11.3 C
Pristina
Friday, May 17, 2024

KATEGORITË E NJERËZVE SA I PËRKET DASHURISË PËR PEJGAMBERIN (ﷺ) – Dr. Muhamed Broja

Më të lexuarat

Sa i përket dashurisë për Pejgamberin (ﷺ), njerëzit ndahen në tri kategori:
Kategoria e parë: Njerëzit që e teprojnë.
Kategoria e dytë: Njerëzit mospërfillës.
Kategoria e tretë: Ata që janë mesatar mes teprimit dhe mospërfilljes.

Sa i përket kategorisë së parë:
Ky lloj e teproi në dashurinë për të duke shpikur gjëra që Zoti dhe i Dërguari i Tij nuk i ligjësuan, duke menduar kështu se veprimi i këtyre gjërave është shenjë dhe dëshmi e dashurisë për të .
Prej këtyre çështjeve është teprimi në lavdërimin e tij duke e vendosur në një pozitë që nuk i takon apo duke përmendur në poezitë e thurura për të gjëra të pavërteta e hadithe të trilluara.
Pejgamberi alejhi selam ka thënë:
لا تطروني كما أطرت النصارى ابن مريم؛ إنما أنا عبد، فقولوا: عبد الله ورسوله
“Mos e teproni duke më lavdëruar, ashtu siç e tepruan të krishterët me Isain, birin e Merjemes. Vërtet unë jam vetëm një rob, prandaj thoni: Robi i Allahut dhe i Dërguari i tij.”¹
Prej tejkalimit të kufijve në dashurinë për të konsiderohet edhe dedikimi i disa llojeve të adhurimit për të, si: lutja, betimi me emrin e tij, tavafi rreth varrit të tij, fërkimi për dhomën në të cilën ndodhet varri i tij duke kërkuar me këtë vepër begati dhe bereqet, e sajesa apo politeizma të tjerë që bëhen nën pretekstin e dashurisë për të Dërguarin (ﷺ).
Këto gjëra nuk i ligjësoi Allahu e as i Dërguari i Tij, nuk i vepruan as sahabët, të cilët ishin të njohur për dashurinë e tyre për të Dërguarin e Allahut, nderimin dhe respektin për të.
Bile, këto bien ndesh me fenë, ndërsa Allahu dhe i Dërguari i Tij na ka tërhequr vërejtjen nga to.
Është për tu çuditur se kjo kategori nuk u bindet e as nënshtrohet shumë prej urdhërave të Pejgamberit dhe nuk largohet nga shumë ndalesa të tij. Bile, i gjejmë se janë njerëzit më të pabindur ndaj tij.²
Njerëzit duhet ta dinë se dashuria për të Dërguarin e Allahut dhe respekti për të arrihet duke i vërtetuar thëniet e tij, duke iu bindur urdhërave të tij, duke iu shmangur ndalesave të tij, duke e pasuar atë, jo duke e përgënjështruar apo duke e tepruar në lavdërimin e tij.³

Sa i përket kategorisë së dytë:
Këta njerëz nuk treguan kujdes për të drejtat e të Dërguarit të Allahut dhe nuk i përfillën ato. Nuk e vendosën dashurinë për të përpara dashurisë për veten dhe njerëzit e tjerë. Nuk e respektuan dhe nderuan aq sa e meriton.
E gjithë kjo erdhi si rezultat i largimit të tyre nga suneti i tij për shkak të mëkateve që bëjnë, teprimi në dhënien përparësi të dëshirave e tekave ndaj urdhërave të tij, padituria për çështjet e fesë në përgjithësi dhe për të drejtat e Profetit në veçanti, mendimi se mjafton besimi me zemër në profecinë e të Dërguarit të Allahut pa dëshiruar ta realizojnë pasimin e tij.

Kategoria e tretë:
Njerëzit mesatar në këtë çështje. Këtyre u prijnë sahabët, pastaj tabiinët dhe ata që ndoqën gjurmët e tyre. Këta besojnë se dashuria për Profetin është e obligueshme dhe e jetësojnë atë në fjalët dhe veprat e tyre.
Konsiderojnë se dashuria për të Dërguarin e Allahut duhet të vendoset para dashurisë për veten, fëmijët, prindërit, bashkëshortet dhe krijesat e tjera siç ka ardhur në tekste të Kuranit dhe Sunetit të saktë. Besojnë në profecinë e të dërguarit të Allahut dhe i binden e nënshtrohen -aq sa munden-urdhërit të tij.
Tregojnë kujdes për të drejtat e të dërguarit të Allahut dhe i respektojnë në maksimum. E respektojnë dhe nderojnë aq sa i takon, por nuk e teprojnë në lavdërimin e tij e as nuk e ngritin në një pozitë që nuk i takon.⁴


1-Transmeton Buhariu në Sahihun e tij nr. (3445, 6830).
2-Tejsirul Azizil Hamid fq. 181.
3- Shih “Er-Red alel Ihnai” fq.24-25.
4-Shih “Hukuhun-Nebiji ala ummetihi” 1/290-299.

dr.Muhamed Broja
8.09.2023

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit