Si nuk arriti të paralajmërojë dhjetë milionë njerëz për ashpërsinë e lëkundjeve
Google ka pranuar se gjatë tërmeteve shkatërruese në Kahramanmaraş, Turqi, më 6 shkurt 2023, sistemi i saj i paralajmërimit të hershëm për tërmetet nuk arriti të dërgojë njoftime për afërsisht dhjetw milionë përdorues.
Sipas një raporti të BBC-së, Sistemi i Paralajmërimit të Hershëm për tërmetet (AEA) i Android-it, i cili është zhvilluar dhe menaxhuar nga Silicon Valley në Kaliforni, nuk funksionoi siç ishte menduar gjatë një serie tërmetesh shkatërruese që goditën Turqinë juglindore.
Google konfirmoi se sistemi AEA nuk dërgoi një paralajmërim të përshtatshëm, edhe pse ishte aktiv. Sistemi supozohej të dërgonte nivelin më të lartë të paralajmërimit për njerëzit deri në 157 kilometra nga epiqendra, por në vend të kësaj, për shkak të një llogaritjeje të gabuar të magnitudës, në disa raste shfaqi një tërmet me magnitudë 4.5–4.9, kur në realitet ishte një magnitudë 7.7.
Si rezultat, miliona përdorues mbetën pa informacion në kohë që mund të kishte shpëtuar jetë. Në kohën e impaktit të parë, vetëm 469 pajisje morën mesazhin “ndërmerrni veprime”, ndërsa rreth 500,000 përdorues morën një paralajmërim më të butë për “dridhje të lehtë”, i cili nuk kërkonte një përgjigje specifike.
Pas një tërmeti të dytë në të njëjtën ditë, paralajmërimi “ndërmerrni veprime” iu dërgua 8,158 pajisjeve, ndërsa mesazhi “kini kujdes” iu dorëzua katër milionë përdoruesve. Megjithatë, për shkak të mangësive teknike dhe vonesave, edhe këto njoftime nuk ishin mjaftueshëm efektive.
Google theksoi në një deklaratë se sistemet e paralajmërimit të hershëm janë sfiduese për t’u ndërtuar dhe se ato vazhdojnë të zhvillohen bazuar në përvojën e çdo tërmeti të ri. “Ne vazhdojmë të zhvillojmë sistemin në përputhje me atë që mësojmë pas çdo tërmeti”, tha kompania.
Elizabeth Reddy nga Shkolla e Minierave e Kolorados në SHBA e vlerësoi si shqetësuese faktin që Google-it i janë dashur më shumë se dy vjet për ta njohur dhe pranuar këtë gabim. “Njerëzit humbën jetën dhe sistemi nuk funksionoi siç kishim shpresuar”, tha ajo.
Google tani pretendon se sistemi është përmirësuar dhe aktualisht po funksionon në 98 vende, përfshirë Turqinë, ku më shumë se 70 përqind e telefonave inteligjentë përdorin sistemin operativ Android.
Tërmetet që goditën 11 provinca turke më 6 shkurt 2023, vranë 53,537 njerëz dhe plagosën më shumë se 107,000. Shtatë ditë zie kombëtare u shpallën pas tërmetit, i cili u quajt “katastrofa e shekullit”. /tesheshi.com/
