17.4 C
Pristina
Thursday, May 2, 2024

Java e tretë e grevës – nxënësve edhe këtë javë u pamundësohet kthimi në bankat shkollore

Më të lexuarat

Greva në sektorin e arsimit ka hyrë në javën e tretë të saj, dhe arritja e një marrëveshje mes SBASHK-ut dhe Qeverisë së Kosovës duket të jetë larg.

E si rrjedhojë, nxënësve edhe këtë të hënën iu është pamundësuar kthimi në shkolla, kjo për shkak se SBASHK ka marrë vendim që greva të vazhdoi.

Pas një takimi që këta të fundit patën të dielën me kryetarët e Kuvendeve Sindikale Komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve, u mor vendim që greva të vazhdoi për kohë të pa caktuar.

Qëndrim unanim i pjesëmarrësve të këtij takimi ishte që derisa Qeveria nuk ulet në dialog me Këshillin Grevist të BSPK-së dhe nuk realizon kërkesat legjitime të grevistëve, greva do të vazhdojë.

Pas këtij vendimi, ka reaguar Qeveria e Kosovës, duke e quajtur të paarsyeshme kërkesën e SBASHK-ut për 100 euro shtesë.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu ka thënë se janë mbajtur mbi 30 takime me sindikatat, por sipas tij mungon gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara.

“Pra komunikim ka pasur. Takime ka pasur. Pjesa më e madhe kërkesave sindikale janë adresuar ose janë duke u adresuar. Mungon arsyeshmëria e kërkesës për 100 euro shtesë dhe gatishmëria nga sindikatat për ecur përpara”, tha Kryeziu.

Këshilli i Prindërve ka thënë se për shkak të situatës së krijuar shumë nxënës kanë filluar të çregjistrohen nga shkollat publike.

“Kjo situatë e përsëritur për të satën herë, në momentin më të rëndë të arsimit në Kosovë, është tërësisht e papranueshme dhe e paarsyeshme, e cila po dëshmohet edhe me çregjistrime të përditshme të nxënësve nga shkollat publike”, thuhet në njoftimin e tyre.

Greva e SBASHK-ut ka nisur më 25 gusht. Kërkesat e tyre janë pagesa e 100 eurove për çdo muaj deri në miratimin e ligjit për pagat dhe pjesëmarrja e tyre në dialogun social./Telegrafi/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit