Gaza vazhdon të shuhet në errësirë, ndërsa bota hesht…

Më të lexuarat

Mungesa e karburantit, vajit të motorit dhe pjesëve rezervë po paralizon jetën, ndërsa kriza humanitare thellohet çdo ditë

Gaza nuk po vuan më vetëm nga shkatërrimi i drejtpërdrejtë i luftës. Siç raportoi së fundmi The Guardian, një krizë më e heshtur, por po aq shkatërrimtare, po përhapet në çdo cep të territorit: mungesa e benzinës, vajit të motorit dhe pjesëve rezervë.

Në një realitet ku gjithçka varet nga gjeneratorët dhe mjetet e improvizuara, këto mungesa po e çojnë shoqërinë drejt paralizës. Në spitalin e Martirëve të Al-Aksa në Gazën qendrore, një gjenerator i vogël – jetik për funksionimin e sallave të operacionit – pushoi së punuari.

Pa të, operacionet kirurgjikale u pezulluan. Mjekët u detyruan të punojnë në kushte minimale, ndërsa riparimet kryhen me pjesë të çmontuara nga pajisje të tjera të dëmtuara. Sipas The Guardian, mirëmbajtja tashmë është kthyer në një proces “të copëzuar”, ku gjeneratorët e vjetër sakrifikohen për të mbajtur gjallë ata që ende funksionojnë.

Me afrimin e temperaturave të larta të verës, presioni mbi sistemin shëndetësor rritet. Çdo ndërprerje energjie rrezikon jetën e pacientëve në terapi intensive dhe të plagosurve që presin ndërhyrje urgjente.

Në disa raste, punonjësit shëndetësorë përdorin dritën e telefonave për të kontrolluar pacientët në errësirë. Spitali, dikur simbol i shpresës, sot mbijeton me burime të rrënuara.

Kriza prek edhe shërbimet e emergjencës. Automjete zjarrfikëse dhe ambulanca kanë dalë jashtë funksionit për shkak të mungesës së vajit të motorit dhe pjesëve këmbimi.

Ekipet e mbrojtjes civile po përgjigjen vetëm ndaj rasteve më kritike, sepse çdo litër karburanti është i pazëvendësueshëm. Në një territor ku rreziku është i përditshëm, edhe reagimi ndaj emergjencave është bërë luks.

Vaji i motorit, një produkt i zakonshëm në çdo vend tjetër, është kthyer në mall të rrallë dhe të papërballueshëm. Çmimet janë rritur në mënyrë drastike, ndërsa cilësia shpesh është e dobët. Mekanikët kanë nisur të çmontojnë automjete të tëra për të shpëtuar të tjera.

Motorë dhe pjesë të përdorura riciklohen në përpjekje për të zgjatur jetën e mjeteve të mbetura në funksion. Në rrugët e Gazës, makinat e braktisura janë bërë simbol i një shoqërie që po ndalet.

Transporti i kufizuar prek drejtpërdrejt familjet me të sëmurë apo të plagosur. Udhëtimet drejt spitaleve bëhen në këmbë ose me karroca, nën vapën përvëluese. Sipas raportimit të tretë të The Guardian, edhe furnizimi me ujë dhe buka janë nën kërcënim.

Impiantet e shkripëzimit prodhojnë më pak ujë për shkak të mungesës së energjisë dhe pjesëve rezervë. Në shumë zona, uji vjen vetëm një herë në dy ditë. Familjet janë detyruar të reduktojnë larjen dhe pastrimin, duke rritur rrezikun e sëmundjeve, sidomos tek fëmijët.

Furrat e bukës, që varen nga gjeneratorët, po ulin prodhimin ose po mbyllen. Në mungesë të gazit, njerëzit përdorin dru zjarri – shpesh edhe mbeturina plastike – për të gatuar. Çmimet e mallrave bazë janë rritur ndjeshëm, duke e bërë mbijetesën një betejë të përditshme.

Ndërkohë, kufizimet mbi importet e karburantit dhe mallrave vazhdojnë. Pjesë të mëdha të territorit janë të paarritshme për banorët, të cilët nuk mund të kthehen në shtëpitë apo bizneset e tyre për të marrë sendet personale.

Shkatërrimi i ndërtesave dhe zhvendosja masive e popullsisë e thellojnë krizën humanitare. Në Gaza, mungesa e vajit të motorit është bërë metaforë e një realiteti më të gjerë: kur mungon një element i vogël, i gjithë sistemi shembet.

Spitalet, ujësjellësit, furrat e bukës dhe shërbimet e emergjencës varen nga hallka që po këputen një nga një.  Ndërsa gjeneratorët heshtin dhe rrugët boshatisen, Gaza përballet me një errësirë që nuk është vetëm mungesë energjie, por mungesë reagimi. Dhe në këtë terr, ajo që rëndon më shumë është heshtja e botës. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit