12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

“Fondi i kuadrove” rrit pagat e qeveritarëve

Më të lexuarat

Qeveria e Kosovës ka vendosur të zhbllokojë “Fondin e kuadrove”, i dedikuar për mbështetjen e stafit civil që punon për qeverinë. Megjithëse ishin paralajmëruar ulje të pagesave, ngase ishin gjetur keqpërdorime dhe dallime të mëdha në pagesat për stafin me kualifikime dhe pozita të njëjta, ato nuk janë ulur. Me skemën e re të fondit kuotat janë rritur nga 1500 euro, sa ishte paga më e lartë, në 1800 euro.
Me gjithë paralajmërimet se nga “Fondi i kuadrove” nuk do të ketë më persona që paguhen sa kryeministri i vendit kjo nuk duket se do të ndodhë me ristrukturimin që i është bërë skemës së këtij fondi.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës, i datës 5 korrik, jo vetëm që ka ndarë shumën prej 1 milionë eurosh për mbështetje të stafit civil në 20 dikastere qeveritare, por edhe ka rritur shumat e përfituesve.

Menaxheri i këtij fondi, Berat Visoqi ka konfirmuar këtë vendim, por nuk ka pranuar të flas rreth dizajnimit të këtij fondi.

Ndërkohë që as nga Komisioni i vlerësimit i këtij fondi nuk janë dhënë sqarime për mënyrën e përfshirjes së përfituesve në këtë fond.

Sipas vendimit, një kopje të së cilit e ka siguruar Radio Kosova,i vetmi ndryshim që është bërë është një ndarje e përfituesve në 4 kategori. E para që është deri në 1800 euro, e dyta 1500 e treta 1200 euro dhe e katërta 800 euro për person.

Ndonëse Fondi dedikohet për staf civil, në disa ministri kanë përfituar edhe këshilltarët e jashtëm.

Pagesat shtesë nga fondi një milion eurosh, që ndahet çdo vit për të mbështetur “kuadrot me rëndësi” të shërbimit civil ishin stopuar që nga janari i këtij viti për shkak të gjetjes së parregullsive në ndarjen e tij.

I ashtuquajturi “Fondi i trurit” i themeluar më vitin 2009 ka për qëllim që të stimulojë profesionistë, siç thuhet në “segmente strategjike” që punojnë për qeverinë, duke ofruar kushte konkurrente me sektorin privat.

Me skemën e re do të jenë përafërsisht 180 shërbyes civilë që do të paguhen nga 800- 1800 euro, përveç pagave bazë, raporton Radio Kosova. /Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit