8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Gjëra që duhet të kemi për qëllim kur vishemi – Hoxhë Florian Leli

Më të lexuarat

Malik ibën Nadla tregon: “Isha ulur te i dërguari i Allahut (sallallahu alejhi ue sellem) e më pa me rroba të vjetruara e më tha: A ke pasuri? I thashë: Po o i dërguar i Allahut, nga çdo lloj pasurie. Më tha: Kur Allahu të jep pasuri le të shfaqen gjurmët e saj te ty”. E transmetojnë Nesaiu, Ebu Daudi, Tirmidhiu e të tjerë.

Komentuesi i Sunenit të Tirmidhiut, Mubarekfuri, thotë: “Ka për qëllim: vish rrobë të mirë që njerëzit ta dinë që ti je i pasur dhe që Allahu të ka dhënë mirësi të shumta.

Në librin “Sherhus sunneh” thuhet: Kjo në lidhje me pastërtinë dhe rinovimin e rrobës sipas mundësive, pa e tepruar në luks dhe në butësi, e pa veshur rrobë mbi rrobë ashtu siç veprojnë axhamët (jomuslimanët).

(Mulla) Kariu ka thënë: Sot arabët ua kanë kaluar axhamëve. Them (Mubarekfuri): Gjëndja në kohën tonë vazhdon të jetë e tillë.

Begeviu thotë: “Është transmetuar nga profeti (sallallahu alejhi ue sellem) ndalimi prej luksit të tepruar”.

Bejhekiu transmeton nga Ebu Hurejra dhe Zejd ibën Thabiti se profeti (sallallahu alejhi ue sellem) i ka ndaluar dy tërheqëset, hollësinë e rrobave dhe trashësinë e tyre, butësinë dhe ashpërsinë e tyre, gjatësinë dhe shkurtësinë. Zgjedh diçka mes tyre dhe të mesme.”. Mbaroi komentimi i Mubarekfurit.

Axhamët (العَجم) në lidhje me arabët janë të huajt, pra ata që nuk janë arabë. Zakonisht përdoret për persët veçanërisht, ose për të gjithë të huajt përgjithësisht duke përfshirë persë, grekë e latinë. Këtu është përdorur me kuptimin e jomuslimanëve. Herë herë fjalët “arab” dhe “axhem” përdoren për të treguar identitetin fetar, pra për muslimanët dhe jomuslimanët, njësoj si fjala “turk” në përiudhën osmane, e cila përdorej për çdo musliman, pavarsisht prejardhjes, e kundërta e fjalës “kaur”.

Qëllimi i Mulla Kariut është që muslimanët në kohën e tij janë dhënë pas veshjeve dhe e kanë tepruar më shumë se jomuslimanët.

Ndërsa dy tërheqëset janë ato që tërheqin vëmendjen e njerëzve, ato rroba që vishen për të rënë në sy. Në arabisht është përdorur fjala “shuhre” (شُهْرة) me kuptimin me u dallu, me ra në sy e me u duk.

Veshjet që tërheqin vëmendjen e njerëzve janë dy lloje:

1- Kur i pasuri, ai që ka dhe nuk është nevojtar, vishet keq, me rroga të vjetruara, me këmishë të grisur, këpucë të vjetra e rroba të ashpra. Ai bie në sy, shpeshherë për keq, e shpeshherë njerëzit e marrin për të vobektë, duke u shfaqur ndryshe nga ç’është. Ndonjëherë ai vishet e mbathet kështu, për t’u dukur asket i devotshëm dhe për të tërhequr vëmendjen e njerëzve. Në fakt kjo është një devotshmëri e shtirur dhe artificiale e cila në vend që ta afrojë njeriun te zoti, e largon atë.

2- Kur njeriu e tepron duke veshur ato më butat, më të hollat, më të shtrenjtat, më luksozet të cilat shpeshherë janë mbi mundësitë e tij, me dëshirën për t’u dukur, për të rënë në sy. Një i tillë nuk e ka kuptuar botëkuptimin e besimit dhe thelbin e bukurisë.

Prandaj ai që ka vishet e mbathet mirë, ashtu si i shkon për shtat, pa teprime. Ndërsa ai që nuk ka vesh ç’të ketë mundësi, pa shtirje e sforcime. Në një hadith profetik tjetër thuhet që modestia dhe moskokçarja në veshje janë prej imanit. Në fakt të dy këto hadithe sqarojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin, sepse qëllimi është përshtatshmëria dhe mesatarja dhe Allahu është më i ditur.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit