16.7 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Kalifi dhe rrobaqepësi

Më të lexuarat

Kalifi musliman kur është një njeri që i frikësohet Allahut dhe i zbaton ligjet e Tij, s’ka dyshim se kjo u hap rrugën thirrësve që të zbatojnë një prej detyrave më fisnike, që është urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqja, edhe nëse është prej njerëzve më të thjeshtë, kësisoj përmirësohet Umeti.

Shih këtë qëndrim të mrekullueshëm lidhur me zbatimin e fesë si dhe mprehtësinë në urdhërim për të mirë dhe ndalim nga e keqja, i cili ka ndodhur në kohën e sundimit të kalifit abasit El-Mu’tedid bil-lah në vitin 281 h.

Kadi Ebu Hasan el-Hashimi përmend se një prej tregtarëve të Bagdadit ka rrëfyer:

Disa guvernatorë më kishin marrë borxh, e prolongonin atë dhe nuk ma kthenin të drejtën time. Sa herë që shkoja për ta kërkuar, nuk ma jepte, madje i detyronte fëmijët të më fyenin dhe ofendonin. U ankova tek veziri, por pa sukses. Gjithashtu u ankova tek përgjegjësit e shtetit, por pa sukses, vetëm se edhe më shumë e mohonin borxhin. E humba shpresën për mallin tim, dhe nga njëra anë më kaploi një mërzi.

Duke qenë kështu, një burrë më tha: Pse nuk shkon tek rrobaqepësi? Thashë: Çfarë mund të bëjë një rrobaqepës me këtë mizor ndërkohë që Këshilli Shtetëror nuk mundi t’i bëjë asgjë? Më tha: Këtij i frikësohen më shumë se sa të gjithë atyre që ti u ankove tek ata.

Tregtari shkoi tek rrobaqepësi, dhe bashkë me të shkuan tek prijësi. Kur e pa prijësi, u ngrit në shenjë respekti dhe e nderoi. Rrobaqepësi iu drejtua: Ktheja këtij burri të drejtën e tij përndryshe do ta thërras ezanin. Ngjyra e prijësit u ndryshua, dhe menjëherë ia dha të drejtën (hakun) që i takonte tregtarit.

Tregtari thotë: U çudita me këtë rrobaqepës të leckosur sesi iu bind prijësi dhe e pyeta për historinë e tij. Ai tha: Shkaku i kësaj qëndron në faktin se në lagjen tonë ishte një prijës i lartë shtetëror, një djalosh i ri dhe i pashëm. Një ditë pranë tij duke qenë i dehur kaloi një femër e bukur të cilën e donte për veten e tij. Ai u mundua ta fuste në shtëpinë e tij ndërkohë që ajo nxori klithma: O ju muslimanë! Unë jam një femër muslimane dhe ky burrë më do për vete, i cili përpiqet të më fusë në shtëpinë e tij, e burri im është betuar se do të më shkurorëzojë nëse futem dhe kaloj natën në shtëpinë e tjetrit.

Rrobaqepësi tha: U ngrita dhe e qortova atë, dhe u përpoqa ta shpëtoja gruan, mirëpo ai më shpoi me gjilpërë duke çarë kokën time, e mori gruan dhe e futi dhunshëm në shtëpinë e tij. Unë u ktheva duke pastruar kokën time të gjakosur dhe pasi fala namazin e jacisë në xhami iu drejtova xhematit me fjalët: Tashmë e dini se çfarë bëri ai njeri, prandaj ngrihuni bashkë me mua ta ndalojmë nga e keqja e ta shpëtojmë gruan prej tij.

Njerëzit u ngritën me mua, ia mësymë shtëpisë së tij. Ai u tërbua dhe i nxiti njerëzit e fëmijët që mbanin shkopinj dhe gjilpërë në duart e tyre duke i goditur njerëzit. Ai më mësyu mua dhe më goditi fortë duke më gjakosur. Dolëm nga shtëpia e tij të nënçmuar.

U ktheva në shtëpinë time dhe nuk dija se si të veproja nga dhimbja e madhe dhe nga gjaku i shumtë që rridhte. U shtriva pak, por nuk më mori gjumi. Isha i hutuar dhe nuk dija se çfarë do të bëja për ta shpëtuar këtë grua nga duart e tij, në mënyrë që të kthehej në shtëpinë e saj para mëngjesit, në mënyrë që të mos divorcohej nga burri. U inspirova që ta thërras ezanin e sabahut gjatë natës (para kohës së tij) duke menduar se ka ardhur mëngjesi dhe ta nxirrte gruan nga shtëpia dhe të shkonte në shtëpinë e burrit të saj. Hipa në minare dhe më pas thirra ezanin, ndërkohë që shikoja në dyert e shtëpisë së tij, a dilte gruaja apo jo?

Në një situatë të tillë, rruga u mbush plot me kalorës dhe këmbësorë duke thënë: Kush thirri ezanin në këtë kohë? Thashë: Unë jam ai, duke menduar se do të ndihmonin kundër këtij prijësi të shthurur dhe të prishur. Më thanë: Zbrit dhe eja tek prijësi i besimtarëve.

Kur më futën brenda, dridhesha nga frika dhe u frikësova shumë. Prijësi më tha: Afrohu, dhe unë u afrova. U mundua të më qetësonte derisa m’u largua frika, e pastaj më tha: Ti ke thirrur ezanin në këtë kohë? Unë iu përgjigja: Po, o prijës i besimtarëve. Më tha: Ç’të shtyri që ta thërrasësh ezanin në këtë kohë, duke qenë se ka mbetur më tepër se gjysma e natës, ti me këtë mashtron agjëruesin, udhëtarin, namazliun e të tjerë?

Unë i thashë: A do të më sigurojë prijësi i besimtarëve që t’ia rrëfej tregimin tim? Prijësi i tha: Ti je i siguruar.

Unë i tregova historinë. U zemërua shumë dhe urdhëroi që të sillej djaloshi dhe gruaja menjëherë. Ata erdhën. Gruan, bashkë me disa gra të tjera të besueshme e dërgoi tek burri i saj duke e urdhëruar burrin e saj që t’ia falë dhe të tregohet bamirës ndaj saj, sepse ajo ishte e detyruar dhe justifikohet për këtë veprim.

Më pas, iu drejtua djaloshit duke i thënë: Sa furnizim ke? Sa pasuri posedon? Sa gra dhe sa robëresha posedon? Ai iu përgjigj duke i treguar se posedon edhe pasuri edhe gra. Prijësi i besimtarëve i tha: Mjerë për ty, a nuk të mjafton ajo me çka të ka begatuar dhe lejuar Allahu, e ti kryen ndalesat e Tij dhe i tejkalon kufijtë e Tij? Pastaj, a nuk të mjaftoi ky burrë, i cili të urdhëroi për të mirë dhe të ndaloi nga e keqja, madje e ke goditur, nënçmuar e gjakosur? Djaloshi mbeti pa përgjigje.

Prijësi urdhëroi që djaloshi të lidhet në këmbët e tij, t’i vihen prangat dhe më pas urdhëroi të goditet. Ndërsa policin e burgut e urdhëroi t’i përvetësojë gjithë pasuritë që i shfrytëzonte nga thesari i shtetit islam.

Më pastaj i tha rrobaqepësit: Sa herë që sheh ndonjë të keqe, të madhe apo të vogël, qoftë edhe nga ky, duke bërë me shenja nga polici, më lajmëro, nëse nuk ke mundësi, atëherë shenja ndërmjet nesh është ezani. Thirre ezanin në çdo kohë apo në këtë kohë.

Rrobaqepësi i tha tregtarit, i cili e pyeti për historinë e tij në fillim të bisedës: Prandaj, nuk ndodh që të urdhëroj dikë prej këtyre pushtetarëve vetëm se e zbatojnë atë, dhe nuk i ndaloj nga diçka vetëm se largohen nga frika që kanë nga El-Mu’tedidi. Dhe deri në këtë kohë, nuk pata nevojë asnjëherë të thërrisja ezanin.

Përshtati: Almedin Ejupi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit