7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Gjermania e shokuar nga sulmi ndaj ushtarëve të saj në veri

Më të lexuarat

Qeveria e Gjermanisë ende po i analizon pamjet dhe materialet që janë mbledhur nga përleshja e serbëve me ushtarët e tyre në Rudar të Mitrovicës, në ditën e parë të këtij muaji. Ambasadori gjerman në Kosovë, Ernst Reichel, ka thënë se provat, pamjet dhe gjithçka tjetër tregojnë se grupi i mbledhur i serbëve kishte për qëllim vrasjen e ushtarëve gjermanë.

“Kur gjuan në kokë, plumbi mund të godasë helmetën, që në këtë rast ka shpëtuar jetën e ushtarit, por mund të godasë edhe veshin që do të kishte qenë fatale. Është shumë e qartë se qëllimi ka qenë vrasja e ushtarëve”, ka thënë ambasadori gjerman, Ernst Reichel.

Përfaqësuesi i Gjermanisë në Kosovë ka parë nga afër gjithë evidencën që ushtarët e KFOR-it kanë mbledhur nga vendi i ngjarjes, ditën kur kanë larguar një barrikadë në Rudar e janë sulmuar nga një grup serbësh. Dy ushtarë janë plagosur.

“Kam parë vrimat e plumbave në helmetat e ushtarëve, në veturat e tyre. Të gjitha dëshmojnë se ata janë sulmuar pasi që i kanë marrë pozicionet e tyre. Një orë pas vendosjes së KFOR-it në vendin që e ka pasur për qëllim, serbët kanë ardhur dhe kanë sulmuar ushtarët”, ka shpjeguar Reichel.

Ambasadori gjerman ka kundërshtuar deklarimet e përfaqësuesve ilegalë të serbëve lokalë të veriut, të cilat kanë thënë se “qytetarët e pafajshëm janë sulmuar nga KFOR-i”.

“Është plotësisht i pavërtetë pretendimi që ushtarët gjermanë kanë gjuajtur me municion të vërtetë. Ka shumë prova që dëshmojnë të kundërtën. Por kur i sheh helmetat e ushtarëve dhe vrimat e plumbave në to, ka një konstatim që është shokues. Shtënia në helmetë tregon se qëllimi ka qenë vrasja e ushtarëve…Kam pasur mundësinë që t’i shihja nga afër të gjitha provat e atij sulmi, të atij shkëmbimi të zjarrit, ku u plagosen dy ushtarët gjermanë. Plagosja e ushtarëve nuk është argumenti i vetëm, por ka edhe shumë evidencë që dëshmon se ajo ka qenë dhunë e armatosur”, ka thënë Reichel, shkruan sot Koha Ditore./kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit