Istigfari adhurim dhe kërkim falje

Më të lexuarat

﴿وَمَا كَانَ اللَّهُ لِيُعَذِّبَهُمْ وَأَنْتَ فِيهِمْ وَمَا كَانَ اللَّهُ مُعَذِّبَهُمْ وَهُمْ يَسْتَغْفِرُونَ﴾ [الأنفال: 33]

“Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata përderisa ti (o Muhammed) je në mesin e tyre, dhe Allahu nuk do t’i ndëshkonte ata përderisa ata kërkojnë falje (istigfar).”

Ky ajet tregon për vlerën e madhe të istigfarit dhe ndikimin e tij të jashtëzakonshëm në largimin e dënimit në këtë botë. Allahu i Lartësuar e ka lidhur largimin e dënimit me istigfarin, ashtu siç e lidhi me praninë e krijesës më të dashur tek Ai, Muhammedit ﷺ, mes njerëzve.

Madje, Allahu e përmendi istigfarin si shkak të pavarur dhe të mjaftueshëm për largimin e dënimit, duke e përsëritur mohimin e dënimit në pjesën e dytë të ajetit. Kjo bëhet për të larguar çdo mendim se istigfari e pengon dënimin vetëm kur shoqërohet me praninë e të Dërguarit ﷺ.

Nëse istigfari u bë shkak për largimin e dënimit edhe për mushrikët, atëherë sa më tepër do të jetë për besimtarët!

Gjithashtu, Allahu tha:

﴿وَمَا كَانَ اللَّهُ مُعَذِّبَهُمْ﴾

dhe nuk tha:

“ولا يعذبهم”

Sepse shprehja kuranore tregon një mohim të fortë dhe të theksuar, sikur të thuhet se nuk mund të përfytyrohet dënimi për një njeri që kërkon falje nga Allahu.

Një dobi e çmuar

Istigfari sjell dobi edhe kur njeriu vazhdon të bjerë në mëkat.

Shejhulislam Ibën Tejmije رحمه الله ka thënë:

“Disa dijetarë kanë thënë: ‘Istigfari me këmbëngulje në mëkat është pendimi i gënjeshtarëve.’ Kjo vlen kur ai që kërkon falje e thotë istigfarin duke pretenduar se vetë ky istigfar është pendim, ose pretendon se është penduar vetëm me këtë istigfar. Nuk ka dyshim se, përderisa vazhdon me këmbëngulje në mëkat, ai nuk konsiderohet i penduar, sepse pendimi dhe këmbëngulja në mëkat janë dy të kundërta. Këmbëngulja e kundërshton pendimin, por nuk e kundërshton istigfarin pa pendim.”

Kuptimi i fjalës së tij është se nëse dikush mendon se vetëm shqiptimi i istigfarit është pendim, ndërkohë që vazhdon me të njëjtin mëkat, atëherë kjo nuk është pendim i vërtetë. Pendimi kërkon domosdoshmërisht largimin nga mëkati.

Por nëse ai kërkon vetëm falje nga Allahu, atëherë ky është një lutje që i bën dobi. Allahu mund t’ia falë mëkatet për shkak të saj dhe ai mund të përfitojë frytet dhe begatitë e istigfarit.

Istigfar… istigfar…

Nga Ibën Umeri رضي الله عنهما transmetohet se ka thënë:

«كُنَّا نَعُدُّ لِرَسُولِ اللَّهِ ﷺ فِي الْمَجْلِسِ الْوَاحِدِ مِائَةَ مَرَّةٍ: رَبِّ اغْفِرْ لِي، وَتُبْ عَلَيَّ، إِنَّكَ أَنْتَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ»

“Ne ia numëronim të Dërguarit të Allahut ﷺ në një tubim të vetëm njëqind herë fjalët: ‘O Zoti im, më fal mua dhe pranoje pendimin tim, vërtet Ti je Pranuesi i Pendimit dhe Mëshirëploti.’”

— Transmeton Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

Sahabët ia numëronin të Dërguarit të Allahut ﷺ njëqind istigfare në një tubim të vetëm. E ndoshta ai ﷺ ulej në disa tubime gjatë të njëjtës ditë.

Kjo është vetëm ajo që sahabët dëgjonin prej dhikrit që ai ﷺ e thoshte me zë. Ndërsa dhikri që e bënte fshehurazi mund të ketë qenë edhe më i shumtë.

Nuk dihet ndonjë dhikër tjetër për të cilin të ketë ardhur transmetim i ngjashëm me këtë numërim. Kjo tregon se istigfari ishte ndër dhikret më të shpeshta dhe më të vazhdueshme të Pejgamberit ﷺ.
Dr. Abdullah Belkasim
Përktheu: Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit