Fundi i zullumqarëve: një lexim në ligjet e përplasjes (tedafu’) dhe ndëshkimit hyjnor
O vëlla mysliman i sinqertë!
Dije se ditët ndërrohen (mes njerëzve), se shpërblimi është sipas veprës dhe se drejtësia e qiellit zbatohet mbi krijesat e Tij nuk anon nga askush dhe nuk bën lajka ndaj askujt.
Ligji i Allahut në këtë univers ka qenë gjithmonë kështu: padrejtësia edhe nëse zgjat përfundimi i saj është shkatërrimi; dhe gjaku i të pafajshmëve edhe nëse ndëshkimi i tij vonohet për një kohë nuk shkon kot. Ditët rrotullohen derisa e drejta t’u kthehet atyre që u takon dhe të shfaqet ajo që ishte e fshehur. Në faqet e historisë kemi mësime që zgjojnë, dhe në ngjarjet e së tashmes kemi kujtesë që ndriçon.
﴿وَلَا تَحْسَبَنَّ اللَّهَ غَافِلًا عَمَّا يَعْمَلُ الظَّالِمُونَ﴾
“Mos mendo kurrë se Allahu është i pavëmendshëm ndaj asaj që bëjnë zullumqarët.”
📖 (Ibrahim, 14:42)
Në rrëfimet e të parëve përmendet se Allahu i Madhëruar e caktoi që vrasësit e halifes së drejtë, Dhun-Nurejnit, Uthman ibn Affan (Allahu qoftë i kënaqur me të), të përballeshin me ngjarje të njëpasnjëshme, derisa shumë prej atyre që guxuan të derdhnin gjakun e tij u shkatërruan. Po ashtu, pas rënies dëshmor të nipit të Pejgamberit ﷺ, Husejn ibn Ali (Allahu qoftë i kënaqur me ta), ndodhën zhvillime ku shumica e të përfshirëve u kapën nga pasojat e veprave të tyre. Kjo ishte mësim për ata që shohin dhe dëshmi se gjaku nuk humbet dhe padrejtësia nuk lihet pa u ndëshkuar.
«إِنَّ اللَّهَ لَيُمْلِي لِلظَّالِمِ، حَتَّى إِذَا أَخَذَهُ لَمْ يُفْلِتْهُ»
“Allahu i jep afat zullumqarit, por kur e kap, nuk i shpëton dot.”
📚 (Buhariu, nr. 4686; Muslimi, nr. 2583)
Këto janë dëshmi për një ligj të pandryshueshëm: padrejtësia nuk qëndron, dhe nga urtësia e Allahut është që pasojat e saj t’u kthehen vetë atyre që e bëjnë në forma të ndryshme dhe në kohë të ndryshme por përfundimi është një: gjykimi i Allahut zbatohet dhe drejtësia triumfon, edhe nëse vjen pas një kohe.
﴿وَكَذَٰلِكَ أَخْذُ رَبِّكَ إِذَا أَخَذَ القُرَىٰ وَهِيَ ظَالِمَةٌ إِنَّ أَخْذَهُ أَلِيمٌ شَدِيدٌ﴾
“I tillë është ndëshkimi i Zotit tënd kur i ndëshkon vendbanimet që janë zullumqare. Vërtet, ndëshkimi i Tij është i dhembshëm dhe i ashpër.”
📖 (Hud, 11:102)
Nëse shikojmë realitetin tonë bashkëkohor, shohim një pamje të qartë të këtij ligji hyjnor: Allahu i vë zullumqarët kundër njëri-tjetrit dhe e bën fuqinë e tyre mes tyre. Asnjë zullumqar nuk shpëton nga ligji i Tij dhe asnjë tiran nuk i shpëton pasojës së padrejtësisë së tij.
Disa njerëz u zhytën në gjakun e myslimanëve ose e pranuan këtë dhe u bënë spektatorë në Siri, Jemen, Irak, Liban dhe Palestinë. Ata u shtrinë në tokë me padrejtësi dhe u ngritën me arrogancë e tirani, derisa menduan se pushteti i tyre nuk do të rrëzohet dhe se janë të paprekshëm nga llogaria dhe ndëshkimi.
Por nuk kaluan veçse pak ditë, dhe peshoret u përmbysën. Ngjarjet u kthyen kundër tyre dhe ndëshkimi i Allahut u erdhi nga aty ku nuk e prisnin. U rrethuan nga çdo anë dhe u bënë mësim për të tjerët. Pasojat e padrejtësisë së tyre i ndoqën dhe e bënë të dukshme të vërtetën që ata e mohonin.
﴿وَلَا يَحِيقُ المَكْرُ السَّيِّئُ إِلَّا بِأَهْلِهِ﴾
“Kurthi i keq nuk godet askënd tjetër përveç atyre që e bëjnë atë.”
📖 (Fatir, 35:43)
Kështu vazhdon ligji i Allahut: Ai jep afat, por nuk neglizhon; vonon, por nuk e anulon. Kur ndëshkon, ndëshkon si i Plotfuqishmi. Në këtë ka mësim për ata që kanë mendje dhe kujtesë për ata që reflektojnë.
Prandaj i lutemi Allahut të Lartësuar: të largojë fatkeqësinë, të zbulojë pikëllimin dhe të përgatisë për këtë ummet një çështje të drejtë, ku të nderohen ata që i binden Atij, të poshtërohen zullumqarët, të vendoset drejtësia dhe të ndalet padrejtësia ndaj të dobëtëve.
Autori: Abdullah El-Etherij
عبدالله الأثري
Solli në shqip për Kohen Islame
Bekir Halimi
