19.2 C
Pristina
Saturday, April 27, 2024

Greqi, 20 muaj burgim gazetarëve turq që kritikuan emërimin e myftive

Më të lexuarat

KOMOTINI (AA) – Autoritetet greke kanë dënuar me nga 20 muaj burgim pronarin dhe redaktorin e një gazete turke në Greqi për shkak të një shkrimi në lidhje me emërtimin e imamëve nga ana e shtetit grek në Ksanthi dhe Komotini në Thrakinë Perëndimore, raporton Anadolu Agency (AA).

Cengiz Ömer, pronar i Gazetës Millet (Millet Gazetesi) që vepron në Ksanthi, dhe Feyzullah Hasankaya, redaktor i gazetës, janë dënuar nga Gjykata Penale e Ksanthit pasi imamët e emëruar nga autoritetet greke në Ksanthi dhe Komotini, Mehmet Emin Şinikoğlu dhe Cemali Meço, kanë hapur padi për fyerje në një shkrim të botuar në gazetë me nënshkrimin e Hasankahyas.

Gjykata shqiptoi dënim prej 20 muajsh për Ömer dhe Hasankahya, të cilët u liruan nga një gjykatë më e lartë pas një ankese të parashtruar, me kusht për të mos kryer asnjë vepër penale në tri vitet e ardhshme.

Duke folur për AA, Hasankahya tha se qeveria greke shkel gjithnjë të drejtat e pakicës muslimane turke të garantuara me traktate, duke shtuar se Gazeta Millet u ballafaqua me padi vetëm për shkak se i ka aktualizuar këto shkelje përmes shtypit.

Ai tha se problemi i myftive në Thrakinë Perëndimore është një nga “problemet kronike të pakicës”.

“Po pengohet e drejta për të udhëhequr një institucion fetar, që është e drejtë themelore në kuadër të lirisë fetare dhe morale”, tha Hasankahya, duke vënë theksin mbi rëndësinë e institucionit të myftiut për muslimanët.

“Fatkeqësisht, qeveria greke në një mënyrë diktatoriale dhe pa konsultuar turqit muslimanë të Thrakisë Perëndimore, imponon në krye të myftinisë persona të padenjë dhe të pakarekterë të cilët nuk aprovohen nga shoqëria”, shtoi Hasankahya.

Ai tha se gazeta sulmohet nga disa qarqe për shkak se shkruan për çështjet në fjalë.

“Ne nuk frikohemi dhe kurrë nuk do të heshtim. Do të aktualizojmë në çdo platformë deri në fund të gjitha të drejtat tona që burojnë nga traktatet ndërkombëtare…Allahu është ndihmës i të drejtëve”, theksoi ai.

Ndërkaq, pronari i gazetës, Cengiz Ömer, përmes një mesazhi në rrjetet sociale në lidhje me padinë, e cilësoi atë si një “padi të llojit që do të ngelet në histori” për shkak të mënyrës së procedimit.

Ndryshe, Hasankaya në shkrimin e tij që shkaktoi hapjen e padisë kishte shkruar se emërimi i myftive nuk është në përputhje me traktatet dhe ligjet për arsye se nuk zgjidhen me vota nga popullata muslimane, dhe si të tillë “nuk meritojnë të bartin epitetin myfti”.

Çështja e zgjedhjes së myftive ka qenë problem i pakicës muslimane turke të Greqisë, e përqendruar në rajonin e Thrakisë Perëndimore, që nga viti 1991.

Zgjedhja e myftive nga myslimanët në Greqi u mbulua nga Traktati i Athinës i vitit 1913 ndërmjet Greqisë dhe Perandorisë Osmane dhe më pas u përfshi në Aktin Grek 2345/1920, para krijimit të Republikës së Turqisë.

Traktati i vitit 1923 i Lozanës gjithashtu garanton liritë fetare të pakicës muslimane në Greqi.

Megjithatë, Greqia anuloi Aktin Grek në vitin 1991 dhe filloi të emërojë vetë myftitë.

Shumica e turqve muslimanë në qytetet Komotini dhe Ksanthi nuk i njohin myftitë e emëruar dhe në vend të tyre zgjedhin myftitë e vet, por këto të fundit nuk njihen nga shteti grek.

Përkundër kësaj situate, myftitë e emëruar në Thrakinë Perëndimore vazhdojnë të kenë autoritetin për të gjykuar në çështjet familjare dhe trashëgimore të muslimanëve vendas.

Turqia ka kohë që i është ankuar Greqisë dhe Bashkimit Evropian për diskriminimin ndaj pakicës turke në Thrakinë Perëndimore, duke thënë se kjo gjendje është në kundërshtim me traktatet e zbatueshme dhe ligjin e BE-së.

Në rajonin e Thrakisë Perëndimore të Greqisë jetojnë rreth 145 mijë turq muslimanë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit