17.2 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Irani dhe siguria në internet

Më të lexuarat

Sa të sigurtë janë rrjetet e kompjuterave të ministrive dhe të ekonomisë iraniane dhe a kanë sanksionet ndonjë ndikim në sigurinë e internetit në Iran? Pas një sulmi hakerash ndaj kompjuterave të sektorit iranian të naftës të dielën e kaluar (22.04.201) për të gjitha palët po shtrohet përsëri pyetja se sa të prekshme dhe të pambrojtura nga sulme të tilla janë sektorët e ekonomisë dhe të energjisë bërthamore të Iranit?

Sipas të dhënave zyrtare, Irani mundi ta përballojë sulmin përmes internetit ndaj sektorit të naftës dhe eksporti i naftës nuk pati dëme. Sulmi i hakereve u drejtua kundër serverave të kompanisë shtetërore iraniane të naftës, NIOC. Serverat e prekur u hoqën përkohësisht nga rrjeti për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit, tha zëvendësministri iranian i naftës Hamdollah Mohamadnexhad për agjencinë shtetërore të lajmeve IRNA, por dokumente të rëndësishme nuk janë dëmtuar.

Qetësi sa për sy e faqe?

Zyrtarisht Irani po përpiqet të tregojë nga jashtë qetësi dhe të demonstrojnë se e ka gjithçka nën kontroll. Por ngritja e një shtabi krize 24 orë pas sulmit të fundit përmes internetit tregon megjithatë se sa serioze është gjendja. Ekspertë të sigurisë tërheqin vëmendjen për menaxhimin e dobët të krizës në Iran dhe efektet e mundshme të sanksioneve ekonomike ndërkombëtare ndaj njohurive të iranianëve në aspektin e sigurisë së sistemeve kompjuterike.

Sipas Ehsan Norouzit, ekspert për sigurinë në internet, mbledhja e ekipit për menaxhimin e krizës që u bë 24 orë pas sulmit ishte shumë e vonuar. Hakerët pra kanë pasur kohë të mjaftueshme për të depërtuar në të dhëna dhe informacione të rëndësishme  në serverat e Ministrisë së naftës dhe mund t’i përdorin ato për sulme masive në të ardhmen. Edhe pse ka zëra sipas së cilave Irani po punon gjatë tre vjetësh në mënyrë masive në fushën e luftës në internet, ekspertët mendojnë se për shkak të sanksioneve që prekin edhe fushën e teknologjisë së komunikacionit, Irani nuk mund të bashkëpunojë dot me firma me zë në fushën e programeve antivirus.

Edhe pse nuk po thuhet qartë se kush është përgjegjës për këtë sulm, Mahmud Taxhalimer ekspert në fushën e telekomuniacionit thotë se lufta me ndihmën e viruseve të internetit është më pak e kushtueshme se ajo me armë luftarake.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit