13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Gaza, mesazhi më i fundit nga Ushtria amerikane

Më të lexuarat

Paralajmërimi: Nëse negocitatat Izrael-Hamas dështojnë….

Financial Times raportoi se ushtria amerikane po përgatitet për mundësinë e një prishjeje të bisedimeve të armëpushimit midis Izraelit dhe Hamasit, mes frikës se një kolaps i bisedimeve mund të çojë në një përshkallëzim të luftës në rajonin më të gjerë.

Shefat e Shtabit të Përbashkët të SHBA, gjenerali C.Q Brown shprehu shqetësimin për ndikimin e mundshëm të pezullimit të negociatave në tensionet rajonale.

Në rrugën e tij për të marrë pjesë në një takim të Grupit të Kontaktit të Ukrainës në Gjermani, Brown shpjegoi se po studion se si do të reagojnë aktorët rajonalë nëse bisedimet dështojnë, duke paralajmëruar se zhvillime të tilla mund të çojnë në rritjen e aktivitetit ushtarak dhe përhapjen e luftës. Ai gjithashtu theksoi se fokusi kryesor është shmangia e përhapjes së konfliktit dhe mbrojtja e forcave amerikane.

Administrata e presidentit amerikan Joe Biden i sheh bisedimet e armëpushimit si çelësin për uljen e tensioneve në rajon dhe shmangien e shpërthimit të një lufte gjithëpërfshirëse rajonale.

Bisedat çalojnë

Megjithë përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të qëndruar optimiste për bisedimet, ato mbeten në ngecje për shkak të qëndrimeve të ndryshme midis Izraelit dhe Hamasit për lirimin e të burgosurve nga të dyja palët, si dhe kërkesës së Izraelit për të mbajtur forcat e veta përgjatë Korridorit të Filadelfias në kufiri midis Rripit të Gazës dhe Egjiptit.

Në një deklaratë të enjten, Sekretari i Shtetit Antony Blinken tha se Shtetet e Bashkuara “në ditët e ardhshme” do të ndajnë idetë me palët e interesuara se si të zgjidhin çështjet e mbetura.

Pavarësisht optimizmit që Shtetet e Bashkuara po përpiqen të ruajnë, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mohuar publikisht përparimin në bisedimet, duke i thënë Fox News se një marrëveshje “nuk është ende afër”, shtoi ai.

Nga ana tjetër, zyrtarë të lartë amerikanë kanë thënë për gazetën se 90 për qind e bisedimeve tashmë kanë përfunduar, por gjithashtu kanë pranuar se ende nuk janë zgjidhur pikat e vështira të negociatave, duke hedhur poshtë kritikat se janë shumë optimistë për procesin.

Zhgënjimi i administratës Biden

Nga ana tjetër, zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA, John Kirby shprehu dje zhgënjimin për mungesën e marrëveshjes deri më tani, duke vënë në dukje se administrata amerikane është përballur me disa pengesa.

Në fillim të kësaj jave, Biden shprehu zhgënjimin me rolin e Netanyahut në negociata, duke thënë se ai beson se kryeministri izraelit nuk po bën mjaftueshëm për ta shtyrë marrëveshjen përpara. Megjithatë, ditët e fundit Uashingtoni ka fajësuar edhe Hamasin për bllokimin e negociatave.

Një zyrtar i lartë amerikan tha se vdekja e gjashtë të burgosurve izraelitë javën e kaluar “demonstroi nevojën për të përshpejtuar procesin (negociatorëve)”, por gjithashtu “shprehte dyshime për gatishmërinë e Hamasit për të arritur ndonjë marrëveshje”. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit