9.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Kërkim falja e Serbisë, fillimi i pajtimit

Më të lexuarat

Nisma nga autoritetet kosovare e procesit për evidentimin e dëmeve dhe të bëmave që u shkaktuan nga lufta e fundit në Kosovë, si dhe formimi i Grupit Punues për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin, reflekton një gjest të mirë, i cili tregon se Kosova është e gatshme të bëhet bashkëpjesëmarrëse në sigurinë dhe stabilitetin në rajon, vlerësojnë ekspertët e fushës së sociologjisë.

Por, ata thonë se nismën e autoriteteve të Kosovës ngrehë pikëpyetjet se a është kjo nismë vetëm një gjest i arsyeshëm politik i autoriteteve të Kosovës dhe a është në koherencë me dispononin real të popullit të Kosovës?

Sociologu Fadil Maloku vlerëson se çështja e pajtimit ndërmjet dy popujve, shqiptarëve dhe serbëve, duhet shikuar në disa rrafshe.

Sipas tij, shikuar në rrafshin moral, do të ishte e natyrshme që Serbia t’i kërkojë falje popullit të Kosovës për dëmet ekonomike, sociale dhe materiale, ashtu sikurse ka vepruar Gjermania, pas Luftës së Dytë Botërore.

“Kjo nuk ndodhi, për shkak se në Serbi, për dallim nga Gjermania, nuk ka ndodhur një lloj ‘katarsisi’ i brendshëm, ku qytetarët e atij vendi e fqinjët tanë, do të ishin të vetëdijshëm për të bëmat, të cilat i ka bërë ushtria dhe ish-regjimi i Milosevicit”.

“Tani, nëse kthehemi në rrafshin politik, kujtoj që iniciativa e Qeverisë së Kosovës është një iniciativë domethënëse dhe e rëndësishme në kuptimin që Kosova dëshiron, përmes kësaj, të bëj një gjest të mirë dhe të tregoj se është e gatshme që të bëhet bashkëpjesëmarrëse në sigurinë dhe stabilitetin në Ballkanin perëndimor”, thotë Maloku për REL.

Edhe sociologu Shemsi Krasniqi, vlerëson se një pajtim ndërmjet popujve, të Kosovës dhe Serbisë, do të ishte i rëndësishëm dhe i dobishëm.

Por, sipas tij, rrugët deri te ky pajtim janë të ndryshme dhe, siç thotë ai, rruga më njerëzore do të ishte kërkim falja e Serbisë ndaj popullit të Kosovës.

Kërkim falja, sipas tij, do të ishte hapi i parë i procesit të pajtimit, i cili siç thotë ai, nuk është i lehtë dhe kërkon kohë, sidomos për fashitjen e dhembjes. Evidentimi i dëmeve, thotë Krasniqi, është i dobishëm për të ardhmen, ashtu sikurse edhe pajtimi..

“Tash, a është herët? Mendoj se për dikë është herët tepër dikë ndoshta nuk është herët. për ata që janë prekur thellë në shpirt, për ata është herët dhe e pamundshme. Mirëpo, megjithatë, popujt dhe shtetet, në parim, do të duhej të krijonin relacione të komunikimit dhe të ofrimit”.

“Por, njerëzit sigurisht se do ta ndjejnë dhembjen për humbjet dhe dëmet që u kanë ndodhur. Evidenca për të kaluarën është e dobishme për të ardhmen dhe brezat e ardhshëm, që ta dinë se çka njerëzit kanë përjetuar, çka njeriu-njeriut i ka shkaktuar dhe çka nuk duhet t’i shkaktojnë”, thekson Krasniqi.

Sociologu Krasniqi ka shtuar se e kaluara nuk duhet të keqpërdoret, e sidomos jo nga politikanët.

Sociologu Maloku thotë se në bazë të analizave dhe hulumtimeve që ka bërë me studentët, për tema të ngjashme siç është çështja e pajtimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, del se disponimi i popullatës në Kosovë nuk jep sinjale mjaft pozitive lidhur me këtë pajtim.

“Jam shumë i bindur se gatishmëria të qytetarët e Kosovës nuk është askund në horizont, për shkak se secili e dimë dhe jemi dëshmitarë që secili qytetarë i Kosovës e ka nga një histori të veten personale për të gjitha të bëmat që i ka bërë Serbia në periudhën e mëhershme, par 14 vitesh”.

“Por, politikisht, po them, si gjest, gatishmëria e qeverisë, kujtoj, pa dashur të bëhem ndonjë avokat, është dhe do të duhej të ishte në koherencë me kohën”, shprehet Maloku.

Në anën tjetër, Grupi Punues për ballafaqimin me të kaluarën dhe pajtimin, ka paralajmëruar se me këtë mekanizëm të ri, do të përcaktohet edhe metoda e gjetjes të së vërtetës dhe si model mund të merret edhe ai i pajtimit në Afrikën e Jugut, pas zhbërjes së aparteidit.

Sociologu Krasniqi, thotë se një model i tillë mund të aplikohet edhe në rastin e një pajtimi të mundshëm ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, ndonëse siç thotë ai, kulturat, rrethanat, qasjet dhe shumëçka tjetër ndryshojnë me ato në Afrikën e Jugut.

“Por, në fakt, ka pasur edhe diçka të përbashkët, sepse në Afrikë të Jugut ka qenë aparteidi, ndërsa edhe në Kosovë, sidomos gjatë viteve të 90-a, ka pasur aparteid. Kështu që, diçka ka të përbashkët edhe në këtë aspekt. Ndërkaq, tash, një komision i së vërtetës do të ishte mirë të krijohej dhe do të ishte mirë që të punonte vërtetë sipas të vërtetës”.

“Do të thotë, të evidentoheshin faktet dhe dëmet e të gjitha natyrave, sepse në qoftë se injorohet ose në njëfarë mënyre qëllimisht harrohet dëmi, krimi ose tragjedia që i shkaktohet dikujt, ajo është një padrejtësi e re”.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës tashmë e ka bërë të ditur se pret që edhe dialogu ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Brukseli, ta ndihmojë procesin e ballafaqimit.kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit