10 C
Pristina
Friday, May 3, 2024

Haxhi Ali Derhemi 1850-1938

Më të lexuarat

Mendjen, zemrën dhe pasurinë ia fali Islamit

Teologët atdhetarë të shquar nuk i kanë munguar vendit tonë, sidomos në situatat e vështira që ka kaluar ky popull. Pas shpalljes së Pavarësisë më 1912, u pa e domosdoshme krijimi i institucioneve të një shteti sovran. Ndër bën pjesë edhe shkëputja de jure e myslimanëve shqiptarë nga Shejhul Islami i Stambollit. Në krye të këtyre teologëve atdhetarë të shquar që veprimet e veta, gjithmonë, i kanë bazuar në ndjenjat fetare e atdhetare, qe Haxhi Vehbi Dibra, që u ndoq nga shumë shokë, të cilët, nëpërmjet Kongresit Islamik, të mbajtur nga fillimi i viteve ’20, themeluan Komunitetin Mysliman të Shqipërisë. Krijimi i Komunitetit duhej dhe u shoqërua me një radhë masash administrative si:

1. Hartimi i dokumentacionit ligjor për mbarëvajtjen e institucionit të fesë islame në Shqipëri.

2. Ndarja administrative e shoqëruar me emërimin e kuadrit përkatës: myfti, imam, vaiz, etj.

3. Rregullimi dhe inventarizimi i pasurive vakfnore.

4. Vendosja mbi baza specifike për vendin tonë, arsimimi i kuadrit fetar.

5. Propaganda: botimi i revistës dhe librave, etj.

Kongresi islamik zgjodhi në drejtimin e Komunitetit njerëz të shquar të kohës që punuan me përkushtim ndaj çështjes së Islamit në vendin tonë. Në ballë të tyre, që i përmendet emri edhe sot për mirë, ka qenë Haxhi Vehbi Dibra. Sa atdhetar i shquar, aq edhe teolog i dëgjuar i Islamit. Pastaj, me radhë, në Këshillin e Naltë të Sheriatit dhe nëpër poste të ndryshme të Komunitetit Mysliman të sapokrijuar, u zgjodhën njerëz që gëzonin besimin dhe respektin e popullit të vet. Për një pjesë prej tyre diçka është shkruar, ndërsa për të tjerët pritet të evidentohen.

Në këtë shkrim, në bazë të mundësive, do të përpiqem të evidentoj një figurë jo më pak interesante se të tjerat, atë të Haxhi Ali Derhemit, të zgjedhur si zëv/kryetar i Komunitetit Mysliman. Disa vite më vonë, në administratën e Komunitetit, u bënë ndryshime, p.sh. Haxhi Vehbi Dibra, nga kryetar u bë kryemyfti, kështu edhe Haxhi Ali Derhemi, nga zëv/kryetar u bë ndihmëskryemyfti, post në të cilin qëndroi deri sa ndërroi jetë, më 1938.

Haxhi Ali Derhemi lindi në Tiranë, në një familje fisnike, autoktone, aty rreth vitit 1850. I ati i tij, Hasan Derhemi, ka qenë intelektual i shquar i kohës, jurist, inspektor gjyqesh për vilajetin e Shkodrës. Ali Derhemi, pasi pati kryer medresenë në Tiranë, mbaroi shkollë ekonomike turke dhe për vite ka qenë inspektor financash për Kavajën, Durrësin, Shijakun etj.

Bashkëkohësit e tij e mbajnë mend si njeri shumë të zgjuar dhe bamirës. Tregojnë se jo vetëm ka qenë mik i ngushtë i Ahmet Zogut, por duke pasur besim se vendi nën drejtimin e mbretërimit të tij kishte rrugë të drejtë përparimi, u bë propagandues i zellshëm i mbretërisë. Vite me radhë ka dhënë lëndën e matematikës në medrese. Nga fillimi i viteve 20 e në vazhdim, disa herë radhazi është zgjedhur anëtar i Këshillit Bashkiak të Tiranës, kurse në vitet 23-24, zëv/kryetar i Bashkisë. Më vonë, deri sa ndërroi jetë, ka punuar në Komunitetin Mysliman. Qeveria e Ahmet Zogut, duke vlerësuar shumë veprimtarinë e tij në dobi të popullit shqiptar, me rastin e 25 vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë, së bashku me atdhetarë të tjerë të shquar e dekoroi me Urdhrin e Skënderbeut të Klasit I.

Përsa i përket punës së tij si zëvendës i Haxhi Vehbi Dibrës, përveç ndihmës së madhe në Komunitetin Mysliman, vlen të përmendet se, si ekonomist që ishte, ndihmoi shumë në evidentimin dhe inventarizimin e pasurisë së patundshme të vakfeve në Shqipëri (nuk duhet harruar se në këtë organizim, gjithçka u fillua nga zeroja) si edhe në konsolidimin e administratës vakfnore.

Përsa i përket shpirtit të tij si besimtar e klerik i devotshëm, sot mund të shkruhen shumë gjëra për të dëshmuar cilësitë e virtytet e tij të larta, por do të mjaftohemi të përmendim një shkrim të botuar në revistën “Zani i Naltë, nr. 2-3 tetor, nëntor 1933 me titull “Vepra shpirtërore e Haxhi Ali Derhemit, ndihmës i kryemyftiut, ku, midis tjerash, thuhet se “Hirësija e tij Haxhi Ali Derhemi, i frymëzuem nga shpirti i naltë i vet, ka vendosur që pasurinë që ia ka falë i madhi Zot, ta shpenzojë në rrugë të Zotit, dhe kështu ka projektuar një plan për me krye disa vepra të pavdekuna…meremetimin e xhamisë së Shehit të vogël, duke shpenzuar 900 franga ari dhe së shpejti do të fillojë meremetimin e xhamisë së Tetovës etj.”

I tillë klerik i devotshëm ka qenë ai dhe sa jetoi, gjithçka: mendje, zemër e pasuri, ia kushtoi idealit, Islamit. Ndërroi jetë dhe u përcoll nga kjo jetë shumë i nderuar e i respektuar nga populli i kryeqytetit në vitin 1938.

Ali Musa Basha

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit