Fusha e negociatave nuk është më pak e rëndësishme se ajo e betejës. Të dyja janë skena ku përcaktohet fati i popujve dhe ku sprovohet qëndrueshmëria e njerëzve ndaj padrejtësisë. Secila ka burrat e saj, rregullat e saj, përvojën dhe strategjinë e vet. Në të dyja kërkohet guxim, urtësi dhe besim i thellë në drejtësinë e çështjes. Në Librin e Tij, Allahu i Madhëruar i ka përmendur të dy këto fusha luftën dhe bisedimin dhe në secilën ka dhënë udhëzime, urdhra dhe dispozita. Sepse beteja nuk është vetëm ajo që zhvillohet me armë, por edhe ajo që ndodh me fjalë, me vendime dhe me durim.
Raundi i fundit i negociatave që vëllezërit tanë në Gaza kanë përjetuar është ndoshta ndër më të vështirat dhe më të ndjeshmet e historisë së tyre. Ata nuk janë përballur vetëm me një armik që përdor forcën, por edhe me një sistem ndërkombëtar që shpesh mbyll sytë para dhunës dhe padrejtësisë. Në një terren të tillë, çdo fjalë, çdo nënshkrim, çdo lëshim apo refuzim, bëhet një akt i llogaritur me kujdes një ekuilibër mes dinjitetit dhe mbijetesës.
E megjithatë, me ndihmën e Allahut, ata arritën të ecin në këtë rrugë të minuar me urtësi e përkushtim. Ata kërkuan zgjidhjen më të drejtë të mundshme brenda kufijve të asaj që u lejonin rrethanat, duke u përpjekur të minimizojnë humbjet dhe të mos i dorëzohen plotësisht vullnetit të armikut. Në këtë përpjekje, ata dëshmuan se qëndresa nuk është vetëm me armë, por edhe me vendosmëri morale dhe politike.
Pas një sprovoje të tillë, mbetet vetëm një dorëzim: ai ndaj Allahut, Zotit të botëve. Ai është Mbrojtësi, Kujdestari dhe Mjaftuesi i besimtarëve. Kur forcat njerëzore shterojnë dhe rrugët mbyllen, besimtari e di se mbështetja e vërtetë vjen vetëm prej Tij.
“Allahu është më i miri ndër ata që kurdisin plane” sepse në fund, çdo kurth i armikut kthehet kundër vetë tij.
“Nëse duan të të mashtrojnë, të mjafton ty Allahu.”
“E nëse duan të të tradhtojnë, ata e kanë tradhtuar Allahun më parë, por Ai ua bëri të mundur (të dështojnë); dhe Allahu është i Gjithëdijshëm, i Urtë.”
Kështu, lutja e zemrës mbetet e thjeshtë, por e thellë:
O Allah, bëj që planet të kthehen në dobi të vëllezërve tanë në Gaza, e mos lejo që kurthet e armiqve të bien mbi ta.
Në këtë lutje përmblidhet thelbi i besimit bindja se historia, me gjithë padrejtësitë e saj të përkohshme, është nën dorën e Allahut. Dhe se fitorja, në çdo fushë qoftë ajo e luftës apo e bisedimit u përket atyre që qëndrojnë me të drejtën, me durim dhe me besim të palëkundur.
Hoxhe Bekir Halimi
