20.8 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

“Kajro po bëhet e shëmtuar”: përse Egjipti po ndërton një kryeqytet të ri

Më të lexuarat

Reklamuar si një qytet “smart” në shkretëtirë, me promovimin e gjelbërimit dhe strehimit luksoz, qeveria egjiptiane planifikon të rivendoset në këtë hapësirë që ende nuk ka emër, brenda vitit 2019. Por, a do të lëvizin edhe qytetarët?

Afishet që premtojnë një mënyrë tjetër jetese prej kohësh janë shfaqur në rrugët plot trafik në qendër të Kajros. Reklamime për resorte banimi premtojnë gjelbërim 360 gradë dhe hapësira të bollshme. Njëra prej tyre, në një rrugë të ndotur e të populluar, fton qytetarët: “thjesht merrni frymë”.

Premtimi për arratisje nga qendra e dyndur e Kajros drejt një jete të re, 40 kilometra larg periferisë së qytetit është një fetish për ata që mund ta përballojnë. Projekte të mëdha strehimi janë ndërmarrë për kryqytetin e ri të Egjiptit që ende nuk ka një emër.

Kryeqyteti alternativ do të shtrihet në 700 kilometra katrorë, duke e bërë atë pothuajse po aq të madh sa Singapori, dhe është projektuar të strehojë në total, 5 milionë banorë. Plani përshfaq shtrirjen e ndërtesave të larta dhe rezidencave të banimit si “lagje qeveritare” të gjitha të pozicionuara rreth një “lumi gjelbërimi”, kombinim i ujit dhe gjelbërimit të mbjellë dy herë sa madhësia e parkut qendror të Nju Jorkut.

Projekti është dizenjuar të spastrojë problemet e Kajros dhe të ndërtojë një të ardhme të re të shndritshme. Pjesa më e madhe e ndërtesave qeveritare do të zhvendosen atje, sikundër ndërtesat e zëna nga presidenti egjiptian, Abdel-Fattah al-Sisi planifikojnë që të shkojnë në këtë qytet të ri në qershor 2019. Ambasadat e huaja, po ashtu, inkurajohen të risistemohen atje, dhe bizneset do të joshen nga një lagje qendrore me 20 qiellgërvishtës  të ndërtimit kinez. Por çfarë do të ndodhë me qytetin e vjetër pasi kryeqyteti i ri të zërë vend?

Nëse planet e qeverisë do të jenë të suksesshme, lëvizja do të lërë pas një rrjet ndërtesash të boshatisura, të zotëruara nga e njëjta kompani çadër si në kryeqytetin e ri: qendra e re administrative përfaqëson një nisje të re, por e tillë që do të thithë pasurinë nga kryeqyteti ekzistues.

“Kajro nuk është më e banueshme. Pa masterplan specifik, ka nisur të bëhet e shëmtuar. Nuk ka njerëzillëk”. ​Khaled El-Husseiny

Gjatë një vizite në kantier, tetorin e kaluar, gazetarët u ftuan të shohin ndërtimin e kishës më të madhe të Egjiptit, një ndërtese të kabinetit dhe një pishine me ornamente ndërsa disa avionë luftarakë jepnin shfaqje në qiell.

Fotografitë e projektit “Entrada” shfaqin vila të bollshme pranë pishinave me ujë dhe reklamojnë afërsinë e tyre me parqet dhe terrenin e ashtuquajtur natyror. Një apartament me dy dhoma gjumi, kopshte private dhe dhomë shërbimi – listohet për një çmim rreth 45 mijë paundë egjiptianë.

Zëdhënësi për projektin,  Khaled El-Husseiny, u rezistoi pyetjeve për sasinë e shtëpive të përballueshme në kryeqytetin e ri dhe çmimin mesatar të pronave. “Harrojini numrat, ato nuk janë të rëndësishëm dhe nuk janë caktuar përfundimisht”, tha ai i frustruar. “Ne kemi një ëndërr, dhe po e ndërtojmë ëndërrën tonë, tani”.

E ardhmja  e shumë ndërtesave që përbëjnë infrastrukturën e gjerë të pronave në Egjipt, pjesa më e madhe në qendër të Kajros, mbetet e pasigurtë. Ndoshta ato do të kthehen në hotele.

Qendër e përfunduar konferencash në një hotel në kryeqytetin e ri administrativ.

Por është ende e paqartë sesa shumë para janë hedhur në kryeqytetin e ri administrativ. Tashmë është dhënë vetëm një vlerësim fillestar prej 30 miliardë paundësh, kjo në vitin 2015.

Nuk ka asnjë garanci se kostoja e lartë e strehimit do të lejojë ndokënd në kryeqytetin e ri përveç klasës së lartë të qytetarëve të Kajros dhe projekti rrezikon të shndërrohet në një nismë joshëse por të zbrazët, të ngjashme me “qytetet-fantazmë” në Kinë.

Kaotike… një burrë transporton kuti këpucësh në një Vespa në qendrën e Kajros.

Nuk ka dyshim që rritja e shpejtë e popullsisë së Kajros, dëshpërimisht, nxjerr nevojën për strehim. Numri i banorëve u rrit me gjysmë milioni në vitin 2017, duke e bërë atë qytetin me rritjen më të shpejtë në botë. Kajro e Madhe, tashmë një mega-qytet, strehon 22.9 milionë njerëz dhe projektohet të shkojë në 40 milionë banorë në vitin 2050.

Por qyteti tashmë është rrethuar nga një koleksion i madh qytetthesh gjysmakë, secili prej të cilëve përbën një monument dështimi për ta tërhequr popullsinë nga qendra e Kajros.

Punonjësit që nuk do e përballojnë zhvendosjen me shtëpi në kryeqytetin e ri do të jenë në gjendje të përdorin trenat e propozuar elektrikë për të shkuar në punë, por nuk ka garanci se këta trena do të kenë çmime të përballueshme.

Pamje e lidhjeve të planifikuara të transportit për kryeqytetin e ri: Kajro ndodhet në cep në të majtë.

“Kajro nuk është e përshtatshme për popullin egjiptian”, thotë El-Husseiny, zëdhënës i projektit të kryeqytetit të ri. “Ka radhë të ngjeshura trafiku në çdo rrugë, infrastruktura nuk e përballon dot popullsinë, dhe është shumë e mbipopulluar. Pa një masterplan specifik, qyteti ka nisur të bëhet i shëmtuar… nuk ka njerëzillëk”.

Nuk ka dyshim që dendësia e popullsisë në Kajro i bën banorët e saj të fantazojnë për largimin, edhe pse rrugët e gjera, dritaret e mëdha, uji dhe lulishtet e mirëmbajtura me gjelbërim, duken më shumë si ëndërra e periferisë së Londrës apo Çikagos sesa ide që përshtaten mirë me terrenin shkretëtinor.

Por qeveria është këmbëngulëse. “Kemi nevojë për një pikë referimi, një kryeqytet të ri. Ne kemi të drejtën ta kemi një ëndërr dhe kjo është ëndërra jonë”.

Përgatiti: Juli Prifti – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit