12.5 C
Pristina
Thursday, May 9, 2024

Itali: Cleopatra vërshon mbi Sardenjë, 14 të vdekur

Më të lexuarat

Të paktën 14 të vdekur dhe rrugë e shtëpi të përmbytura, qindra të zhvendosur, ura të shembura, vërshime lumenjsh, ndërprerje energjie elektrike, vështirësi në trafik, vonesa në transportin ajror dhe hekurudhor. Shumë shkolla do të mbeten të mbyllura.

Është ky bilanci provizor i shkatërrimeve të shkaktuara nga cikloni “Cleopatra” në Sardenjë, që mund të rëndohet më tej, sepse errësira dhe zonat e vështira për t’u arritur po vështirësojnë përpjekjet për shpëtim.

Një “masakër” e vërtet, me 14 viktima, mes të cilëve një grua e re në moshë së bashku me të bijën, si dhe një polic. Kreu i Mbrojtjes Civile, Franko Gabrieli, pas një bisede të gjatë telefonike me Kryeministrin Enriko Leta, ka mbledhur urgjentisht në Romë Komitetin Operacional të Mbrojtjes Civile, për të bërë llogaritë. Presidenti i rajonit të Sardenjës, Ugo Kapelaçi, është nisur për në Galura dhe do të bëjë një inspektim në zonat më të prekura.

Viktima e parë ka qenë një grua e moshës 64 vjeçe, Vanina Figus, e gjetur pa jetë në shtëpinë e saj të përmbytur në Uras, një nga qendrat më të goditura nga moti i keq. I shoqi është gjetur gjallë dhe është dërguar në një spital të Oristanos, në hipotermi. Pikërisht në Uras, dhjetëra familje janë evakuuar dhe do të kalojnë natën në palestrën komunale, ashtu si dhe në zonën e Terralbas, ku të shpërngulurit janë plot 800.

Një tjetër grua, një e moshuar 90 vjeçe, është gjetur e vdekur në shtëpinë e saj të përmbytur në Torpe. Një agjent policie ka vdekur për shkak të shembjes së një ure në Dorgali, Nuorese. Ndërsa 6 viktimat e tjerë janë në zonën e Galuras.

Në Olbia kanë vdekur nënë e bijë, të gjetura brenda një makine, e përmbysur për shkak të vërshimit të ujërave në zonën Bandinu. I shoqi, një polic, që gjendej së bashku me to, ka arritur të shpëtojë. Viktima tjetër është sërish një e moshuar, e cila ka ndërruar jetë në vendbanimin e saj në rrugën Lacio.

3 të vdekur edhe në një aksident rrugor, të shkaktuar nga rënia e një ure në rrugën provinciale numër 38 (Olbia-Tempio), në zonën e Monte Pinos. Janë burri, gruaja dhe vjehrra, të gjetur të vdekur brenda një fugoni, i cili ka përfunduar poshtë urës. Në këtë aksident janë përfshirë gjithashtu edhe 2 mjete të tjera, me 3 të plagosur, të cilët janë shpëtuar nga zjarrfikësit.

Shira të pandërprerë, që prej natës së kaluar, dhe erëra të “çmendura” me shpejtësi 100 km/orë, kanë gjunjëzuar Sardenjën. Përveç Galuras, zonat më të prekura janë Oliastra, Oristaneze dhe Medio Kampidano. Vërshimi i ujërave ka shkaktuar dëme të mëdha gjithashtu nëpër fermat bujqësore, teksa rrugët rurale janë përshkuar tërësisht nga përrenjtë dhe qindra kafshë kanë ngordhur./trt/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit