6.8 C
Pristina
Sunday, April 28, 2024

Izraeli i sulmon Gazën, Sirinë e Bregun Perëndimor, a do të ndezjet lufta në fronte tjera?

Më të lexuarat

Avionët luftarakë izraelitë i vazhduan bombardimet mbi Rripin e Gazës gjatë të shtunës mbrëma deri në mëngjesin e së dielës, si dhe i sulmuan dy aeroporte në Siri dhe një xhami në Bregun e uzurpuar Perëndimor, teksa po rritet rreziku që lufta tashmë dyjavore me Hamasit të përhapet në një konflikt të gjerë rajonal.

Izraeli ka shkëmbyer zjarr me grupin Hezollah, ndërsa në Bregun Perëndimor të uzurpuar nga Izraeli tensionet po rriten, ku forcat izraelite po i sumojnë kampet e refugjatëve dhe po kryejnë sulme ajrore mbi to në ditët e fundit.

Tash e disa ditë duket sikur Izraeli është buzë nisjes së një ofensive tokësore në Gazë. Tanke dhe dhjetëra mijëra trupa janë grumbulluar në kufi me Gazën.

Por, Ushtria e Izraelit e pranon se ende ka qindra mijëra palestinezë civilë në veri të Gazës pavarësisht urdhrave që ua dha atyre për t’u zhvendosur në jug të vendit, gjë që do t’ia koklaviste pushtimin tokësor asaj. Dhe, rreziku i nxitjes së një lufte më të gjerë me aleatët e Hamasit në Liban dhe në Siri mund ta bëjë atë të ketë dyshime.

Të shtunën, 20 kamionë me ndihma humanitare u futën në Gazë nga Egjipti përmes pikëkalimit Rafah. Kjo ishte hera e parë që diçka ka mundur të futet brenda këtij territori qëkur Izraeli e rrethoi plotësisht Gazën para dy javëve.

Kamionët me ndihma humanitare arrijnë në pikëkalimin kufitar Egjipt-Gaza, 21 tetor 2023.

Punonjësit humanitarë thanë se këto ndihma janë shumë të pamjaftueshme për ta mbuluar krizën humanitare në Gazë, ku gjysma e territorit me 2.3 milionë banorë kanë ikur nga shtëpitë e tyre.

Spitalet, e mbushura me pacientë dhe me personat të shpërngulur, po mbesin pa ilaçe dhe pa karburant për gjeneratorë, duke i detyruar mjekët të kryejnë operacione me gjilpëra për qepje, të përdorin uthull kuzhine në vend të dezinfektuesve dhe pa anestezion.

“Po na thyhet zemra. Çdo ditë, nëse ne i pranojmë 10 pacientë të plagosur rëndë, ne duhet t’i mjekojmë ata me, mbase, tre apo pesë shtretër ICU në dispozicion”, tha për Associated Press (AP) mjeku Mohammed Qandeel, i cili punon në Spitalin Khan Younis Nasser.

Palestinezët që po strehohen në kampet dhe shkollat e udhëhequra nga OKB-ja kanë shumë pak rezerva të ushqimit dhe ujit. Termocentrali i vetëm i Gazës u fik para më shumë se një jave, duke shkaktuar terr total dhe duke i nxjerr jashtë funksionimit sistemet e ujësjellësve dhe kanalizimeve.

Ministria e Brendshme e Gazës, e udhëhequr nga Hamasi, tha se Izraeli kreu sulme ajrore në gjithë territorin gjatë natës dhe mëngjesit të së dielës, përfshirë në pjesët jugore ku Izraeli iu kishte kërkuar palestinezëve të strehoheshin.

Të shtunën në mbrëmje, një sulm ajror e goditi një kafene në qytetin jugor, Khan Younis, ku njerëzit e zhvendosur ishin mbledhur për t’i mbushur telefonat e vet mobilë. Spitali i afërt, Nasser, tha se 12 persona u vranë dhe 75 u plagosën.

Ushtria e Izraelit ka thënë se po i sulmon anëtarët dhe caqet e Hamasit, dhe jo civilët. Militantët palestinezë i kanë vazhduar sulmet e përditshme raketore, me Hamasin që tha se e sulmoi Tel Avivin të dielën në mëngjes.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e mblodhi kabinetin qeveritar të shtunën për të biseduar për pushtimin e pritshëm tokësor, raportuan mediat izraelite. Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Daniel Hagari, tha se sulmet ajrore janë përgatitje për “fazën e ardhshme të luftës”.

Pushtimi tokësor izraelit me gjasë do ta shkaktonte një përshkallëzim të madh të numrit të të vrarëve nga të dyja palët.

Së paku 1.400 njerëz janë vrarë dhe mbi 210 të tjerë janë rrëmbyer nga Hamasi në Izrael, sipas autoriteteve izraelite. Ministria e Shëndetësisë e Gazës tha të shtunën se së paku 4.385 palestinezë janë vrarë, përfshirë qindra fëmijë, si pasojë e bombardimeve.

Mediat shtetërore izraelite raportuan të dielën se avionët luftarakë izraelitë i goditën aeroportet ndërkombëtare në kryeqytet, Damask, dhe në qytetin verior, Alepo. Sipas tyre, dy persona u vranë dhe pistat e aeroporteve u dëmtuan duke i nxjerr ato jashtë funksionimit, si pasojë.

Izraeli ka kryer sulme në Siri qëkur nisi lufta. Edhe pse rrallëherë e pranon se kryen sulme individuale, Izraeli tha se po vepron për t’i parandaluar Hezbollahun dhe grupet e tjera militante të sjellin armë nga padroni i tyre, Irani, i cili e mbështet edhe Hamasin.

Në Liban, Hezbollahu tha se gjashtë luftëtarë të vet u vranë të shtunën, ndërsa nënkryetari i këtij grupi, Sheik Naim Kassem, paralajmëroi se Izraeli do ta paguajë shtrenjtë nëse e nis pushtimin tokësor të Gazës.

Izraeli i goditi caqet e Hezbollahut të dielën në mëngjes.

Po ashtu, Izraeli njoftoi se planifikon t’i evakuojë 14 komunitete në afërsi me kufirin libanez.

Në Bregun e uzurpuar Perëndimor, dhjetëra palestinezë janë vrarë në përleshje me trupat izraelite, bastisjet për arrestime dhe si pasojë e sulmeve nga kolonet hebrenj.

Forcat izraelite i kanë mbyllur pikëkalimet në këtë territor dhe pikat kontrolluese mes qyteteve, si masë parandaluese e sulmeve, sipas tyre.

Izraeli thotë se i ka arrestuar më shumë se 700 palestinezë që nga 7 tetori, përfshirë 480 anëtarë të dyshuar të Hamasit.

Forcat izraelite i vranë së paku pesë persona të dielën në mëngjes në Bregun Perëndimor, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë. Dy u vranë nga sulmet ajrore në një xhami në qytetin Jenin.

Viktimat e së dielës e rrisin në 90 numrin e palestinezëve të vrarë në Bregun perëndimor qëkur nisi lufta më 7 tetor, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit