17.4 C
Pristina
Monday, June 17, 2024

Intervista e Presidentit Erdogan për televizionin “Al-Arabiya”

Më të lexuarat

“Laicizmi është garanci shtetërore për të gjitha besimet dhe qëndrim i baraslarguar i shtetit ndaj këtyre besimeve”, deklaroi Presidenti Recep Tayyip Erdogan gjatë një interviste për televizionin “Al-Arabiya”…

GAZETARI (Turki Aldakhil): I ftuar në studion tonë është Presidenti i Republikës së Turqisë, z. Recep Tayyi Erdogan. Z. President, mirë se keni ardhur dhe ju faleminderit që i kushtuat kohë televizionit “Al-Arabiya”! Z. President, ju realizuat një turne vizitash në Gjirin Persik, përfshi këtu Bahrejnin dhe Katarin. Cili ishte qëllimi i këtyre vizitave? A do të kenë ato rezultate të rëndësishme?

PRESIDENTI ERDOGAN: Ky turne vizitash i yni, i cili përfshiu Mbretërinë e Bahrejnit, Arabinë Saudite dhe Katarin, sigurisht që ka për qëllim të ngrejë në nivelet më të larta marrëdhëniet tona me këto vende mike. Po ashtu u organizua për të bashkëpunuar në fusha të ndryshme. Ne besojmë se këto vizita do të jenë shumë frytdhënëse. Vizita në Mbretërinë e Bahrejnit, që ishte dhe stacioni i parë i turneut tonë, rezultoi mjaft e frytshme. Ndërsa tani po qëndrojmë në Arabinë Saudite. Edhe programi ynë i këtushëm po kalon më se i dobishëm. Pastaj do të shkojmë në Katar dhe atje do të përfundojë turneu ynë i vizitave në vendet e Gjirit Persik.

GAZETARI: Thuhet se DAESH-i është një strukturë e prodhuar nga disa njerëz. Si e shikon Presidenti Erdogan DAESH-in? Vallë a është DAESH-i me të vërtetë produkt i disa shteteve?

PRESIDENTI ERDOGAN: Duhet të qartësojmë mirë një pikë. Kjo është një organizatë terroriste dhe s’ka kurrfarë lidhjeje me fenë islame. Unë i kam vlerësuar të gjitha këto së bashku dhe secilën prej tyre veç e veç si organizatë terroriste që kur u shkëput nga Al-Kaida dhe u shfaq si një grup i veçantë. E kam thënë përherë se ajo është një organizatë terroriste dhe se nuk mund të ketë lidhje me islamin. Sepse veprat dhe aktivitetet e saj nuk i lidh asnjë gjë me fenë islame. Kjo organizatë ka vrarë shumë njerëz, ka plaçkitur mallrat e tyre dhe ka hapur luftë. Në të njëjtën kohë, kjo organizatë është bërë shkak që drejt rajonit të orientohen edhe organizata terroriste të tjera, të cilat kërkojnë të vënë në provë fuqinë e tyre. Siç e dini, Al-Kaida ishte një organizatë terroriste. Edhe DAESH-i është një grup terrorist. Por kjo nuk mund të vazhdojë kështu. Përse? Sepse po bën kaq shumë persekutime dhe shtypje, saqë vetë këto do t’i sjellin fundin. Po shohim që organizata terroriste DAESH është duke jetuar ditët e saj të fundit në Siri, sepse nuk mund të vazhdojë më gjatë kështu. Ne jemi të vendosur që të luftojmë kundër organizatës në fjalë. Jam i bindur që forcat e koalicionit gjithashtu, por edhe vendet e rajonit, me në krye Arabinë Saudite, janë të vendosura për të arritur këtë synim. Nëse s’ndërmarrim një luftë të përbashkët kundër organizatave terroriste në rajon, atëherë këto do të na shkaktojnë kokëçarje edhe në rajonet e tjera, edhe në vendin tonë, edhe në shtetet e tjera të Gjirit Persik. Në Turqi kemi nisur operacione të shkallës së gjerë kundër organizatës terroriste dhe rrjedhimisht po ndalohen të gjithë personat, që konstatohen të kenë lidhje me organizatën. Ne kemi penguar pjesëmarrjen e 40 mijë personave në radhët e Al-Kaidas. Përpara se të vija këtu, forcat tona të sigurisë ndaluan edhe rreth 1.000 militantë të DAESH-it. Është e pamundur të arrijmë rezultatin e dëshiruar nëse s’luftojmë me vendosmëri kundër terrorizmit. Në rast se nuk e bëjmë këtë në mënyrë të vendosur, atëherë s’do të realizojmë dot kërkesat dhe ëndrrën e popullit sirian. Dëshirat dhe kërkesat e popujve tanë duhet t’i përmbushim duke iu distancuar sektarizmit.

GAZETARI: Pas tentativës së dështuar për grusht shteti, Turqia iu afrua Iranit dhe Rusisë, ndërkohë që vazhdon edhe normalizimi i marrëdhënieve me Izraelin. Vallë a janë këto hapa një mesazh për vendet arabe?

PRESIDENTI ERDOGAN: Falë Zotit, ne arritëm të përmbysim tentativën e pabesë për grusht shteti përmes qëndrimit heroik të popullit tonë. U martirizuan 248 qytetarë. U ballafaquam papritmas me një organizatë terroriste të llojit dhe gjeneratës së re. Kjo organizatë terroriste ishte prej 40 vitesh në pritë dhe u shfaq befasisht. Lideri i kësaj organizate terroriste shkoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe prej atje nisi të drejtojë aktivitetet e organizatës. Rrjeti terrorist në fjalë ka veprimtari në 170 shtete të botës përmes fushës së arsimit, fondacioneve, tregtisë dhe disa metodave të tjera. Kjo organizatë ka një fuqi materiale dhe ushtronte disa aktivitete gjithashtu në Arabinë Saudite. Por, falë Zotit, vëllezërit tanë sauditë bënë atë që duhej kundër kësaj organizate terroriste, e cila po bën përpjekje për të qëndruar në vendet e tjera dhe për t’u infiltruar në to. Është tepër e rëndësishme që vëllezërit tanë arabë t’i mbajnë sytë hapur dhe të jenë të kujdesshëm ndaj kësaj organizate terroriste. Ajo e bën këtë nëpërmjet aktiviteteve arsimore, sidomos duke influencuar fëmijët që në moshë të vogël dhe duke u hapur rrugën atyre për t’u ngjitur në postet e larta shtetërore. Sepse këtë bënë në Turqi. Kjo organizatë fiton 500 milionë dollarë nga shkollat “Charter” në Amerikë. Shkollat në fjalë marrin mbështetje nga shteti, por menaxhohen si shkolla private. Ne bllokuam burimet financiare të organizatës. Si kundërpërgjigje ajo demonstroi një reagim të madh dhe hapi luftë kundër nesh. Sepse organizata siguronte të ardhura shumë të mëdha me anë të institucioneve të saj. Ne i mbyllëm dhe i shfuqizuam këto institucione. Me lejen e Zotit, ne mund të bëhemi akoma më të suksesshëm në lidhje me këtë çështje përmes bashkëpunimit, që do të realizojmë me vendet e Gjirit Persik. Siç e dini, Turqia ka presidencën e radhës në Organizatën e Bashkëpunimit Islamik (OIC), ndërsa Bahrejni atë të Këshillit të Bashkëpunimit për Shtetet Arabe të Gjirit (GCC). Përmes bashkëpunimit, që do të realizojmë duke shfrytëzuar këto shanse, ne mund të arrijmë në një fazë të mirë për sa i takon luftës kundër terrorizmit. Nëse ia dalim në këtë sprovë, me lejen e Zotit, rajoni ynë do të jetë i sigurt.

GAZETARI: Shumica e arabëve nuk implementojnë dot së bashku islamin me laicizmin. Si arrini ju që ta realizoni këtë gjë?

PRESIDENTI ERDOGAN: E kam të vështirë të kuptoj sesi shkaku i krijimit të një lidhjeje ndërmjet fesë islame dhe laicizmit nuk njihet ende nga bota islame. Ne përkufizuam forcën tonë politike. Po ashtu bëmë edhe përkufizimin e laicizmit. Këtë e shpreha edhe kur vizitova Egjiptin, në kohën që Mohamed Morsi erdhi në pushtet. Mbajta asokohe një fjalim në Pallatin e Operës së Kajros. Atje fola për lidhjen e fesë islame me terrorizmin. Si mund ta përkufizojmë islamin? Njerëzit s’janë laikë, ndërsa shteti mund të jetë laik. Kjo është një pikë e rëndësishme; shtet laik do të thotë t’i shikosh të gjitha besimet me tolerancë dhe kjo nënkupton se shteti duhet të qëndrojë i baraslarguar ndaj të gjitha feve dhe besimeve. Mos është kjo vallë një tezë në kontradiktë me fenë islame? Jo, kjo nuk bie ndesh me islamin. Por disa përpiqen që ta interpretojnë ndryshe këtë. Sepse, në vitet e mëparshme, e shikonim laicizmin si një armik të fesë apo si ateizëm. Ne i thamë “jo” kësaj pikëpamjeje. Laicizmi është garanci shtetërore për të gjitha besimet dhe qëndrim i baraslarguar i shtetit ndaj këtyre besimeve. Kjo është realisht shëmbëlltyra e laicizmit në vendin tonë.

GAZETARI: Si do ta përkufizonit ju laicizmin për telespektatorët tanë arabë?

PRESIDENTI ERDOGAN: Përkufizimi im i mësipërm vlen edhe për ata. Sepse ne s’e shohim laicizmin si një armik të fesë; sepse individi nuk mund të jetë laik, pasi laicizmi nuk është një besim. Ndërsa shteti mund të jetë laik. Laicizmi është vetëm garantues për lirinë e të gjitha feve dhe besimeve. Pra, laicizmi përgatit një terren për të kryer lirshëm të gjitha obligimet fetare. Kjo vlen edhe për ateistët. S’është aspak e drejtë që laicizmi të prezantohet si një qëndrim kundër besimtarëve apo fetarëve; madje është diçka krejtësisht e padëshiruar. Natyrisht që në Evropë, sidomos në pjesën anglosaksone të saj, ka gabime në përkufizimin e laicizmit. Mund të ketë interpretime dhe përkufizime të ndryshme. Por në Turqi, në partinë që unë kam themeluar, ne e përkufizojmë laicizmin si më sipër.

GAZETARI: Z. President, ju faleminderit që na kushtuat një pjesë të kohës suaj të vyer!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit