22.7 C
Pristina
Monday, April 29, 2024

Hoxha me pushkë në dorë në mbrojtjen e Çakorrit

Më të lexuarat

Në fshatin piktoresk Radavc i Pejës gjendet edhe Lagjja e Bërdynajve, e cila shtrihet rrëzë bjeshkëve të Podgurit dhe përgjatë shtratit të Drinit të Bardhë. Kjo është lagjja që i dha vendit një patriot të madh siç ishte Mulla Zekë Berdyna, hoxha i cili hapi shkollën e parë shqipe në mejtepin e fshatit. Ai ishte hoxha si komandant u printe forcave vullnetare të 12 bajraqeve në vitet 1941 -1944. Hoxha me pushkë në dorë mbrojti kufirin e Kosovës në Çakorr, Hajlë e Smilevicë. Ai gjithashtu luftoi kundër çetnikëve të Drazha Milajloviqit në Pazarin e Ri e në Bihor dhe në Berane e Andrijevicë, shkruan gazeta Kosova Sot.Pas Luftës së Dytë Botërore u burgos dhe u persekutua në burgjet e Serbisë dhe atë të Goli Otokut.

Kronistët e jetës dhe veprës së Mulla Zekë Zymer Bërdynës pohojnë se ai u lind rreth vitit 1918 në fshatin Radavc. Vjen nga një familje bujare e atdhetare, e cila u dëshmua sidomos në kohët më të vështira të kombit tonë. Koha kur u lind dhe u rrit Mulla Zeka, përkon me kulmin e vuajtjeve dhe torturave qe i bëheshin popullit shqiptar. Trojet shqiptare ishin të copëtuara, kurse popullit i kanosej ekzistenca thuaja edhe fizike. Ishte kohë e tërbimit të çetnikëve sllavë, serbë e malazias.

Me hapjen e parë të shkollës shqipe (mejtep) në Novosellë – Fierzë afërsisht në vitin 1924, Mulla Zeka bëhet pjesë e saj. Edhe pse i kaluar në moshë, nga një bari, me plot sukses e kreu mësimet fillestare duke e vazhduar më pas Medresenë në Pejë. Me suksesin e mirë dhe aftësitë që kishte, vazhdoi dhe e mbaroi Medresenë edhe në Gjakovë.

Njëri nga Zekajt e Berdynajve, i cili shkoi hapave të Mulla Zekë Zymer Bërdynaj është Mulla Sadri Zeka, hoxhë i disa fshatrave të Anadrinit, i cili thotë se është i lumtur por edhe i privilegjuar që pati mundësinë që për disa vite të ketë jetuar afër këtij imami, i cili mbi të gjitha e çmonte kombin. Mulla Sadri Zeka thotë se Mulla Zekë Bërdyna në vitin 1929 kishte pasur një rol shumë aktiv në parandalimin e shpërnguljes së shqiptareve për në Turqi. Ai së bashku me Tahir Alushin, kryefamiljar i Berdynaj kishin shkuar në Turqi për të parë se ku po i shpërngulnin shqiptarët atje dhe më të kthyer në Kosovë ju kundërvunë shpërnguljes së shqiptarëve dhe nëpër tubime kundërshtonin që ata të shpërngulen në Turqi. Mulla Sadri Zeka, hoxha i tashëm nga familja Bërdynaj, kujton fjalët që atëherë i kishte thënë Mulla Zekë Bërdyna “Vëllezër shëtitëm krejt Anadollin, por Kosovën kërkund nuk gjetëm. Mulla Sadria kujton ato fjalë që i kishte rënë t’i dëgjoj edhe vetë më vonë nga goja e tij. “Nuk ka fe pa vatan” kishte përsëritë shumë herë ky hoxhë mendjendritur që e kishte gjithherë kombin dhe fene te pandare.

Në vend të shpërnguljes, ngrehin kulla edhe më të larta

Berdynajt e asaj kohe për të dëshmuar se do nguliten edhe më thellë dhe më fortë në trojet e tyre ngritën kullën e re, e më pas edhe shumë familje të tjera bënë të njëjtën gjë, duke ndërprerë shpërngulën për në Turqi.

Mulla Zekë Zynër Bërdyna ishte anëtar i Komitetit për mbrojtjen e trojeve etnike shqiptare dhe në vitin 1941 nga Kolë Biba administrator ushtarak i Qeverisë së Shqipërisë etnike, Mulla Zekë Berdyna emërohet komandant i forcave vullnetare të 12 bajraqeve, thuhet ndër të tjera në librin e prof. dr. Muhamet Sadikut “Qëndresa nacionaliste e Pejës“.

Si pjesëmarrës i luftës, në periudhën 1941-1945, u shqua me luftën kundër hordhive barbare sllavoçetnike e sidomos të çetnikut Pavle Gjurishiqit. Mulla Zeka ishte komandant i Njësive Vullnetare dhe me sukses iu bëri rezistencë çetnikëve serbë dhe malazezë. U shqua si luftëtar, por edhe si komandant i mirë dhe trim. Në çdo hap në front ishte me ushtarët duke luftuar dhe duke iu dhënë shpresën për fitoren, për një luftë të drejtë që po zhvillonin. Kjo luftë kryesisht ishte zhvilluar që nga Pazari i Ri e gjerë në Beranë. Mund të veçohen betejat e Pazarit të Ri, Smilevicës, Kaquberrit, Shtedimit, Kollashinit por edhe në Bihor për të ndalur masakrën Bihorit (1943) ku edhe plagoset rëndë por ia del të mundi plagët. Ai kur nuk lejoi që këmbë armiku të kaloi Qafën e Qakorrit deri të Kulla e vjetër e Zhlebit kufij ky që u mbrojt fortë nën komandën e Mulla Zekës.

Persekutimi pas Luftës së Dytë Botërore

Pas Luftës së Dytë Botërore pushteti i asaj kohe të pasluftës e emëron kryetar për Komunën e Ozdrimit të rrethit të Pejës, por më vonë vjen në kundërshtim me qëllimet mashtruese të atij pushteti aktual dhe e largojnë nga kjo detyrë. Me të vërejtur dredhitë e këtij pushteti “të ri”, Mulla Zeka rikyqet në Partinë Nacional Demokratike Shqiptare.

Edhe ky si shumë patriotë tjerë arrestohet dhe dënohet me kohëzgjatje prej 16 vitesh burg. Çdokund në odat shqiptare flitej (nga dëshmitarët e kohës) për qëndresën burrërore dhe të paparë gjerë atëherë që Mulla Zeka e tregoi në gjyqin që u mbajt në Pejë kundër tij. Kështu një pjesë të jetës së vet e kaloi në burgjet, në atë të Pejës, Nishit, dhe një pjesë të madhe (8 vite) e kaloi në burgun më famëkeq, të Goli Otokut.

Nga burgu kishte dalë edhe më i fortë shpirtërisht, po me atë mençurinë, urtinë dhe idealin kombëtar. Kishte mbetur i pandryshuar, përkundër vuajtjeve dhe torturave te papara të ushtruara ndaj tij.

Dialogu i hoxhës me ateistin në burg

Sylë Sejdiu një bashkëvuajtës i burgut me Mulla Zekën në burgun famëkeq në Goli Otok, kishte shkruar shumë vite me parë, se e kishin ngushtuar hoxhën pse po falej pesë herë në ditë sa ishte në burg. Njëri nga ta e kishte pyetur “Hoxha a e ke parë ndonjëherë Zotin që po i beson e po i lutësh pesë herë në ditë”. Mulla Zeka ia kishte kthyer “A e ke pa ti Marksin që po përbetohesh kaq shumë në marksizëm”.

Menjëherë pas lirimit nga burgu, kyçet në jetën dhe rrethanat e përditshme. U bë simbol i qëndresës dhe i fjalës se bukur dhe të mençur në shumë oda shqiptare. Ishte pjesëtar i Këshillit të Pajtimit të gjaqeve, ku me angazhimin dhe ndërhyrjen e tij u arrit të pajtohen shumë raste të gjaqeve e ngatërresave të ndryshme. Fjala e tij me vëmendje dëgjohej dhe respektohej nga të gjithë, kudo që fliste.

Komunistët në Shqipëri e detyruan hoxhën të hiqte mjekrën

Mulla Sadri Zeka, i cili si imam erdhi pas Mulla Zekës në atë fshat, kujton sot edh disa nga ndodhitë që përmendën si shembuj mençurie për Mulla Zekën. Ai thotë se kur Mulla Zekë Berdynaj kishte shkuar për të vizituar në Shqipëri njërin nga djemtë që atje i kishte ikë më parë, e paskan ndalë hoxhën në kufi 4-5 orë dhe në fund i biri Mehmeti i paska thënë babait të tij se është problem mjekra e tij, ngase shteti shqiptar nuk po lejuaka që ndonjë hoxhë më mjekër të hyjë në Shqipëri dhe se këtu qëndron problemi. Atëherë Mulla Zekë Bërdyna i paska thënë të birit “m’i bjen mjetet e rrojës se më fortë është ligji i një shteti sesa mjekra e një hoxhe‘ dhe e paska heq mjekrën dhe hyn në Shqipëri për ta vizituar të birin dhe Shqipërinë të cilën e deshti aq shumë dhe më të kthyer në Kosovë sërish e kishte lëshuar mjekrën.

Ata që e njohën Mulla Zekë Berdynen tregojnë se ai ishte një dashamir i arsimimit të brezave të reja. Hoxha këmbëngulte që shkollën ta vijojnë femrat shqiptare që për atë kohë nuk shikohej më sy të mirë. Hoxha u thoshte. “A më mirë me i vizitu, gratë tona, motrat tona dhe nënat e juaja dr. Shantriqi (një gjinekolog serb në Pejë), apo këtë ta bëjnë çikat tona”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit