17.2 C
Pristina
Tuesday, April 16, 2024

Hoxhë Florian Leli: Ballkani i Hapur projekt shovenist serb dhe antikombëtar

Më të lexuarat

BALLKANI I HAPUR

Para disa vitesh isha disi i luhatur për nismën e Ballkanit të Hapur. Kishte njëfarë joshje nga ana ekonomike dhe lëvizja e lirë që mund të ndihmonte shqiptarët të lidheshin më lehtë mes tyre. Ndërsa sot, edhe këto luhatje të lehta më janë larguar përfundimisht dhe nuk kam as dyshimin më të vogël që kjo nismë është antikombëtare dhe në shërbim të interesave madhore serbe.

Në vend të kësaj hapje pa të ardhme gjeostrategjike, ne duhet t’i kthejmë sytë nga politika më të rëndësishme për popullin tonë, nga politika e bashkimit kombëtar.

Gjithmonë më ka shqetësuar fakti, se përse Tirana zyrtare, që nga rrëzimi i diktaturës, nuk ka pasur asnjëherë një ministri të diasporës, një ministri e cila duhet të ishte në mbrojtje të çështjes sonë si komb, e cila duhet të ngrinte në instancat më të lartë botërore padrejtësitë dhe plagët e pashëruara dhe të koordinonte lëvizjet politike-shoqërore të bashkësive shqiptare në trevat tona jashtë Shqipërisë.

Tirana jo vetëm që nuk e ka bërë një gjë të tillë përgjatë këtyre tre dekadave, por përkundrazi, ka punuar për harrimin dhe braktisjen e trojeve tona, duke fshirë, ndër të tjera, nga lista e politikës së saj edhe çështjen e bashkimit kombëtar.

Bashkimi mund të jetë aspiratë e madhe, por jo e pamundur. Ai është i vështirë tani, por jo në të ardhmen. Nëse punohet mirë dhe me vrull që tani, kjo e ardhme do të jetë e afërt.

Është për të ardhur keq që ne akoma nuk kemi hequr dot mes nesh as traun e Morinës, për kalimin e lirë, pa trarë, pa ndalesa, mes një populli të vetëm, një toke të vetme, një vendi të vetëm. Është kulmi i hipokirizisë të flasim më pas për kalim të lirë me serbë e sllavë, kur ne nuk jemi në gjendje të përmbushim këtë kalim të lirë pa trarë për popullin tonë!

Kosova për serbët ka qenë dhe do të mbetet ëndërr e pashuar. Ballkani i Hapur do t’u japë mundësi bijve të shovinistëve të bredhin të lumtur e me mburrje, në tokat ku gjyshrërit dhe baballarët e tyre kanë kryer masakra, krime çnjerëzore dhe spastrime etnike. Çdo interes ekonomik pas kësaj është një iluzion i kotë. Gjaku i derdhur nuk falet për para dhe as plagët e hapura nuk mbyllen për ca lekë më shumë. Pa folur që përfitimet ekonomike të Serbisë me daljen në Adriatik, pas izolimit të tanishëm, janë shumë herë më të mëdha se “thërrmijat” që do mbledhim ne. Po i shtrijmë dorën për shpëtim këtij “ishulli” të izoluar në zemrën e Evropës që na ka urryer përherë, këtij ujku të uritur që edhe tani që ka veshur “lëkurën e deles” nuk i ka harruar thirrjet për therjen e zhdukjen e shqiptarëve.

Ne si muslimanë, kryesisht hoxhallarët, duhet të punojmë fort për çështjen e bashkimit kombëtar. Një nga gurët kryesorë që bllokon rrugën e këtij bashkimi është pikërisht Ballkani i Hapur. Nuk është e largët dita kur ne nuk do të diskutojmë bashkimin e Shkupit e Manastirit me tokën mëmë. Nuk është e largët dita kur çamët do të kthehen në trevat e tyre. Çështjet madhore mbeten të gjalla përderisa njerëzit i mbajnë të gjalla dhe luftojnë për to. Ato vdesin vetëm atëherë kur shiten me para (në rastin tonë me nisma ekonomike) apo braktisen e harrohen.

Ne e kemi të qartë nga duhet të drejtohet busulla jonë. Për këtë bashkim duhet punuar fort që tani, pa humbur kohë, për të vjelur frytet e tij në ardhmen e afërme. Për të realizuar këtë duhet punë, punë, shumë punë dhe pak llafe.

Florian Leli

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit