu Bekri hetonte rreth e qark. Aty erdhi një bari me delet e tij. Ebu Bekri i kërkoi ca qumësht. Ai i moli delet dhe u dha qumësht. Kur u zgjua Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), Ebu Bekri i dha pjesën e vet të qumështit dhe ai u kënaq. Pastaj, nisën udhëtimin përsëri. Ditën e dytë të udhëtimit arritën në dy stanet e Umu Ma’bedit, në vendin e quajtur Kadid, rreth 130 kilometra larg Mekës. Pranë një stani ishte një dele e rraskapitur, që nuk mund të shkonte me të tjerat dhe nuk kishte asnjë pikë qumësht. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i kërkoi leje Umu Ma’bedit që ai ta milte vetë delen. Ajo i dha leje Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe kur e moli ai, ajo dha aq qumësht sa u mbush një enë e madhe, të cilën mezi e mbanin disa veta. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i dha nga ai qumësht nënës së Ma’bedit, derisa ajo nuk deshi më. Pastaj, ai u dha shokëve të vet e edhe ata u ngopën. Në fund, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) piu vetë. Ai e moli përsëri delen, e mbushi enën me qumësht dhe ia la Umu Ma’bedit. Pastaj u larguan. Erdhi burri i saj. U habit kur shikoi tërë atë qumësht dhe e pyeti të shoqen si ishte puna. Ajo ia tregoi ngjarjen dhe ia përshkroi Profetin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nga koka deri te këmbët, i tregoi hollësisht se si fliste ai e çdo gjë tjetër që kishte të bënte me të. “Për Zotin,- i tha, ky është ai që kërkojnë kurejshët. Këtë kam dashur ta shoqëroj unë. E, po e gjeta mundësinë, do ta bëj këtë gjë.” Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) me Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kaluan Kadidin. Atyre u ishte vënë pas Suraka ibn Malik ibn Xha’shi el Mudlixhi, i cili shpresonte në shpërblimin e kurejshëve. Hipur mbi kalë Suraka po ecte me shpejtësi në drejtim të tyre. Kur u afrua disi tek ata, kali i Surakës rrëshqiti dhe ai ra nga kali. U afrua tek ata aq shumë, sa dëgjonte këndimin e Kuranit nga i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i cili nuk po shikonte rreth e qark; kurse Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vështronte sa majtas djathtas. Kalit të Surakës i humbën këmbët në tokë, deri në gjunjë dhe Suraka ra nga kali. E tërhoqi kalin dhe ai u çua, por me vështirësi ia nxori këmbët nga toka. Pas shumë përpjekjesh, kali i nxorri këmbët plotësisht. Nga dheu i këmbëve të kalit u çua një pluhur që u ngjit në qiell si tym. Suraka hodhi fall përsëri. I doli ashtu siç dëshironte dhe në zemër i hyri një trishtim i madh. Ai e kuptoi se i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) do të triumfonte, prandaj u thirri atyre: “Më prisni, se nuk do t’ju bëj asgjë të keqe!” Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) u ndalën dhe e pritën atë. Suraka i foli Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) për çfarë kishin vendosur kurejshët dhe për çfarë donin t’u bënin atyre. Suraka i tregoi Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ushqimin e plaçkat që kishte me vete. “Merr sa të duash”,- i tha. Por Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk mori asgjë prej tij. Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i kërkoi Surakas që të mos u thoshte gjë njerëzve në Mekë për të dhe për Ebu Bekrin. Pastaj Suraka kërkoi që të shkruhej një dëshmi (që Muhamedi nuk do ta dëmtonte, sidoqë të vinte puna). Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) e urdhëroi Amir ibn Fehiren ta shkruante atë. Ai e shkroi në një copë lëkurë të regjur. Suraka u kthye për në Mekë. Kë takonte në rrugë nga ata, që kërkonin Muhamedin (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), u thoshte: “Unë u them me saktësi që Muhamedi nuk ka kaluar këndej.” Kështu, ndjekësit ktheheshin mbrapsht. Në rrugë, 

Sa e dëgjuan që i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ishte nisur nga Meka në Medine, njerëzit e Medines dilnin çdo mëgjes në Harre, për ta pritur atë. Qëndronin në atë vend, derisa shtrëngonte vapa. Një ditë, pasi pritën gjatë, u kthyen në shtëpitë e tyre. Por, sa hynë nëpër shtëpi, rastisi që një burrë jehudi, i cili kishte një punë të tijën në një nga kodrat e Medines, papritmas pa të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe shokët e tij. Ata ishin me rroba të bardha dhe sa vinin e dukeshin më qartë. Jehudiu nuk e përmbajti veten dhe thirri me zë të lartë: “O arabë! Ja fati juaj që prisni!” Myslimanët menjëherë kapën armët. U dëgjuan zhurmat dhe fjalët e tyre: “Allahu Ekber” (Allahu është më i Madhi). Brohorisnin nga gëzimi për ardhjen e të Dërguarit të Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe si vetëtima dolën për ta takuar në anën tjetër të Harres. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u takua përzemërsisht me myslimanët dhe bashkë me ta vazhdoi rrugën nga e djathta. Pastaj, së bashku shkuan e qëndruan tek Benu Amru ibn Aufi, në Kuba. I Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) u ul dhe ndenji në heshtje. Erdhën ensarët (banorët vendës) që nuk e kishin parë ndonjëherë të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe përshëndetën Ebu Bekrin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), sepse mendonin që ai ishte i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), meqënëse atij i kishin filluar thinjat në kokë. Por, kur i ra dielli të Dërguarit të Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), u çua Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i bëri hije me pelerinën e vet. Atëherë, njerëzit e njohën të Dërguarin e Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). 

Në Kuba ka qëndruar katër ditë. Gjatë atyre ditëve ngriti xhaminë e Kubasë dhe aty ka falur namazet. Ditën e pestë të qëndrimit, që ishte ditë e Xhuma, me lejen e Allahut, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) hipi në deve dhe me Ebu Bekrin pas, shkoi tek tezet e tij, në fisin Beni Nexhxhar. Njerëzit e atij fisi erdhën për ta pritur me nderim dhe secili prej tyre mbante me vete shpatë. Kështu, Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ecte drejt Medines, ndërsa njerëzit shkonin anash tij. Kur arriti te fisi Beni Salim ibn Auf, ishte koha e namazit të Xhumasë. U mblodhën rreth 100 veta luginën Kuba dhe Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) fali me ta namazin e Xhumasë. 

Shumë njerëz kishin dalë nëpër rrugë për ta pritur. Ushtonin shtëpitë dhe rrugët nga zëri i njerëzve “Allahu Ekber, el Hamdu lil-lah, Subhanallah” (Allahu është më i Madhi; Falenderimi i takon Allahut; Allahu është larg të metave). Dolën edhe gratë, fëmijët, të rinjtë e të rejat. 

Sa herë që i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) kalonte pranë ndonjë shtëpie ensarësh, njerëzit e shtëpisë e kapnin devenë e tij për kapistre dhe thoshin: “Eja e qëndro këtu, sepse je i mbrojtur plotësisht.” Ai do t’ua kthente: “Lëreni devenë të ecë në rrugën e saj, sepse ajo është e urdhëruar (të qëndrojë aty ku të ketë vendosur Allahu).” Kur deveja arriti te vendi ku do të ndërtohej më vonë xhamia e Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ra në gjunjë. Por Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) nuk zbriti prej saj, derisa ajo u çua dhe eci edhe pak. Pastaj, deveja shikoi majtas e djathtas dhe u kthye e u ul mu te vendi ku pati rënë në gjunjë. Aty Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i zbriti devesë. Njerëzit i luteshin që ta merrnin secili për të banuar te shtëpia e vet. Ebu Ejub Ensariu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i mori plaçkat e Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) i pari dhe i futi në shtëpinë e vet dhe Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) tha: “Njeriu shkon pas plaçkës së vet.” Es’ad ibn Zarare u kujdes për devenë e Profetit (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!). Ai e kapi atë prej kapistre dhe e çoi te shtëpia e vet. Atje ku ishte Profeti (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) vinin çdo natë nga tre e nga katër dhe secili kërkonte që ta merrte te shtëpia e vet. 

Pasi myslimanët u vendosën në Medine, filluan të mallohen e të mërziten shumë, sepse ishin ndarë nga toka dhe shtëpitë, ku kishin lindur dhe ishin rritur. Veç kësaj, në Medine kishte sëmundje. Kështu, i zunë ethet dhe sëmundje të tjera. Prandaj, i Dërguari i Allahut (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) iu lut Allahut kështu: “O Allahu im! Nae bëj të dashur Medinen, si Mekën, ose dhe më shumë se Mekën dhe bëj që të mos ketë sëmundje në të! Begatoje në masat dhe peshat e shitblerjes (jepi furnizim të bollshëm). Largoji ethet e këtij vendi dhe hidhi në Xhahfe!” Allahu i Madhëruar ia pranoi lutjen të Dërguarit të Vet (paqja e Allahut dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) dhe myslimanëve iu larguan sëmundjet dhe ata e deshën Medinen ashtu si Mekën.

HOXHË BEKIR HALIMI

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit