Instrumentet e politikës monetare – Ekonomia Islame

Më të lexuarat

Instrumentet e politikës monetare që banka qendrore në Pakistan ka zbatuar deri tani do të mbeten kryesisht të pandryshuara. Ndëshkimi financiar që ajo u vendos bankave për mosrespektimin e kërkesës për rezervë minimale të parasë ose për raportin e likuiditetit do të vazhdojë, me ndryshimin vetëm të termit “interes”, pasi ky ndëshkim nuk hyn në kategorinë e interesit të ndaluar. E njëjta gjë vlen edhe për rastet kur bankat nuk respektojnë kufijtë e përgjithshëm të caktuar për veprimtaritë e huadhënies dhe investimeve, apo nuk përmbushin objektivat e detyrueshme për financimin e sektorëve prioritarë.

Eliminimi i interesit mbi huamarrjet nga qeveria federale dhe ato provinciale përfshin dy elemente që janë jashtë kontrollit të bankës qendrore: paprekshmëria e konceptit të interesit për qeverinë federale dhe dinamika politike mes federatës dhe provincave. Prandaj, Banka Qendrore nuk ka ndonjë mundësi për të zgjedhur ndryshe.

Interesi që paguhet përmes Bankës Qendrore në marrëdhëniet me institucionet financiare ndërkombëtare dhe agjencitë e ndihmës së huaj përfshin kufizime ekonomike dhe politike ndërkombëtare, për të cilat deri më tani nuk është gjetur ndonjë zgjidhje bindëse dhe e qëndrueshme.

Anomalitë në bankat pa interes dhe propozime për reformë

Pika më e rëndësishme që kritikët myslimanë të interesit sjellin në vëmendje është përfitimi i qëndrueshëm dhe i paracaktuar nga fondet e huazuara, pavarësisht nga produktiviteti real i këtyre fondeve në duart e huamarrësit. Një tjetër pikë lidhet me shpërndarjen e rrezikut, i cili, në rastin e huadhënies me interes, bie tërësisht mbi huamarrësin, i cili zakonisht është sipërmarrësi. Në këtë mënyrë, pronari apo depozituesi i fondeve të papërdorura përfiton në mënyrë të sigurt, ndërsa prodhuesi përballet me rrezikun e humbjes. Këto karakteristika të interesit konsiderohen të padrejta. Në krahasim me këtë, ndarja e fitimit dhe humbjes në formën e musharakah dhe mudaraba-s propozohet si teknika më efektive për të eliminuar këto aspekte të padrejta të interesit. Megjithatë, u kuptua se një bankë nuk mund të lidhë kontrata musharakah ose mudaraba në emër të depozituesve të saj në rastet kur përfitimi financiar nuk mund të llogaritet gjatë periudhës së kontratës së financimit; kur nuk përfshihet tregtia; ose kur projekti ka një periudhë të gjatë zhvillimi pas investimit të fondeve të mëdha.

Si rezultat, për të mbuluar të gjithë sektorët ekonomikë janë prezantuar shumë mënyra të tjera të financimit për të zëvendësuar financimin me interes. Këto janë murabaha, mark-up (një variant i murabahës), shitja me kredi (bai muaxhxhal), qiradhënia, blerja me qira, ndarja e qirasë, tarifa e zhvillimit, blerje me të drejt riblerje (bai vafa), dorëzimi i shtyrë kundrejt pagesës së menjëhershme (ba salam), përveç përfshirjes së instrumenteve financiare si çertifikata e pjesëmarrjes me afat, çertifikata e financimit me afat, çertifikatat mudarba, etj.

Ky punim synon të shqyrtojë në çfarë mase bankat islame ekzistuese në vende të ndryshme po investojnë fondet e tyre në bazë të ndarjes së fitimit dhe humbjes (PLS). Pika tjetër për t’u analizuar është nëse mënyrat e tjera përveç PLS janë të afta të eliminojnë aspektet e kritikuara të interesit. Pas kësaj do të pasojë një diskutim nëse PLS përmes musharakës dhe mudarabës janë vërtet zgjidhje të zbatueshme nga këndvështrimi islam. Nëse jo, çfarë alternative praktike mund të përgatitet që t’i përmbahet Sheriatit nga njëra anë, dhe të shmangë interesin në letër dhe në shpirt, nga ana tjetër.

Më shumë se 50 banka pa interes janë krijuar në pjesë të ndryshme të botës të cilat pretendojnë se operojnë në bazë të mënyrave si musharaka, mudaraba, murabaha, qiradhënie, blerje me qira, etj. Kjo është përveç kalimit të plotë të gjithë sistemit bankar në Pakistan dhe në Iran, të cilët kanë adoptuar të gjitha mënyrat për financimin e sektorëve të ndryshëm të ekonomisë siç u përmend më herët. Por me disa përjashtime, mënyra më e popullarizuar e financimit e përdorur jo vetëm nga bankat individuale pa interes, por edhe nga bankat pakistaneze është murabaha, e cila gjithashtu quhet mark-up ose bai mu’axhxhal. Mënyra se si praktikohet murabaha ndryshon nga një bankë në tjetrën. Ka gjithashtu dallime në teknikat operacionale të musharakës dhe qiradhënies.

Pavarësisht ndryshimeve në mënyrat operacionale të bankave të ndryshme, duket se ekziston një përputhje e jashtëzakonshme në pikëpamjet dhe qasjen e tyre ndaj funksioneve bankare. Duket se, së pari, ekziston një konsensus i nënkuptuar midis tyre se një institucion bankar është i aftë të kontraktojë si tregtar, prodhues, qiradhënës, punëdhënës ose pronar mallrash dhe të mbajë një pjesë të fitimit të realizuar nga këto transaksione për të përmbushur kërkesat e Sheriatit. Së dyti, fitimi që supozohet se i takon shitësit, sipërmarrësit, qiramarrësit ose pronarit të fabrikës mund të bëhet në mënyrë të vlefshme objekt i shpërndarjes mes tyre dhe bankës. Kjo jo vetëm që ka krijuar një sërë vështirësish praktike për bankat, por gjithashtu ka sjellë anomali në skemat që ato kanë adoptuar. Duket se në një numër të madh rastesh, hija e interesit i përndjek ato për të llogaritur një normë të caktuar përqindje në vit edhe në musharaka, mudaraba, qiradhënie, blerje me qira, ndarje qiraje, murabaha (bai muaxhxhal, mark-up), PTC, TFC, etj. Fryma që qëndron pas të gjitha këtyre kontratave duket se synon të sigurojë një fitim të sigurt krahasueshëm me normën aktuale të interesit dhe, sa më shumë të jetë e mundur, të shmangë humbjet që mund të ndodhnin.

Vërehet se hartuesit e bankave pa interes, me gjithë besimin dhe qëllimet e tyre të mira, do të përballen me këtë dilemë përderisa të mos jenë të gatshëm t’i japin bankës rolin që ajo me të vërtetë meriton. Çështja e të drejtës së një banke për të kërkuar një pjesë të fitimit ose një shpërblim për shërbimet e saj përfshin një numër çështjesh praktike. Dhe pikërisht këtu duhet të shqyrtohet me kujdes roli i një banke.

Për arsye historike, bankat janë zhvilluar thjesht si institucione financiare. Ato janë të përshtatshme për të tërhequr para, për t’i mbajtur ato në ruajtje të sigurt, për t’i huazuar në mënyrë të sigurt, për t’i investuar në mënyrë fitimprurëse dhe për të krijuar mjete pagese. Një bankë duhet të ruajë një ekuilibër midis të ardhurave, likuiditetit dhe fleksibilitetit. Gjatë alokimit të fondeve të saj, ajo duhet të jetë jashtëzakonisht e ndjeshme ndaj faktorëve si pozita kapitale dhe shkalla e fitimprurjes së llojeve të ndryshme të huasë, stabiliteti i depozitave, kushtet ekonomike, ndikimi i politikës monetare dhe fiskale, aftësia dhe përvoja e personelit të bankës dhe nevojat për kredi në zonë. Deri tani këto banka mbështeten në një normë fikse kthimi, një pjesë e së cilës i kalohet depozituesit. Kështu, e gjithë përpjekja e një banke është e përqendruar te menaxhimi i parave dhe ajo nuk është e ndërtuar për të vepruar si sipërmarrës, tregtar, industrialist, kontraktues, punëdhënës, qiradhënës ose ofrues shërbimesh.

Lind pyetja: me gjithë këto kufizime, a mund të pretendojë një bankë se ka aftësinë e duhur për të ushtruar veprimtari tregtare apo sipërmarrëse, të cilat janë të domosdoshme për kontrata të tipit musharakah apo mudaraba? A mund të veprojë si pronare e një game të gjerë makinerish të rënda, automjetesh transporti apo pasurish të paluajtshme për të marrë rolin e qiradhënësit? Apo si furnizues që blen dhe rishes mallra importi e eksporti që u nevojiten tregtarëve të vërtetë? Nëse, historikisht dhe praktikisht, një bankë nuk është e përshtatshme për të kryer këto funksione, atëherë bëhet e diskutueshme e drejta e saj për të kërkuar pjesë nga fitimi si partner aktiv, tregtar apo qiradhënës.

M. Hasanuz Zaman

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit